“Fakulteti i Mjekësisë duhet të formojë mjekë të denjë”
Tema e ditës në Arsimin e Lartë së fundmi, është cilësia e mësimdhënies. Kjo në mënyrë që të prodhohen specialistë të fushave të ndryshme sa më të aftë dhe të përshtatshëm për tregun e punës. Në Fakultetin e Mjekësisë që "prodhon" jo thjesht specialistë të një fushe, por profesionistë që kanë në dorë jetën e qytetarëve, cilësia e mësimdhënies është akoma edhe më e rëndësishme. Gjithçka e shpjegon në intervistën e tij për gazetën, profesori i vjetër i këtij fakulteti dhe akademiku, Bashkim Resuli.
Kohët e fundit po flitet e diskutohet kudo për cilësinë e të mësuarit, universitetet tona dhe sigurimin e standardeve në to. ç' mund të thoni ju për këtë problem të ndjeshëm, nisur nga përvoja e gjatë pedagogjike në Fakultetin e Mjekësisë?
Shqetësimet e ngritura e të diskutuara gjerësisht mbi cilësinë e të mësuarit dhe sigurimin e standardeve të kërkuara në shkollat tona të larta, mendoj se janë të përligjura e tepër dobiprurëse. Në këtë problem tejet të rëndësishëm e me impakt të pallogaritshëm shoqëror duhet të përfshihet, madje sa më shpejt të jetë e mundur, dhe ai i të mësuarit në fakultetin tonë. Qëllimi madhor i shkollave të larta mjekësore ka qenë e mbetet pa dyshim ai i formimit të plotë e me performancën e duhur profesionale i mjekëve të ardhshëm, për të zgjidhur si duhet morinë e situatave të ndërlikuara të praktikës mjekësore dhe për të mbuluar me sukses të gjitha nevojat e shoqërisë në këtë fushë. Tashmë është pranuar gjerësisht se didaktika tradicionale e të mësuarit, pavarësisht përpjekjeve serioze e të pandalshme për ta përsosur gjithmonë e më shumë, nuk arriti të realizojë e të sigurojë efektivitetin e kërkuar në formimin e mjekut të ri. Pikërisht për këtë arsye, procesi i të mësuarit në Fakultetin e Mjekësisë ka pësuar ndryshime thelbësore, që lidhen para së gjithash me përqendrimin e tyre te situata klinike apo problemi ("problem based learning" ), metodë që ka dëshmuar qartazi përparësinë e saj në procesin delikat të formimit të mjekut të ri. Nocionet, konceptet apo idetë bëhen realisht pjesë e të mësuarit dhe e formimit profesional, kur prezantohen e analizohen në kuadrin e një situate apo konteksti të caktuar klinik. Vetëm kështu arrihet që të sigurohet mundësia e shkëlqyer dhe tepër e çmuar e të diskutuarit dhe e shkëmbimit të ideve, e hamendësimeve, e pranimit apo e kundërshtimit të mendimit të tjetrit, e tejçimit të njohurive, e realizimit të sintezës së vyer dhe e gjetjes më së fundi të rrugëve që sigurojnë zgjidhjen e problemit. Njohuritë e përftuara kësisoj janë pa dyshim shumë më solide e shumë më të qëndrueshme. Të mësuarit e bazuar tek problemi, e përfshirë fillimisht në kurrikulat e Fakultetit të Mjekësisë, u shtri gradualisht më tej edhe në shumë fusha të tjera, sikurse në atë të arkitekturës, inxhinierisë apo sociologjisë.
çfarë nënkupton konkretisht kjo mënyrë e të mësuarit?
Të mësuarit e bazuar te problemi ka të bëjë në fakt jo vetëm me atë se çfarë duhet të mësojë studenti, por edhe me atë se si duhet të mësojë ai. Thelbi i didaktikës që po analizojmë është konkretisht mënjanimi i memorizimit të lodhshëm e jo kurdoherë të dobishëm të informacioneve të veçuara, pra të mësuarit pasiv dhe zhvillimi e formimi në vend të saj i logjikës klinike, përmes të mësuarit aktiv, krijues e të pavarur. Kjo lloj metode, e drejtuar nga pedagogu i motivuar, i përkushtuar e me ekspertizën e duhur klinike, në formën e dialogut sokratik, nxit pa dyshim së tepërmi procesin e të menduarit e të arsyetuarit, evokon aftësitë e studentëve për të reflektuar, vlerësuar e rivlerësuar, hipotezuar e për të krahasuar hipotezat e shtruara, duke u bërë kësisoj pjesë e zgjidhjes së problemit dhe e vendimmarrjeve të shumta e të lidhura me të. Kështu, duke u ndjerë "personi i duhur" për zgjidhjen e situatës klinike, studenti do përpiqet të jetë sa më i saktë e i besueshëm para pedagogut e shokëve të grupit, përmes thellimit të gjithanshëm të njohurive teorike e shprehive praktike. Nga ana tjetër, në një kontekst të integruar, kontributet e shkencave bazike të përfituara gjatë ciklit të parë të studimeve, gërshetohen fuqishëm e bindshëm me konceptet klinike, duke bërë kështu të mundur zhvillimin e mendimit "tridimensional" dhe sigurimin e asaj që vlerësohet me plot të drejtë si më e vyera, sintezën e logjikshme klinike.
