Ish të përndjekurit protestojnë për paratë e dëmshpërblimit
Të përndjekurit politikë të qytetit të Shkodrës kanë protestuar ndaj vonesave të dëmshpërblimeve për burgimet në kohën e regjimit komunist qeverisës. Në një komunikim me mediat, kryetari i shoqatës së të përndjekurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, është shprehur se nuk është aspak e drejtë që ende nuk janë dhënë dëmshpërblimet për ditët e burgut. "Kemi dorëzuar të gjitha dokumentet në rregull dhe ende na kërkojnë dokumente, kjo është e padrejtë. Pak ditë më parë u tha se kanë mangësi në dokumente, ndaj është vonuar dhënia e lekëve për ditët e burgut, por kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse të gjitha dokumentacionet janë në rregull. Për më tepër, kjo qeveri duhej të mos hezitonte të jepte lekët për të përndjekurit politikë, pasi është kjo shtresë ajo që më shumë se askush luftoi dhe sakrifikoi për demokracinë në Shqipëri", ka thënë Drangu. Më tej, drejtues të kësaj shoqate kanë reaguar dhe për indiferencën që kjo qeveria po tregon ndaj shtresës së të persekutuarve, duke u shprehur: "Asnjë prej qeveritarëve të sotëm demokratë, apo prej prindërve të tyre, nuk ka bërë ndonjë ditë burg për demokracinë dhe sot mbajnë poste drejtuese. Ndërsa ne që vuajtëm dhe na shkoi e gjithë jeta në burgjet komuniste, pasi kishim bindje të djathta dhe luftonin për të sjellë sistemin demokratik në Shqipëri, akoma vuajmë dhe nuk do t‘ia dijë njeri për sakrificën që bëmë. Ndaj ne sot deklarojmë se qeveria demokratike na ka harruar. Sot asnjë i persekutuar nuk është në qeveri apo post drejtues dhe kjo tregon vlerësimin që ka qeveria demokratike për të përndjekurit politikë", ka përfunduar kreu i shoqatës së të përndjekurve politikë të Shkodrës.
Ar.Ho.
Ar.Ho.