Shtatë mënyrat që bëjnë korrupsion mjekët e QSUT-së
Emanuela Sako
Mjekët në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” kanë gjetur plot mënyra për të zhvatur çdo pacient që troket në dyert e tyre për derman. Gjithçka është vërtetuar nga shkeljet që bëjnë çdo ditë mjekët në spitale dhe ballafaqimi me rregullat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Nga verifikimet që janë kryer në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë rezulton se mjekët përdorin mjaft taktika për të nxjerrë përfitimet e ditës, plus pagës mujore që u ka përcaktuar shteti. Ndërkohë që ata që paguajnë për “pabesinë” e mjekëve janë pacientët. Pacientët çdo ditë denoncojnë rastet e shkeljeve dhe mënyrën e kurimit dhe të mitmarrjes nga ana e bluzave të bardha. Shkeljet që bëjnë mjekët janë të mënyrave të ndryshme, duke marrë parasysh që askush nuk i kontrollon ose dokumentacioni që ata dorëzojnë pranë institucioneve kontrollore përkatëse, në shumicën e rasteve rezulton se është i rregullt.
Shkeljet
Korrupsioni që kryejnë bluzat e bardha është më i hapuri dhe ndodh rëndom me të gjithë pacientët. Nga verifikimi i rasteve të korrupsionit që gazeta “Albania” ka bërë në QSUT rezulton se janë shtatë mënyra të përditshme të korrupsionit që ushtrojnë mjekët ndaj pacientëve. E para që bie në sy gjatë një vizite mjekësore në spital është se mjekët nuk presin faturë vizite për pacientët e pasiguruar. Çdo i pasiguruar duhet t’i paguajë shtetit 2000 lekë për vizitë, ndërkohë që ai mund ta paguajë këtë shumë ose më pak, duke ia dhënë mjekut në dorë. Kështu, shumë pak pacientë drejtohen në sportelet përkatëse. Madje mjekët pohojnë me gojën e tyre se është më mirë që t’i marrin ata paratë në dorë, sesa të humbasin në rrugë të tjera. Mitmarrjen ata e shpjegojnë me keqpagimin e tyre nga shteti. Në QSUT ekziston një qendër konsultash, ku mjekët duhet të kryejnë përditë vizitat për të gjitha llojet e sëmundjeve dhe nuk lejohet që pacientët të vizitohen në pavijonet e shtrimit. Ndërkohë që vizitat në pavijone kryhen rregullisht, duke shkelur rregulloren e Drejtorisë së QSUT-së. Vetë pacientët pohojnë se presin në radhë për t’u vizituar te specialistët. Mjaft pacientë vijnë nga rrethet drejt QSUT-së për të marrë një shërbim të specializuar. Shumica e tyre shpjegojnë se i japin para në dorë mjekut apo infermieres për t’i futur në dhomën e vizitave pa radhë, pasi u duhet të kthehen në vendet e tyre. Ndërsa disa të tjerëve, që presin të afërmit jashtë sallës së operacionit, u mbetet vetëm të kthejnë sytë nga qielli, që operacioni të dalë me sukses pas shumës së kripur të 100 mijë lekëve që kanë paguar për një ndërhyrje në kokë. Për një pjesë të madhe të pacientëve që drejtohen në spitale, libreza e shëndetit nuk hyn në punë. Për këtë arsye pacientët nuk mund të përfitojnë ekzaminimet falas. Mjekët e shpjegojnë me faktin se pacientët nuk ndjekin procedurat ligjore të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, e cila u njeh të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kështu, pacientët nuk ndjekin procedurën e vizitave, sipas së cilës ata duhet të vizitohen njëherë te mjeku i lagjes. Më pas është mjeku i lagjes që duhet t’i drejtojë ata te mjeku specialist dhe ky i fundit e drejton pacientin në spitalin qendror nëpërmjet një autorizimi. Për këtë arsye, pacientët nuk e përfitojnë shërbimin falas dhe me faturë, por mjafton që paratë t’i marrë mjeku. Hapja e mjaft klinikave private dhe dypunësimi i mjekëve sjell që mjekët t’i orientojnë pacientët drejt klinikave ku punojnë gjatë orëve të pasdites. Klinikat private ofrojnë shpejtësi, komoditet dhe pajisje të tipit të fundit, por kostoja mbetet gjithmonë më e lartë. Ndërsa pacientët janë të detyruar të shkojnë pasi mbarojnë punë shpejt dhe marrin një përgjigje, për të cilën pretendojnë se është më e sigurt sesa ecejaket që bëjnë në QSUT.