Cilat janë sipas jush, përparësitë dhe mangësitë e të mësuarit së bazuar te problemi?
Krahas përfitimit e konsolidimit të njohurive mjekësore përmes të mësuarit aktiv, krijues e sintetizues, didaktika që po analizojmë ofron e siguron njëherazi edhe sjellje të tjera të çmuara, sikurse punën në grup, aftësinë komunikuese, marrjen e përgjegjësive, vet-vlerësimin e njohurive të fituara, ndarjen e informacionit apo respektimin e mendimit të të tjerëve. Studenti i largohet në këtë mënyrë gjithmonë e më shumë mendimit e gjykimit të cektë, standard e të "ngurtë", duke përmirësuar kësisoj ndjeshëm aftësinë për të analizuar e sintetizuar, interesin dhe kënaqësinë për subjektin apo problemin, e për rrjedhojë, performancën e vyer profesionale. Të mësuarit e bazuar te problemi nxit nga ana tjetër studentët për të rikujtuar e rifreskuar njohuritë e tyre të mëparshme e për të siguruar me çdo kusht informacionin e ri përmes të gjitha rrugëve të mundshme (teksteve, internetit, kumtesave, konferencave apo dhe mendimit të ekspertëve), e për rrjedhojë, për të shtrirë përfitimin në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pacientin apo problemin. Përqëndrimi tek situata klinike forcon përmëtepër ndjeshëm përgjegjësinë e të mësuarit të thelluar e të bazuar shkencërisht përgjatë gjithë aktivitetit të ardhëshëm mjeksor. Eksperienca e deritanishme ka treguar së fundi se didaktika e mësuarjes së bazuar tek problemi është më e pranueshme dhe më e dashur për studentët dhe se mjekët që e kanë zhvilluar e praktikuar atë gjatë viteve të fakultetit të mjeksisë kanë hyrë më të qetë e më të sigurtë në praktikën e vshtirë mjeksore dhe janë komportuar më mirë me problemet e shumta e me përgjegjësi të saj. është vërtet e trishtë kur mëson se 40% e mjekëve të rinj ( në disa vënde të njohur ) do të rivlerësonin seriozisht vendimin për të ndjekur fakultetin e mjeksisë po t'i krijohej edhe një herë mundësia dhe se 20% të tjerë nuk ishin të kënaqur me profesionin. Ndër të tjera, rol të rëndësishëm në këto qëndrime të lëkundura ka pa dyshim dhe performanca e dobët apo e munguar klinike. Përveç dëshirës dhe formimit kulturor të studentit, efektiviteti i të mësuarit të bazuar te problemi varet pa dyshim së tepërmi, si nga përzgjedhja e duhur e situatave klinike, ashtu edhe nga motivimi dhe ekspertiza e pedagogut drejtues.
çfarë vështirësish mendoni se paraqet implementimi i metodës së bazuar te problemi dhe se a duhet mënjanuar krejtësisht të mësuarit tradicional?
Implementimi i përvojave të reja, ashtu si në çdo fushë, edhe në procesin e të mësuarit përballet natyrshëm me vështirësitë e hapave të para, vështirësi që zbehen e zhduken thuajse tërësisht me kohë përmes fitimit të eksperiencës së duhur. Nisur nga fakti se në klinikat e shërbimet tona universitare ka pedagogë me eksperiencë të kënaqshme klinike dhe aktivitet të gjatë akademik, jam i prirur të besoj se didaktika në fjalë mund të implementohet me sukses, ca më tepër që elementë të veçantë të saj njihen e zhvillohen nga disa pedagogë. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mund të them se vlerësimet e kujdesshme dhe afatgjata të të mësuarit në Fakultetin e Mjekësisë kanë dëshmuar qartazi nevojën e gërshetimit të logjikshëm të të mësuarit së bazuar te problemi me të mësuarit tradicional, gërshetim që realizon kënaqshëm integrimin e kërkuar të njohurive teorike të përftuara sipas programit mësimor me kontekstin klinik.