E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motrat pijnë helm, donin të njëjtin djalë

Tentojnë vetëvrasjen pasi mësojnë se dashuronin të njëjtin djalë. 

FIER/ Majlinda Rama

Dy motra adoleshente, nga fshati Kurjan i Roskovecit në Fier, prej 1 viti kanë përjetuar dashurinë e fshehtë për një të ri. Por, kur dje kanë marrë vesh se kishin ndarë ndjenjat për 1 person kanë vendosur t’i japin fund jetës. Ky është motivi që kanë treguar dje të afërm të motrave O. dhe F.Metahu, 17 dhe 18 vjeçe, pas shtrimit në spitalin e Fierit në gjendje kritike për jetën. Mjekët kanë ndërhyrë me shpejtësi, kur ato janë transportuar me urgjencë mesditën e djeshme në urgjencë. Sipas tyre, shenjat e shfaqura tregojnë se ato kanë konsumuar fostoksinë. Rreth pasdites, motra e vogël ishte jashtë rreziku, ndërsa më rëndë paraqitej gjendja e 18-vjeçares.
Të afërm të familjes, të cilët kanë qenë të vetmit që kanë dhënë deklarata të pakta mbi këtë ngjarje kanë pohuar se dy vajzat dashuronin të njëjtin djalë dhe fakti që kjo situatë nuk ishte në moralin e tyre i çoi të ndërmarrin këtë akt vetëflijimi. Të njëjtat burime shtojnë se, prej më shumë se 1 viti dy motrat mbanin të fshehtë lidhjen e tyre me një person, por pa e ditur asnjëra nga të dyja se cili ishte djali. “Mua më kishin thënë që donin nga një djalë, por asnjëherë që dashuronin të njëjtin njeri. Ato ishin vajza të heshtura dhe tepër të sjellshme. Merreshin me punët e shtëpisë dhe nuk i kushtonin ndonjë rëndësi të veçantë veshjes dhe tualetit. Kjo gjë që bënë sot na shokoi të gjithëve. Mesa dëgjuam deri ditën e sotme, kur pinë edhe lëndën helmuese, nuk dinin gjë për lidhjen me të njëjtin djalë. Kjo gjë mesa duket i ka demoralizuar shumë dhe i ka çuar në vetëhelmim”, thonë ata. Historia e dy vajzave, sipas të afërmve të saj që kanë të njëjtën moshë me dy motrat e vetëhelmuara ka filluar pothuajse një vit më parë kur ato kanë njohur një djalë nga një fshat aty pranë dhe kanë rënë në dashuri me të. Veç e veç, dy vajzat shtëpiake jetonin në fshehtësi dashurinë e tyre nga njëra-tjetra dhe gjithë të afërmit pa ditur se bëhej fjalë për të njëjtin person. E vetmja që kishte dijeni ishte një kushërirë e tyre, e cila u ka zbuluar dhe faktin se të dyja motrat kishin lidhje me një djalë.
Dy vajzat janë gjetur të shtrira në dhomën e tyre, në gjendje të rëndë shëndetësore. Prindërit, të cilët kishin vetëm dy vajzat, kanë vënë re mungesën e tyre nëpër shtëpi, duke i kërkuar më pas në dhomë. Ata kanë trokitur në derë, por nga brenda janë dëgjuar vetëm disa zëra të mekur që kërkonin ndihmë. “Fillimisht kanë dyshuar se vajzat po bënin shaka, por kur panë se as njëra e as tjetra nuk po reagonin janë alarmuar. Ato janë vajza të mira e të rregullta. Madje të gjithë thoshin sa mirë që shkojnë me njëra-tjetrën të dyja. Nuk e dimë se si na ndodhi kjo, kaq papritur”, thotë një e afërme e familjes Metahu, e cila dje qëndronte në spital. Ndërkaq njëra nga vajzat, ajo që aktualisht paraqitet me shëndet më të mirë ka deklaruar se, ishte diçka kalimtare që nuk duhej të ndodhte. Ajo nuk ka pranuar të tregojë emrin e djalit, i cili është bërë strumbullari i ngjarjes që ka rrezikuar jetën e dy motrave. Mjekët në spitalin e Fierit kanë deklaruar se të dhënat janë për mbetje të helmit fostoksinë në organizmin e vajzave, ndonëse është kërkuar kryerja e analizave në laborator.

Nisin hetimet për ngjarjen

Policia e qytetit të Fierit, e sinjalizuar nga mjekët e spitalit për tentativën e dyfishtë të vetëhelmimit ka nisur hetimet. Fillimisht janë marrë në pyetje familjarët e më pas vajza që kapërceu rrezikun për jetën, por mësohet se paraprakisht ajo nuk ka pranuar të tregojë emrin e djalit me të cilin kishte lidhje si dhe motra e saj. Policia po heton në këtë pistë, ndërsa po verifikon dhe motive të tjera që mund të kenë shtyrë vajzat drejt vetëhelmimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›