Heshtin për takimin
Askush prej zyrtarëve të PDK’së dhe LDK’së nuk ka dashur të thotë asnjë fjalë për takimin e mbajtur të martën në mes të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës në objektin e Qeverisë.
Express ka kontaktuar me zyrtarë të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, por të gjithë kanë thënë se nuk kanë informacione për takimin e dy liderëve të partive politike.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi dhe Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova kanë thënë se nuk kanë informacione për takimin mes Thaçit dhe Mustafës.
Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe Nënkryetari i Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës, Avdullah Hoti.
“Nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.
As pas mbledhjes së Qeverisë që është mbajtur të mërkurën, askush nuk ka folur për takimin e Kryeministrit me Liderin e LDK’së.
Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhje ka përmendur bisedimet me Serbinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve, por jo edhe takimin me liderin e opozitës.
Por, burime të Expressit kanë treguar se takimi Thaçi-Mustafa ka ardhur me ndërmjetësimin e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar nga dy liderët ndryshimeve kushtetuese të jenë kualitative.
Sipas këtyre burimeve, Kryetari i PDK’së dhe ai i LDK’së janë pajtuar që ndryshimet kushtetuese të kalojnë nëpërmjet një konsulence ndërkombëtare.
Në këtë formë, ata janë zotuar se nuk do të mbesin peng të marrëveshjes politike, por do të kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të jenë të nivelit më të lartë.
“Ata janë pajtuar që të mos ketë zëvendëspresident dhe kandidati për President të ketë moshën mbi 35 vjeçare. Për nënshtetësi të pretendentëve, për president nuk është folur”, ka treguar burimi.
Ditë më parë, Kryeministri Thaçi kishte përçuar mesazhe nga Drenica se zgjedhjet presidenciale mund të mbahen në të njëjtën kohë me ato parlamentare dhe lokale, më 2013.
Në një takim partiak, Thaçi kishte kërkuar nga banorët të mos nguten për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, pasi data e mbajtjes së tyre ende nuk dihet.
Express ka shkruar të hënën se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë pajtuar për t’i shtyrë zgjedhjet presidenciale me sugjerimin e ndërkombëtarëve.