“S’ka vakuum ligjor, opozita të japë konsensusin për reformën në drejtësi”

Flet Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u shpreh dje se pavarësisht qëndrimit të opozitës, e cila ka vendosur vetëm para pak ditësh të kushtëzojë raportet me Kuvendin, nuk ka boshllëk në miratimin e ligjeve, veçse konsensusi është i domosdoshëm për reformimin e sistemit të Drejtësisë.
Tendencën e opozitës, për mos dhënien e konsensusit për ligjet, Nishani i konsideroi si qëndrime tërësisht politike, të cilat bëjnë pjesë në axhendën ditore të Edi Ramës.
Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se opozita duhet të realizojë misionin e saj në parlament dhe për këtë duhet të bashkëpunojë me mazhorancën me synim miratimin e ligjeve dhe arritjen e reformave.
“Qëndrimet e ngurta për të ikur apo mos u angazhuar në bërjen e ligjeve apo përmirësimin e mëtejshëm të ligjeve për sistemin e Drejtësisë nga ana e opozitës, janë tërësisht qëndrime për shkak të politikës së ditës, për shkak të qëndrimeve partiake”, u shpreh ministri Nishani, duke komentuar vendimin e opozitës për të braktisur çdo seancë plenare gjatë miratimit të ligjeve.
Kreu i ministrisë së Drejtësisë, duke shprehu rëndësinë e kësaj reforme si për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, ashtu dhe në të mirë të interesit të qytetarëve, theksoi se tashmë ekziston një strategji e qartë për këtë reformë.
“Ne mbetemi të hapur, që për shkak të një strategjie më të qartë, e mirëpërcaktuar tashmë te reforma në sistemin e drejtësisë, do të jetë e nevojshme ndërhyrja përmes amendimeve në ligjet e ndryshme që kërkojnë 3/5 në Parlament”, tha Nishani, duke sjellë në vëmendje punën që po bën ministria në përgatitjen e disa ligjeve të rëndësishme, që më pas do t’i dërgohen për miratim Qeverisë dhe Parlamentit, si ai për Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Administratën e Gjyqësorit .
Për ministrin Nishani, ky është një hap që duhet ndërmarrë nga Qeveria, por domosdoshmërisht duhet të ketë mbështetjen dhe konsensusin e opozitës.
“Jo vetëm për faktin e kërkesës së votimit të cilësuar në Parlament, por dhe në vizionin politik dhe social, ligjet që bëhen për gjyqësorin nuk janë ligje që i shërbejnë një Qeverie të caktuar, por i shërbejnë sistemit të Drejtësisë dhe duhet t’i shërbejnë qytetarit shqiptar. Prandaj, përgjegjësia ndaj institucioneve të Drejtësisë dhe qytetarëve është e barabartë si nga ana e mazhorancës, ashtu dhe opozitës”, tha Nishani.
Ministri i Drejtësisë komentoi se qëndrimet e ngurta për të ikur apo mos u angazhuar në bërjen e ligjeve apo përmirësimin e mëtejshëm të ligjeve për sistemin e Drejtësisë nga ana e opozitës, janë tërësisht qëndrime për shkak të politikës së ditës, për shkak të qëndrimeve partiake, për shkak të situatës brendapartiake nga ana e opozitës dhe natyrisht kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e opozitës në raport me qytetarët. “Pavarësisht problematikës sot ne nuk kemi vakuum legjislativ, të gjitha institucionet e vendit, qofshin ato të Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit i kanë ligjet e tyre organike, madje shume prej tyre me standarde të mira”, deklaroi më tej ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani Nishani, duke rikonfirmuar ndërkohë gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën.