E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenar Ahmeti "hyn" me armë në gjykatë

Një incident ka ndodhur dje
në ambientet e Gjykatës së
Shkallës së Parë të Tiranës.
Gjyqtari që shqyrton çështjen në
ngarkim të Krenar Ahmetit, shef i
qarkullimit rrugor të Tiranës, për
veprime arbitrare, nuk ka lejuar
këtë të fundit të jetë i pranishëm
në seancë me armën pistoletë
që mban me vete. Burimet nga
gjykata thanë se gjyqtari i ka kërkuar
kryepolicit të Tiranës të heqë
armën dhe më pas të zhvillojë një
proces gjyqësor normal. Nga ana
tjetër, Krenar Ahmeti ka deklaruar
se nuk ka pasur asnjë incident,
por këto janë vetëm keqinformime.
Po sipas burimeve nga
gjykata, pas këtij incidenti, seanca
gjyqësore është shtyrë. Megjithatë,
Ahmeti ka deklaruar se armën
e ka dorëzuar kur ka hyrë në sallën
e gjyqit dhe e ka marrë sërish
kur ka dalë. "Iu nënshtrova gjithë
procedurave dhe nuk pati asnjë
incident. Për këtë mund t‘u referoheni
edhe raporteve të gjykatës.
Madje mund t‘ju them se seanca
gjyqësore nuk u shty për një
shkak të tillë qesharak dhe aspak
të vërtetë, por për arsye procedurale",
ka deklaruar i bindur
Krenar Ahmeti. Megjithatë, procedura
e gjykatës është që brenda
ambienteve të saj nuk duhet të
lejohet asnjë person i armatosur,
veç policëve të shërbimit. Ndaj
Krenar Ahmetit është hapur një
gjykim, pasi dy shtetas e akuzojnë
atë për veprime arbitrare gjatë
ushtrimit të detyrës. Shkak është
bërë kallëzimi penal i prokurores
Elizabeta Bajri dhe bashkëshortit
të saj avokat. Ngjarja për të cilën
akuzohet Ahmeti ndodhi më 17
maj në bulevardin "Dëshmorët
e Kombit" në Tiranë. Atë natë
prokurorja dhe bashkëshorti i
saj, Agron Bajri, dyshohet se janë
shoqëruar me forcë me urdhër
të shefit të qarkullimit rrugor të
Tiranës, Krenar Ahmeti, ku janë
mbajtur të paktën 3 orë. Pas
incidentit, të dyja palët akuzuan
njëra-tjetrën. Prokurorja pretendoi
se automjeti ku ndodhej dhe
që drejtohej nga i vëllai ishte ndaluar
në mënyrë arbitrare dhe pa
asnjë shkak. Punonjësi i policisë
së qarkullimit rrugor, i cili kishte
kryer ndalimin e mjetit, sipas
pretendimit të saj kishte kryer
veprime që shkelnin etikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›