E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktori shqiptar në zgjedhjet e Maqedonisë

VEBI VELIJA

Maqedonia shkoi në Samitin e NATO-s duke tërhequr pas vetes papërgjegjshmërinë e një qeverisjeje (por edhe një trashëgimi të ngjashme politike përgjatë 15 viteve të fundit), e cila mund të përmblidhet me fjalët: çorientim politik me ngjyresa të theksuara të luftës etnike në vend, ekonomi në rënie të vazhdueshme, e mbyllur dhe pa ardhmëri ...zhvillimi në dukje dhe një pozitë e pafavorshme përballë faktorit ndërkombëtar. E thënë më në detaje, në këtë papërgjegjshmëri qeverisjeje, e cila e ka një emër të përveçëm, kryeministrin Gruevski, mund të përmenden që nga mbyllja flagrante e dyerve ndaj investimeve serioze të huaja në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë maqedonase dhe "spektaklet" qeveritare për gjoja zhvillim të ekonomisë së vendit, që nga dhuna e pashembullt policore në Brodec, aferat e shtrëngimit të vizave me Shqipërinë, e gjer te kërkesa nervoze për negocim të kufijve me Kosovën, ndërkohë që ende nuk njihet ajo si shtet i mëvetësishëm dhe deklaratat e shterpëta politike për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe më tej në Evropë, të cilat më tepër shprehnin mosdëshirën reale për këtë…
Ata që mendonin se humbja e ftesës për në NATO pritej të sillte një atmosferë të re në Maqedoni, u zhgënjyen shumë shpejt. Shumëkush që e do Maqedoninë, priste që opozita të kërkonte menjëherë dorëheqjen e kryeministrit përgjegjës për këtë humbje historike, por edhe për shumë humbje të tjera, Gruevski, dhe krijimin e një qeverie koalicioni me bazë të gjerë, të aftë të merrte përsipër përgjegjësitë politike të të gjithë spektrit politik dhe ta nxirrte vendin nga udhëkryqi ku ndodhet. Dhe ky udhëkryq për t'u kapërcyer ka shumë detyra përpara: që nga raundi i ri i bisedimeve me Greqinë për çështjen e emrit, zbatimi i Marrëveshjes së majit, pengimi i rënies ekonomike në vend, zbatimi i reformës së axhendës euro-integruese dhe hartimi i ligjit zgjedhor. E pra, cila parti ka mundësinë dhe aftësinë apo moralin politik për t'i përmbushur të gjitha këto, përveçse një koalicioni qeverisës me bazë të gjerë?
Porse ndodhi ndryshe, pasi delegacioni maqedonas u largua i dëshpëruar dhe aspak diplomatik e i matur në këtë veprim nga Samiti i Bukureshtit, më 4 prill, kryeministri nuk mori mundimin të tregonte planet apo zgjidhjet e tij për të ardhmen. Ndërsa në Zagreb, Kroacia dhe Shqipëria festonin, dukej se Presidenti Bush ndiente më shumë keqardhje se shefat e Maqedonisë. Kjo u bë bindje pak ditë më pas, kur procesi shkoi në zgjedhje të parakohshme përpara se faktorët politikë të uleshin dhe të diskutonin për një strategji kombëtare për të ardhmen e vendit që ka përpara sfida të mëdha, të pakrahasueshme me asnjë bashkudhëtar të rajonit, nga të cilat tre janë më imediatet: çështja e emrit, marrëveshja e kufijve me Kosovën dhe implementimi i standardeve të barazisë etnike. Nuk pati reflektim, as strategji kombëtare, por një manovër politike që ishte e papritur për iluzionistët e progresit, por jo e papritur për njohësit e politikës tradicionale ballkanike.
Sidoqoftë, zgjedhjet e reja tashmë janë një fakt. Deri në hyrje të qershorit nuk do të ketë asnjë hap përpara në zgjidhjen e sfidave të mëdha e as të udhëkryqit ku ndodhet vendi, ndërsa në politikën maqedonase kanë filluar marrëveshjet, pazaret, llogaritë dhe aleancat e pamoralshme që mund të garantojnë vetëm pushtetin e atyre që mohuan zgjidhjet para Bukureshtit.
