E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në QSUT, kapen 1 milion euro ilaçe të skaduara

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-10-2011 11:45

Ministria e Shëndetësisë ushtron kontrolle në QSUT. Pëllumb Pipero: “Janë gjetur një sasi medikamentesh të fshehura tek Shërbimi i Onkologjisë”. Punonjësit e Onkologjikut: “Ilaçet e skaduara janë përdorur dhe shitur te pacientët”

Thellohet më tej skandali me barnat në spitalin më të madh të vendit “Nënë Tereza”. Madje këtë herë, mungesa e ilaçeve në këtë spital do të konsiderohej si problemi më i vogël që rëndon mbi kurrizin e pacientëve, nëse do të krahasohej me marrjen e barnave afër apo jashtë afatit të skadencës, që në rastin më ekstrem u janë përdorur edhe të shtruarve në shërbime. Ky fenomen i vjetër në QSUT, i cili është përfolur edhe nga bluzat e bardha të këtij spitali është konstatuar tashmë edhe nga drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët, pas një kontrolli të ushtruar në shërbime të ndryshme kanë evidentuar 1 milion euro ilaçe të skaduara, apo të blera jo në përputhje me nevojat e spitalit. Por, skandali shkon përtej kostos së lartë financiare, pasi medikamentet e skaduara janë kapur në përdorim për pacientët e disa shërbimeve në QSUT. Ky shqetësim është ngritur së fundi edhe nga punonjës të Shërbimit Onkologjik, të cilët kanë bërë të ditur se në farmacinë e këtij spitali ka një sasi të konsiderueshme barnash të skaduara, të cilat në disa raste jo vetëm që u janë dhënë për përdorim të sëmurëve të shtruar në këtë pavijon, por edhe u janë shitur si alternativat më të mira kuruese për sëmundjen. Ndërkaq, drejtuesit e Shëndetësisë bëjnë të ditur nuk bëhet fjalë vetëm për Onkologjikun, pasi në afera të tilla korruptive duket se janë përfshirë edhe shërbime të tjera brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që kanë të bëjnë me blerje të medikamenteve afër datave të skadencës. Deri tani nuk ka ende një reagim nga drejtoria e QSUT-së, për këtë gjendje barnash stok dhe vënien e tyre në dispozicion të pacientëve, por bëhet fjalë për medikamente të shtrenjta që përdoren për sëmundje ku vdekshmëria është e konsiderueshme. Përtej heshtjes së vazhdueshme të drejtorisë së QSUT-së lidhur me abuzimet me barnat, tashmë situata duket më serioze se kurrë, pasi skandali i fundit në këtë spital është “kapur” nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët bëjnë të ditura edhe detajet. “Janë gjetur një sasi medikamentesh të fshehura te Shërbimi i Onkologjisë. Është bërë bazë edhe për lëvizje të drejtësisë. Po kështu janë vërejtur shumë mangësi në lidhje me medikamente të skaduara, të ruajtura, apo të paasgjësuara në kohën e duhur dhe të mbajtura në pavijone, me të cilat mund të abuzohet. Janë vërejtur medikamente që janë blerë pa destinacion, që do të thotë se kush ka bërë shkelje, kush nuk ka administruar medikamente sipas rregullores, do të mbajë përgjegjësi, qoftë administrative, qoftë penale”, - deklaron drejtori i Politikave Shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kontrolli është ende në proces dhe në fund do të ketë të tjera ndëshkime, në varësi të shkeljeve. Grupi i punës në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon me evidentimin e lëvizjes se këtyre medikamenteve nga farmacia qendrore e spitalit në ato të shërbimeve dhe më pas lëshimin e recetave nga mjekët. Ajo që duket tashmë është se rrjeti i mjekëve dhe farmacistëve të arrestuar pasi vidhnin barnat në QSUT ka qenë vetëm maja e ajsbergut të abuzimit me ilaçet. Ndërkohë, që dy ditë më parë, numri i të ndaluarve nga Onkologjiku shkoi në pesë persona së bashku me tre të arrestuarit e mëparshëm që nxirrnin barnat për përdorim spitalor në tregun e farmacive private.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›