E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do aplikohet tatimi për individët



nertila maho

Vetëdeklarimi do të shërbejë në formalizimin e ekonomisë dhe transparencën e plotë mbi të ardhurat e çdo qytetari. Kjo sipas zv.drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Besnik Nuredini, ka një seri aspektesh pozitive. Ai thekson se vetëdeklarimi nuk lind vetëm si detyrim i një vendi anëtar të NATO-s që synon BE-në, por si një përmbushje detyrimi ndaj qytetarëve të cilëve do t'u njihen shpenzimet dhe tatimet e paguara tepër, të cilat do të rimbursohen nga shteti duke mos lënë mënjanë eliminimin e abuzimeve që mund të vijnë si efekt i mosdeklarimit. Nga ana tjetër, vetëdeklarimi nuk është i vetmi impenjim i DPT-së që do të zbatohet sapo të vendoset me ligj. Objektiva të tjera janë realizimi i një performance sa më të mirë tatimore për të ardhurat, si dhe pajisja e plotë me kasa fiskale e biznesit të vogël, pasi ai i madh tashmë e ka mbyllur këtë pjesë.
Kohëve të fundit është komentuar vendimi i Qeverisë për deklarimin personal edhe të qytetarëve të thjeshtë? ç'mund të na thoni lidhur me këtë pikë?
Ky deklarim nuk është në kuptimin e të ardhurave personale, siç i kemi ne sot mbi pagën. Kjo është një eksperiencë botërore që e kanë gjithë vendet dhe ka si qëllim formalizmin e ekonomisë. Le të marrim si shembull Maqedoninë, si vend fqinj. Në Maqedoni, kur kërkohej shembull praktik të jepnin shembullin e një arsimtari që kishte edhe një fermë lopësh që i mirëmbante. Nga këto lopë, ai prodhonte qumësht që e shiste dhe me këto ai krijon një sasi të ardhurash, por ai nuk është biznesmen. Të ardhurat që ai realizon në një vit të dhënë, janë të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet dhe të ardhurat nga aktivitetet e tjera ndihmëse që ka. Këto në fund të vitit, ai i deklaron në formularin që plotëson. Po kështu, ai deklaron edhe sasinë e shpenzimeve që ka kryer gjatë një viti, flasim këtu për shpenzime që njihen si të tilla. Të gjithë këtë deklaratë, ai e bën me qëllim që nesër kur ky person të bëjë një aktivitet, të ngrejë një shtëpi apo të hapë një dyqan, deklarimi nuk është i nevojshëm të kërkohet sepse tashmë është gati dhe aty tregohet dhe mënyra se si sigurohen këto të ardhura. Në mënyrën që bëhet vetëdeklarimi, personit nuk i lind më nevoja të tregojë sa të ardhura ka dhe si i ka siguruar. Këtë vetëdeklarim po e bën edhe Maqedonia dhe ne nuk mund të mbetemi pas në kohën kur synojmë BE-në. Jemi vend anëtar i NATO-s dhe duhet ta bëjmë, por unë mendoj që kjo përveçse si një detyrim që na lind do të ketë shumë anë pozitive.
Cilat shpenzime do të përfshihen te pjesa e rimbursimit?
Nuk ka specifikim konkret për momentin, por e rëndësishme për ne është që të vijmë te pjesa e parë, pra të kemi të sakta të ardhurat që një person fizik në Shqipëri ka dhe ai do t'i specifikojë ato vetë në deklarim personal. Do të jetë, ai që do të vendosë të gjitha të dhënat për të ardhurat duke filluar nga paga e punës apo edhe të ardhura të tjera që mund të realizohen jashtë kësaj pune përmes një aktiviteti tjetër fjala bie, ai mund të jetë këshilltar juridik në një firmë private, përkthyes. Ne sot kemi shumë profesione të lira siç janë topograf, inxhinier, arkitekt, konsultor pa folur për dentist, laborant, kemi mjek që punojnë 8 orë në një spital, por gjen kohë për të punuar edhe një klinikë, për llogari të një të licencuari tjetër dhe kjo është një e ardhur që është fshehur dhe vetë personi është shumë i interesuar që ta deklarojë. Kjo e formalizon njeriun punonjës, formalizon një veprimtari. Të gjithë merren me aktivitete dytësore, por nuk kanë mundësi ta deklarojnë.
