Faktohet vjedhja e të dhënave që Edvini po u bën kryeqytetasve
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me një shkresë të posaçme, nënvizon se me formularin e shpërndarë nga Bashkia e Tiranës po shkelet privatësia e banorëve të kryeqytetit, ndërkohë që Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të mos i dorëzojnë Edvinit informacionet që ai u kërkon në mënyrë të paligjshme
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e cilëson antikushtetues formularin e shpërndarë nga Bashkia e Tiranës për sistemin e adresave ku i kërkohet qytetarëve të Tiranës të plotësojnë të dhënat e tyre personale. Ky shqetësim u bë publik një javë më parë, nga Ministria e Brendshme, e cila menjëherë pas publikimit të tij nga kryebashkiaku Rama i është drejtuar me një shkresë komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, në argumentin e tij ligjor, komisioneri sqaron se adresari anashkalon jo vetëm kuadrin ligjor vendas por dhe atë europian.
“Ministria e Brendshme i është drejtuar me një shkresë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për verifikimin e statusit të të dhënave që u janë kërkuar qytetarëve të Tiranës në formularin e Adresarit të shpallur publikisht një javë më parë nga Z. Edi Rama. Në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënvizon se janë anashkaluar kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kërkesat e nenit 35 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5 të Direktivës 95/46 të KE dhe Parlamentit Europian, në të cilin shprehimisht thuhet se të dhënat personale “duhet të jenë të favorshme, koherente në lidhje me temën dhe jo të tejkalojnë qëllimin për të cilin grumbullohen dhe u nënshtrohen përpunimit”, tha zëdhënësi Konja.
Sipas tij, bazuar mbi këtë qëndrim të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe duke ritheksuar shqetësimin për thyerjen e konfidencialitetit të qytetarëve dhe pengimin e implementimit të sistemit të adresave, Ministria e Brendshme i kërkon Z. Edi Rama që në mënyrë urgjente të tërheqë formularin e shpallur publikisht prej tij dhe shpërndarë në kundërshtim me ligjin.
“Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të Bashkisë së Tiranës të mbrojnë të drejtën për privatësinë e të dhënave të tyre personale, të jenë të kujdesshëm dhe të mos plotësojnë të dhënat që u kërkon Z. Rama në tejkalim dhe anashkalim të ligjit, mbi numrin e telefonit fiks dhe celular, sipërfaqes së pronës, të qenurit emigrant ose jo, punësimit e arsimimit, profesionit dhe vendit nga vijnë”, u shpreh më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
Lidhur me çështjen në fjalë Ministria e Brendshme, përmes zëvendësministrit Ferdinand Poni, kërkoi pezullimin e nismës së Bashkisë së Edi Ramës, e konsideruar kjo si tentativë cenimi të privatësisë së qytetarëve, për hesape të ngushta të kryebashkiakut.