Mjekët
Mjekët kanë argumentet e tyre për ta shpjeguar këtë situatë, pavarësisht se asnjë nga këto nuk mund ta zbusë korrupsionin. Madje ata e pranojnë hapur se fenomeni i korrupsionit ekziston, por gjithçka vjen si rezultat i pakënaqësisë së tyre. Pakënaqësitë e bluzave të bardha nisin me vlerësimin pothuajse minimal që iu bëhet nga shteti. Sipas tyre, ata janë një nga kategoritë më të keqpaguara nga shteti, ku ende nuk po bëhet një investim korrekt për profesionin e mjekut. Madje, kanë deklaruar publikisht se kushtet ku punojnë janë tejet të vështira dhe mungesat e aparaturave dhe medikamenteve janë gjithmonë në rritje. Lidhur me këtë çështje ata shpeshherë kanë kryer protesta dhe kanë shfrytëzuar rastet e fatkeqësive për t’i treguar qeverisë për punën e kryer dhe kushtet tejet të vështira në të cilat punojnë. Mjekët e përfundojnë shpjegimin e tyre se do të marrin para nga pacientët derisa shteti të vendosë për rritjen e pagave dhe për përmirësimin e gjendjes në spitale.
Mënyrat e korrupsionit në QSUT
1. Futja pa radhë e pacientëve për vizita
Mjekët i fusin jashtë radhe pacientët që presin gjatë gjithë ditës dyerve të spitaleve. Për të shmangur pritjet e gjata shumë prej tyre detyrohen të tërheqin mjekët mënjanë për t’u ofruar para nën dorë dhe mjekët marrin përsipër vizitën e pacientit që ofron më shumë. Pre e rasteve të tilla bëhen pacientët që vijnë nga rrethet.
2. Mosprerja e faturave dhe vizita kryhet me lekë në dorë
Kjo është një situatë që ndodh rëndom në të gjitha pavijonet e QSUT-së, apo në poliklinikat e kryeqytetit. Mjekët i vizitojnë pacientët pa paraqitjen e faturës, pasi në këtë mënyrë të gjitha përfitimet shkojnë në dorë të mjekut. Një pacient i pasiguruar është i detyruar që të presë faturën prej 2 mijë lekësh të rinj, ndërkohë që mjekët marrin gjysmën e shumës për vizitë dhe i fusin në xhep.
3. Vizitat e pacientëve që nuk janë shtruar brenda pavijonit (ndërsa duhet të kryhen në qendrën e konsultave)
Rregullorja e QSUT-së parashikon që vizitat për pacientët me probleme të ndryshme duhet të kryhen në Qendrën e Konsultave dhe jo në pavijonet ku ata punojnë dhe shërbejnë për të shtruarit. Të drejtën për t’u vizituar në pavijon e kanë vetëm pacientët që janë shtruar. Ndërkohë që ky rregull njihet shumë pak në QSUT, pasi vizitat kryhen pa asnjë lloj diferencimi në dhomat e pavijoneve apo në zyrën e specialistëve.
4. Pagesa për operacionet, më tepër se kuota e përcaktuar
Operacionet janë rastet më të mira për të përfituar më shumë para. Përveç kuotës së përcaktuar me ligj për çdo kryerje operacioni, mjekët përfitojnë shumë më tepër për çdo operacion. Në këtë shifër ata fusin mënyrën perfekte të kryerjes së operacionit (pavarësisht nëse mund të rezultojë fatale, ata përsëri i marrin paratë në dorë), kujdesin që duhet të tregojnë gjatë ditëve të shtrimit etj.
5. Mosrespektimi i skemës së sigurimeve shëndetësore për ekzaminimet që janë pjesë e skemës
Mjekët e shpjegojnë me faktin se pacientët nuk ndjekin procedurat ligjore të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, e cila u njeh të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kështu, pacientët nuk ndjekin mënyrën e vizitave sipas të cilave ata duhet të vizitohen njëherë te mjeku i lagjes. Më pas është mjeku i lagjes që duhet t’i drejtojë ata tek specialisti dhe ky i fundit e drejton pacientin në spitalin qendror nëpërmjet një autorizimi. Vetëm në këtë mënyrë pacientëve do t’u njihet libreza shëndetësore dhe do të përfitojnë vizitën falas apo do të paguajnë vetëm dhjetë për qind të vlerës së kryerjes së vizitës.
6. Mashtrimet për sëmundjen dhe kurimi i gabuar
Shpeshherë mjekët, me vetëdije të plotë, e tragjedizojnë sëmundjen, duke njoftuar pacientin se dyshojnë për sëmundje të rëndë. Për këtë arsye ata u rekomandojnë pacientëve të bëjnë një numër të lartë vizitash, duke i rekomanduar të shkojnë te mjekët përkatës. Në këtë mënyrë qarkullimi i parave do të jetë “mes kolegësh” dhe “nderi kthehet me nder”. Kështu, sorollatja që u shkaktojnë pacientëve kushton shumë para të humbura për të sëmurin dhe mjaft fitime për mjekët.
7. Moskujdesja për pacientin nëse mjekët janë të keqpaguar
Në rastet kur pacientët nuk i ofrojnë shumë para mjekëve, ata nuk tregojnë kujdes për gjendjen e tyre shëndetësore. Madje edhe infermierët nuk kryejnë kujdesin e nevojshëm për të gjithë pacientët e shtruar. Në shumicën e rasteve pacientët shprehen se gjatë marrjes së serumit, nëse infermierët nuk kanë marrë 500 lekë në dorë, i shpojnë disa herë me age, duke e justifikuar se nuk është kapur damari i duhur.
23 Tetor 2008