Si është shembulli tipik në botë, si aplikohet vetëdeklarimi?
është e njëjta praktika. çdo individ deklaron të ardhurat dhe shpenzimet gjatë një viti. Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve prapë tatohet sepse në atë kohë ky është një tatimpagues. Nëse ka të ardhura që merr nga paga, të ardhura dytësore, apo tretësire, të gjitha këto mbi bazën e shpenzimit që ka bërë individi, dhe atij i ngel në numrin e tij të llogarisë, një sasi që tregon diferencën, kjo diferencë do të tatohet. Normalisht nuk do të jetë sistemi i takës së sheshtë, por do të jetë niveli kaskadë i taksës së deklarimit. Duke qenë se duhet të jetë sistemi kaskadë, pra ai që ka më shumë lekë do të tatohet ndryshe ai që ka më pak. Ky është sistemi i zgjedhur dhe ky zbatohet.
A do të sjellë ky deklarim i të ardhurave dytësore apo tretësore dëmtim të disa kategorive të dypunësuara, siç janë mjekët apo mësuesit që japin kurse, të cilëve nuk ju lejohet puna e dytë nëse punojnë në shtet?
Kjo varet se si e sheh. Në konceptin tim, ligji nuk penalizon askënd. Kjo varet se sa i përfshirë je në aktivitetin dytësor. Pavarësisht kësaj, unë mendoj që kjo ka më shumë aspekte pozitive. Le të marrim rastin e një pune dytësore, për të cilën një person paguhet me honorar. Po të shkosh te llogaria financiare e biznesit, që bën pagesën për punën tënde të dytë, kjo nuk evidentohet. Ai të paguan por të mban 10%-in tënd, që është tatim burimi, por që kjo nuk evidentohet askund. Personit të punësuar do t'i interesonte shumë që këto lekë t'i marrë të patatimuara nga punëdhënësi, sepse atij nuk i evidentohen si tatim i paguar dhe në këtë mënyrë të përfitojë nga vendimi.
Z. Nuredini si kanë qenë të ardhurat për tatimet gjatë dy muajve të parë të këtij viti?
Lidhur me dy mujorin, sa i përket realizimit për 2010-ën në raport me planin ka një deficit. Ne kemi thënë dhe herë të tjera në takime publike, që plani i 2010-ës është një plan shumë ambicioz i Qeverisë i miratuar në Parlament. Ka një rritje goxha të madhe me faktin e vitit 2009, rreth 16% por sigurisht viti 2010- nuk është viti më i mirë, sidomos tremujori i parë sepse ka qenë një dimër mjaft i vështirë edhe për popullatën. Krahasuar me dymujorin e një viti më parë, jemi pak më pak se realizimi i 2009-ës. Realizimi i këtij dy mujori ndaj planit është 93%, por ky është një dymujorësh shumë i vështirë. Në lidhje me punën e bërë gjatë 2010 ka një rritje të madhe të numrit të bizneseve që janë futur në skemën tatimore. Kjo tregon që është bërë shumë kujdes nga ana jonë, për të futur gjithë bizneset në skemën e tatimeve. është një nga detyrat kryesore që ka caktuar vetë Kryeministri. Detyrat e vitit 2010 ose objektivat janë kalimi i bizneseve që kanë shumën e xhiros mbi 5 milionë, për t'i futur në skemën e TVSH-së, pra biznese të vogla por tatimpagues TVSh-je, rritje e performancës së administratës dhe e treta çështja e pajisjes me kasa fiskale e të gjithë bizneseve.
Meqenëse po flasim për kasat. A është bërë pajisja e gjithë bizneseve?
Ne kemi pajisur pothuajse 100% me kasa fiskale biznesin e madh, të cilët bëjnë transaksion në "cash" dhe janë rreth 11 mijë kasa. Ka filluar pajisja me kasa e biznesit të vogël, e cila përfundon më 30 qershor dhe në lidhje me kasat që janë instaluar ka filluar të bëhet deklarimi përmes sistemit informatik. Kuptohet që kryqëzohen të dhënat që japin ata me faturat që bëjnë dhe të dhënave që dorëzojnë në sistemin tonë informatik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›