E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen 120 biznese të reja në tre muaj

Shtohet numri i bizneseve të reja në qytetin e Lushnjës. Vetëm për tre muaj, mbi 100 biznese kanë çelur aktivitetin e tyre tregtar. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Lushnjës, Albert Sanxhaku, i cili është shprehur se gjatë periudhës korrik-shtator në Lushnjë janë regjistruar rreth 120 subjekte të reja. "Bizneset e reja janë orientuar në degët kryesore të ekonomisë si në shërbime, në transport dhe tregti. Këta janë dhe sektorët ku bazohet rritja ekonomike në këtë periudhë. Ky numër i madh biznesesh shënohet për herë të parë gjatë këtij viti", ka thënë kryebashkiaku i Lushnjës, Albert Sanxhaku. Sipas kreut të bashkisë, e veçanta e shumë prej bizneseve të reja është fakti se janë konsultuar paraprakisht me urbanistët, drejtorinë e shërbimeve dhe tatim-taksave për të përshtatur vendin e objektit me llojin e aktivitetit.

"Ky lloj planifikimi shmangu përqendrimin e gabuar të një biznesi të caktuar dhe për rrjedhojë plotëson më mirë nevojat e konsumatorëve dhe i reziston konkurrencës", ka shpjeguar Albert Sanxhaku. Hapja e bizneseve të reja shkon paralel me numrin e atyre bizneseve që deklarojnë edhe falimentin e tyre. Duhet pranuar se statistikat e tatimeve në Bashkinë e Lushnjës tregojnë se për periudhën 8-mujore të vitit 2009 kanë shprehur falimentin e tyre 110 biznese, ndërkohë që numri i bizneseve të reja është më i lartë, çka e zbut raportin mes bizneseve të mbyllura dhe atyre që çelin aktivitetin. Numri total i bizneseve në qytetin e Lushnjës kalon në 2100 të tillë.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›