Vasili ngre task-force për cilësinë e ilaçeve, nisin kontrollet
Task-Force për kontrollin e cilësisë së barnave në të gjithë vendin. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka urdhëruar ngritjen e kësaj strukture dhe nisjen e kontrolleve që prej javës që vjen. Nisma u bë publike dje gjatë analizës vjetore të Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Taks Forca do të kontrollojë me rigorozitet cilësinë dhe origjinën e barnave që janë në treg. Do të merret komunikim me të gjithë mjekët, për të garantuar të gjithë qytetarët shqiptarë që janë konsumatorë të barnave të sigurta dhe me cilësi. Task Forca do të fillojë funksionin javën e ardhshme në mënyrë të pandërprerë. Në shërbim të saj do të jetë dhe struktura e farmakovigjilencës në ditët që do të vijnë, duke kompletuar kështu një aspekt të rëndësishëm. "I sëmuri dhe barnat janë të lidhur me njëri-tjetrin, pra një vizitë të pastër dhe profesionale nga njëra anë dhe barna të sigurta që të sigurojnë shëndetin nga ana tjetër, duke siguruar të gjitha mekanizmat e kontrollit dhe të shëndetit", deklaroi Ministri i Shëndetësisë. Ai ritheksoi edhe njëherë se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj fenomeneve korruptive në shëndetësi.
"Shëndetësia po përballet me dy sfida të reja të rëndësishme. Marrëdhënie e pastër mjek-pacient në njërën anë dhe tolerancë zero ndaj fenomeneve korruptive në kahun tjetër. Jemi të vendosur për të çliruar shërbimin shëndetësor nga çdo lloj percepsioni negativ", tha Vasili. Ai shtoi se në themel të këtij sistemi do të mbetet sistemi i referimit, që me fjalë të thjeshta do të thotë rruga e duhur ku kalon pacienti. "Një sistem shëndetësor normal nuk mund të bashkëjetojë në asnjë rast me asnjë element korruptiv. Ndarja jonë me këtë fenomen është përfundimtare dhe pa kthim pas. Shërbimi shëndetësor është pronë e profesionistëve, ku çdo nivel është i respektuar. Rezultatet e para të luftës antikorrupsion janë pozitive, por lufta do të jetë e pandalshme. Na duhen profesionistë të mirë që ecin në traditën më të mirë të shërbimit parësor", theksoi ministri. Shërbimi dinamik profesional, që t'iu përgjigjet kërkesave të qytetarëve ka kërkuar kreu i Shëndetësisë nga punonjësit e Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Vetëm pak ditë më parë, Vasili parashtroi planin e ri të veprimit për reformimin e sistemit shëndetësor. Prezantimi u bë gjatë takimit të radhës të task-forcës për shëndetësinë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha. Pikat kryesore të planit që prezantoi ministri janë dixhitalizimi dhe informatizimi i sistemit shëndetësor. Këto shihen si një prioritet madhor, që do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj të gjithë qytetarëve, duke zhdukur informalitetin në shëndetësi, duke luftuar korrupsionin e sjellë shërbimet më afër qytetarit. Ndërkaq një pikë e rëndësishme e këtij plani është përllogaritja e kostove në shërbimin shëndetësor spitalor. Po kështu me prioritet shihet respektimi dhe forcimi i Sistemit të Referimit, edukimi në vazhdim i punonjësve të shëndetësisë, akreditimi i institucioneve shëndetësore.