E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, tregtarët hedhin në gjyq bashkinë e qytetit

Disa tregtarë të pakicës në tregun industrial në Kukës kanë hedhur në gjyq bashkinë e qytetit, e cila ka vendosur të shembë dyqanet e tyre, për t‘i hapur rrugë një ndërtimi të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT). Tregtarët kanë rezistuar dje ndaj fadromave të inspektoratit ndërtimor të bashkisë, duke bërë që ato të sprapsen. Një leje ndërtimi në vendin e pazarit industrial dhënë nga bashkia do t‘u prishë dyqanet një numri tregtarësh të vegjël që shesin artikuj të ndryshëm. Inspektorati i Ndërtimit dhe Urbanistikës ka udhëhequr tentativën për të liruar sheshin e ndërtimit, por pronarët e dyqaneve që prishen kanë rezistuar, duke thënë se nuk do të lejonin t‘u prishnin vendin e punës me të cilin ata, siç thanë, kishin lidhur jetën.

Përmes një shkrese, bashkia i kishte paralajmëruar pronarët që të lëshojnë territorin në favor të një pronari të ri, i cili kishte siguruar edhe lejen e ndërtimit nga ana e KRRT-së. Në vendin e ngjarjes kanë udhëtuar edhe forcat e policisë me grupet e gatshme, pasi pronarët, sipas pohimit të një oficeri të lartë, kishin kërcënuar se do ta mbronin pronën e tyre, pra dyqanet ku shisnin që prej 15 vitesh, me gjakun e tyre. Por polica ka qëndruar larg gjithsesi dhe faroma është detyruar të sprapset, ndërsa tregtarët i janë drejtuar më pas kryetarit të bashkisë, i cili mësohet t‘i ketë pritur në zyrë. Tregtarët e dëmtuar kanë kërkuar anulimin e urdhrit për prishjen e objekteve, duke argumentuar se ata e kishin blerë tokën nga pronarët pa tapi, ndërsa shtetit i kishin paguar gjithashtu çdo taksë të mundshme që nga vitet ‘90. "Këtu kam të gjitha vërtetimet që tokën e kam blerë nga pronarët pa tapi, këtu kam edhe faturat e taksave që i kam paguar shtetit. Ku do të mbytem unë, ku do të punoj, me këtë dyqan e kam lidh jetën", tha tregtari i pakicës, Ndriçim Bilali, duke treguar një grumbull faturash, si dhe një fletëdenoncimi që ai kishte nënshkruar, ku hidhte në gjyq bashkinë. Qëndrimi i tyre i përbashkët ka qenë: Na jepni një vend tjetër ku të punojmë dhe jemi gati të largohemi.

I prerë ka qenë kryetari i bashkisë, Hasan Halili, në qëndrimin ndaj çështjes së tregut industrial. Ai tha se dyqanet dhe kioskat ku shisnin personat e prekur ndodheshin në një zonë, e cila ishte planifikuar të urbanizohej dhe se ato kioska do të prisheshin. "Tregtarëve të vegjël ne do t‘u gjejmë një vend tjetër diku në afërsi të pazarit dhe nuk tërhiqemi nga planet tona për sistemimin e asaj zone", tha Halili, duke kujtuar që vendimet e KRRT-së janë të pandryshueshme. "Duhet të heqim dorë nga spontaniteti. Ata tregtarë të pakicës dhe të gjithë të tjerët duhet të mësohen të njohim vetëm ligjin", tha ai, duke shtuar se gjatë këtyre dy viteve të mandatit të tij si kryetar bashkie, atyre tregtarëve të pakicës nuk u ishte vjelë asnjë lloj takse vendore. "Ata shesin në kushte jo shumë të mira. Në kemi plane të ndërtojmë një treg bashkëkohor dhe atëherë atyre do t‘u kërkojmë taksën, atëherë kur t‘u sigurojmë kushtet e nevojshme, ndërsa tani aty nuk është treg. Ata duhet të ikin prej aty", tha Halili. Tregtarët kanë hedhur në gjyq bashkinë për çështjen e prishjes së dyqaneve, edhe pse nuk kanë tapi për tokën, por dokumente të tjera, përfshi disa letra dore nga pretendentë-pronarë të cilët vërtetojnë se kanë shitur filan tokë si truall e kështu me radhë. Gjykata ka pranuar denoncimin ku kërkohet tërheqja e bashkisë nga vendimi për prishjen e objekteve.

Me tubimin e tyre dhe të shumë njerëzve nga farefisi që i mbështesin tregtarët, kanë mundur të kapërcejnë një ditë, por nga ana e vet policia bashkiake duket se është e vendosur të ekzekutojë vendimin e KRRT-së. Ndërsa pronarët kanë kërcënuar se do të përdorin grevën e urisë për të mos lejuar prishjen e objekteve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›