Kontroll tregjeve, Basha marrëveshje me Rulin
Basha: Bashkia e Tiranës nuk do të mbyllë më sytë para problemeve që konsumatorët në këtë qytet hasin ditë përditë
Bashkia e Tiranës nis aksionin për mbrojtjen e konsumatorëve nga mungesa e sigurisë ushqimore dhe spekulimet me çmimet. Pas ngritjes së Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Bashkia e Tiranës nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për të rritur forcën dhe cilësinë e kontrollit të autoriteteve në drejtim të respektimit të standardeve të produkteve dhe të të drejtave të konsumatorit në Tiranë. Dy institucionet nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për monitorimin e sigurisë së ushqimit si dhe ushtrimin e detyrave, për kontrollin e respektimit të normave higjieno-sanitare dhe tekniko-teknologjike, në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve. Ky memorandum ka si qëllim angazhimin e ndërsjellë të palëve, në ushtrimin e koordinuar të funksioneve të tyre respektive, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim monitorimin e sigurisë ushqimore si dhe respektimit të normave higjieno-sanitare dhe tekniko-bioteknologjike, në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve nga operatorët e biznesit ushqimor, që ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë. Për Bashkinë e Tiranës, marrëveshja u firmos nga nënkryetari Edmond Panariti, ndërsa për Ministrinë e Bujqësisë, nga drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Genc Juka. “Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk do të ndërhyjë asnjëherë në rregullat e tregut të lirë, por nuk do të tolerojë askënd që abuzon me cilësinë, çmimin dhe parametrat e tjerë të shërbimit ndaj qytetarëve të Tiranës. Ajo që është e rëndësishme dhe kemi diskutuar shpeshherë me ministrin Ruli para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është që kjo marrëveshje, jo vetëm që nuk mund të mbetet një dokument në letër, por duhet të jetë më shumë sesa shuma matematike AMK plus AKU”, - tha kryebashkiaku pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ai ka shpjeguar se për të pasur rezultate konkrete, së pari do të ketë një kontroll sistematik, të shtrirë në të gjithë territorin e Bashkisë, dhe së dyti do të merren në konsideratë edhe ankesat e qytetarëve.