E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakultetet, kuotat bosh pas mbylljes së regjistrimeve

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka mbyllur dje bilancet për sa u takon kuotave bosh, vendeve të mbetura të paplotësuara si pasojë e mosregjistrimit të fazës së dytë të fituesve.

Konkretisht janë plot 182 kuota të parealizuara në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës. Sekretaritë e fakulteteve, në mënyrë të protokolluar kanë dorëzuar pranë rektorateve listën e të regjistruarve dhe vendeve të mbetura bosh, si pasojë e mosparaqitjes së fituesve të fazës së dytë. Më pas, rektorati ka dërguar shkresën zyrtare pranë Agjencisë së Pranimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Pas mbledhjes së të dhënave për të gjitha universitetet në vend, APRIAL-i do të dorëzojë pranë Ministrisë së Arsimit një raport, ku do të japë në mënyrë të sqaruar vendet e lëna bosh, kuotat e paplotësuara pas fazës së dytë të regjistrimeve.

Ministria e Arsimit do të vendosë më pas, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e Maturës Shtetërore, universitetet në të gjithë vendin, për mënyrën se si do të procedojë sistemi i regjistrimit pas mbylljes së fazës së dytë. Njëkohësisht, nesër APRIAL-i dhe Ministria e Arsimit pritet të japë të gjitha risitë lidhur me Formularin A3, se cilët nga maturantët kandidatë për studentë do ta plotësojnë, çfarë rruge do të ndiqet për realizimin e kuotave të mbetura bosh, apo për kuota shtesë në rast të një vendimi të fundit të propozuar nga ministri.

Sakaq, nesër pritet të jepen sqarime të detajuara për Formularin A3, konfigurimin e tij, numrin e programeve, programet shtesë, apo programe të reja. Kuota të parealizuara ka pasur në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, por degë të caktuara, si Sociologjia apo Mjekësia nuk ka pasur asnjë kuotë shtesë. Fituesit e fazës së dytë kanë paraqitur dokumentet e regjistrimit pranë sekretarive të fakulteteve. Sakaq, viti i ri akademik pritet të nisë në datën 12 tetor, ditën e hënë.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›