Infeksionet në spitale, mungojnë dezinfektantët
Infeksionet spitalore në spitalet tona mbeten ende në shifra të larta, për shkak se mungojnë dezinfektantët. Sipas mjekut kirurg Arben Gjata, infeksionet spitalore për ndërhyrje kirurgjikale të komplikuara arrijnë në 38 %. “Kirurgjia, duke qenë se ka ndërhyrje, ka më shumë agresivitet dhe rreziku është më i madh për të patur infeksione të plagës, të enëve të gjakut, infeksione urinare apo të mushkërisë. Masa e infeksionit nga operacionet e pastra që shkojnë 2%, në operacionet më të komplikuara ku plaga ka qenë e infektuar që para operacionit, shkon deri në 38%. Mbetet prapë një problem shumë i madh që duhet zgjidhur dhe kërkon përmirësime të vazhdueshëm”, - thotë Gjata. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka monitoruar për rreth 1 vit infeksionet spitalore në të gjithë vendin dhe ka konstatuar se mungojnë dezinfektantët dhe nuk respektohet as norma më e thjeshtë higjienike, siç është larja e duarve. Sipas studimit, infeksionet spitalore tejkalojnë normat europiane, me të paktën 30% të rasteve më shumë. Kjo ka bërë që të shtruarit, përveç sëmundjes nga e cila vuajnë të marrin në spital nga një deri në dy infeksione të tjera. Specialistët e ISHP-së veçojnë si steril vetëm Pavijonin e Kardio-Kirurgjisë në QSUT, ndërkohë që Onkologjiku dhe ORL-ja janë dy shërbimet ku infeksionet rezultojnë në shifra më të larta, për shkak të mungesës së higjienës së mjekëve apo dezinfektimit të sallave dhe dhomave.