Ndërsa Gruevski, për shkak të dobësisë së opozitës, mund të rifitojë një mandat katërvjeçar, për shqiptarët nuk ndryshon asgjë rezultati mes partive maqedonase. Të dyja palët janë po aq të vendosura për ta shtyrë në pafundësi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Hapa mbrapa në zbatimin e marrëveshjes ka patur shumë vitet e fundit, ndërsa faktorët politikë shqiptarë kanë investuar vetëm për përçarjen. Sot janë 5 parti shqiptare që kanë shpallur fitoren në etninë e tyre, janë 5 parti që akuzojnë njëra-tjetrën për shitje të interesave të shqiptarëve dhe asnjë prej tyre nuk ulet të gjykojë se vetëcopëzimi i faktorit shqiptar është fara e keqe që mbillet nga politikanët shqiptarë dhe korret nga politikanët maqedonas, pasi ndasitë midis politikanëve shqiptarë dhe maqedonas janë thjesht të karakterit etnik dhe pothuaj aspak ideologjik apo politik. Politika shqiptare rrezikon të rikthejë situatën e vitit 2006, kur VMRO fituese zgjodhi të bashkëpunojë me forcën që preferonte ndër shqiptarët, pavarësisht se kjo ishte kundër vullnetit të shprehur me votë, duke shkelur kështu një nga parimet bazë të demokracisë, atë të legjitimitetit të votës. PDSH humbi zgjedhjet dhe hyri në qeveri, sepse faktori shqiptar ishte i përçarë, me sytë nga pushteti dhe me shpinë të kthyer nga të drejtat e bashkëkombësve. As ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtar nuk arritën të korrigjonin këtë padrejtësi që i bëhej vullnetit dhe të drejtës legjitime të shqiptarëve dhe, si rrjedhim, shumica e shqiptarëve mbeti e papërfaqësuar në qeveri. Duhej harruar kjo ngjarje e keqe pas 2 vjetësh që sollën dështim. Por le të ndalemi dhe të shohim se, në fakt, situata e përkeqësuar në fillim të fushatës mundet vetëm të na rikujtojë atë që ndodhi:
Pesë partitë shqiptare sot, në rastin më të mirë, mund të krijojnë 4 grupime, nëse do të përsëritet, ashtu siç pritet, aleanca e BDI me PPD. PDSH do të dalë e vetme në zgjedhje, ndërkohë që në krahasim me vitin 2006 është shtuar dhe një parti, Bashkimi Demokratik Shqiptar. Kryetari i saj, Bardhyl Mahmuti është totalisht kundër politikës së deritanishme të shqiptarëve dhe ka pak shpresa të përfshihet në një aleancë parazgjedhore. Thirrje për aleancë parazgjedhore ka bërë vetëm kryetari i Bashkimit Demokratik Kombëtar, Hysni Shaqiri, por mesazhi i tij është i papranueshëm nga të gjithë faktorët shqiptarë, maqedonas apo edhe perëndimorë. Shaqiri kërkon bashkim të shqiptarëve me kërkesën për federalizmin e Maqedonisë, një ide e parealizueshme në të gjitha variantet e saj.
Bashkimi i faktorit shqiptar, në fakt është një domosdoshmëri. Në sondazhet e fundit, VMRO, e cila pritet të rifitojë pushtetin, pasi përveçse siç thamë më sipër opozita maqedonase është e dobët dhe ka llogaritë e veta, ka nxitur shpirtin nacionalist të maqedonasve me qëndresën që bëri kundër hyrjes në NATO, kuotohet tek 26.3 për qind të votave, ndërsa parti e dytë nuk është e majta maqedonase e përfaqësuar nga LSDM, që kuotohet 9.8 për qind, por Bashkimi Demokratik për Integrim me 10 për qind. Pra, partia më e madhe shqiptare është partia e dytë në Maqedoni dhe i gjithë faktori shqiptar, nëse grupohet në një formacion mund të shndërrohet, llogarisim që mund të ketë 34-35 deputetë, në forcën më të rëndësishme politike të vendit dhe njëkohësisht mandatare. Në këtë rast do të kishim një qeverisje mes VMRO së Gruevskit dhe shqiptarëve në kushte krejt të barabarta dhe shqiptarët do të fitonin më në fund rolin që dëshirojnë dhe meritojnë në qeverisjen e vendit, ndërsa zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të bëhej realitet.
Kjo analizë nuk është hipotetike dhe kjo rrugë vendos shqiptarët në vendin e tyre në Maqedoni, nëse liderët shqiptarë do të heqin dorë nga interesat dritëshkurtra për pushtet dhe do të nisin një proces pajtimi, pa komplekset tradicionale që kanë ndarë dhe vazhdojnë të ndajnë shqiptarët mes vetes.
Megjithatë, është e mirëditur që jetojmë në një hapësirë ku ndasitë janë shndërruar në traditë dhe politikanët shqiptarë me qendër në Tetovë e kanë të vështirë të kapërcejnë vetveten. Pasqyrat shqiptare jashtë kufijve të vendit nuk i fshehin plagët dhe sëmundja tradicionale e mospajtimit për interesa madhore ka pllakosur gjithë hapësirën shqiptare. Ka vite që diskutohet ndërhyrja e Tiranës për një strategji kombëtare, por politikanët e Shqipërisë ende nuk janë bindur që ka ardhur momenti. Në këto kushte mbetet e vetmja mundësi, që fituesi i zgjedhjeve të 1 qershorit të mos përsërisë injorimin që iu bë vullnetit të shqiptarëve në vitin 2006. Shqiptarët do të votojnë dhe fituesi duhet t'i përfaqësojë në qeveri. Nëse partitë shqiptare vrapojnë për t'u bashkuar me çdo kusht me pushtetin, do të ritradhëtohen interesat e përfaqësuara në Marrëveshjen e Ohrit. Partia shqiptare që do të hyjë në pushtet, në vend të ngutit për të përfituar karrige, lipset të ketë një platformë kushtëzuese për qeverinë, ku të përcaktohen me afate të gjitha pikat e Marrëveshjes së Ohrit që kërkojnë zbatim. Të paktën pas 7 vjetësh nga kjo Marrëveshje e arritur me mund, shqiptarët meritojnë të kenë realisht të drejtat minimale të tyre si qytetarë të barabartë të Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›