E Diel, 1 Nëntor 2026

Faktorët që ndikuan në raportin e Fredom House

Pragë - Renditja e Kosovës nga Freedom House si i vetmi vend jo i lirë në Evropë nga disa zyrtarë dhe analistë kosovarë është vlerësuar si "jo objektive".

Ndërkaq, drejtori i kërkimeve në Freedom House, Arç Pedington (Arch Puddington) thotë se gjetjet janë bazuar në faktorët se Kosova është nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, korrupsioni dhe marrëdhënia ndërmjet kosovarëve dhe serbëve. "E para, Kosova ende është një vend që është nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në radhitjen. E dyta, korrupsioni endemik në Kosovë gjithmonë ka qenë problem serioz dhe ende është. Kosova nuk do të radhitet dukshëm më lart, derisa të bjerë korrupsioni. E treta, dhe shumë e rëndësishme, është marrëdhënia ndërmjet kosovarëve dhe serbëve. Kjo është një çështje, e cila ende është problematike", tha Pedington për ERL. Ai shprehet i sigurt se kur të zgjidhen këto çështje "Kosova do të ketë një notë në indeksin" e organizatës që drejton Pedington.

Freedom House konstaton se vende jo të lira janë ato ku mungojnë të drejtat bazike politike dhe ku në mënyrë sistematike dhe në masë të gjerë mohohen liritë qytetare. Në anën tjetër, analisti kosovar, Ramush Tahiri, konsideron se raporti i Freedom House ka ngjyrime politike, sepse, sipas tij, edhe 11 muaj pas shpalljes së pavarësisë, kjo organizatë ende e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. QIK

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›