E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli në turne lobues në Afrikë, Azi dhe SHBA

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli do të fillojë një turne lobues në disa shtete afrikane, aziatike dhe në SHBA.

"Fillimisht, më 17 nëntor, zëvendëskryeministri Pacolli do të vizitojë shtetin e Kamerunit ku do të takohet me presidentin Paul Biya dhe ministrin e punëve të jashtme të këtij shteti z. Henri Eyebe Ayissi. Po në shtetin e Kamerunit, zëvendëskryeministri Pacolli do të takohet me Presidentin e Malit, Amadou Toumani Touré, i cili është duke qëndruar në këtë shtet në vizitë shtetërore. Më 19 nëntor, zëvendëskryeministri Pacolli, do të udhëtojë në shtetin e Sao Tome-së, ku do të takohet me kryeministrin e këtij shteti, z.Patrice Emery Trovoada. Më 19 nëntor në mbrëmje, zoti Pacolli do të udhëtojë për në Guinenë Ekuatoriale, ku do të zhvillojë një takim me presidentin e këtij shteti, z.Teodoro Obiang", thuhet në një njoftim të zyrës së Pacollit.

"Turneun e tij lobues, zoti Pacolli do ta vazhdojë në shtetin e Sudanit, ku më datë 20 nëntor do të takohet me presidentin e këtij shteti, z.Omar al-Bashir. Turneu i zotit Pacolli në Afrikë, pason tre turnetë e mëhershëm të tij në këtë kontinent, ndërsa rezultatet pozitive, sipas zotit Pacolli, priten të vijnë shumë shpejt. Pas Afrikës, aktivitetet e tij lobuese për njohjen e Republikës së Kosovës, zoti Pacolli do t’i vazhdojë në kontinentin e Azisë, ku do të vizitojë Filipinet, Indonezinë, Tajlandën,Laos-in etj. Turneu i zotit Pacolli, do të vazhdojë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë disa takime të rëndësishme", thuhet më tej në njoftim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›