E Diel, 1 Nëntor 2026

Përpunimi i plehrave rikthen konfliktin mes institucioneve

Impianti i përpunimit të depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane është kthyer sërish në "mollë sherri" mes Bashkisë së Vlorës, Komunës Qendër dhe Këshillit të Qarkut. Projekti i parashikuar për t‘u zbatuar një vit më parë nuk mundi të realizohej sipas planit dhe kjo bëri që të digjeshin fondet e akorduara për të. Bashkia e Vlorës është në tratativa përsëri me ministrinë për të bërë të mundur nisjen sa më shpejt të këtij investimi shumë të domosdoshëm për Vlorën dhe rrethinat e saj. Shefi i shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, Ardian Musta, tha për gazetën "Shqip" se investimi pritet që të bëhet realitet shumë shpejt. Sipas tij, zona e fshatit Bestrovë është vendi më i përshtatshëm, pasi u miratua edhe nga Këshilli i Qarkut në vitin 2006 me shumicë votash. Por nga ana tjetër, Komuna Qendër, që e ka nën administrim këtë fshat, ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër ndërtimit të impiantit të grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave urbane. Banorët e Bestrovës kanë protestuar pak kohë më parë, duke kërkuar që impianti të mos ndërtohej në zonën e tyre, por të zhvendosej, pasi përbën rrezik ndotjeje. I takon KRRTRSH-së të vendosë se kur dhe ku do të ndërtohet ky impiant. Ky është një nga investimet më të rëndësishëm për qytetin e Vlorës, pasi e zgjidh përfundimisht problemin e ndotjes nga djegia e mbeturinave në terren të hapur dhe fare pranë zonës së banuar. Vendi i grumbullimit të mbetjeve urbane ka qenë që prej vitit 1970 në vendin që vlonjatët e quajnë "Ushqimorja" dhe që prej atëherë nuk është lëvizur, edhe pse është kërkuar me forcë nga banorët. Pas ndërtimit të impiantit është parashikuar që të gjitha mbeturinat në këtë zonë do të hiqen dhe transportohen në territorin e fshatit Bestrovë, ku do të përpunohen.

M.Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›