E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Mjekësisë shkel ligjin, bllokon zgjedhjet

06/05/2009  Zgjedhjet për vendet vakante

Shkeljet e konstatuara, Universiteti i Tiranës përplaset me Ministrinë e Arsimit

Pranvera Kola

Çelja e raundit të dytë të zgjedhjeve në universitete për postet e mbetura vakante është kthyer sërish në burim konflikti ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit.

Shkak për këtë janë bërë shkeljet e konstatuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor për Institucionet e Arsimit të Lartë, si dhe bllokimi i procesit nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë.

Ky institucion nuk ka pranuar të zhvillojë zgjedhjet për anëtarët e këshillit të Fakultetit, pasi vendet e mbetura bosh ky këshill i kishte eliminuar, duke shkelur kështu ligjin e arsimit të lartë. Ndërsa në fakultetet e tjera përbërëse të UT-së zgjedhjet për 10 drejtuesit e rinj të departamenteve janë zhvilluar normalisht, pritet vetëm nxjerrja e rezultateve për kandidatët që do të shpallen fitues.

Përplasjet

Pas mbylljes së procedurës së votimeve dy ditë më parë për dhjetë departamente fakultetesh, drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor për Institucionet e Arsimit të Lartë kanë bëre publike gjatë ditës së djeshme një sërë shkeljesh nga Ministria e Arsimit. Specialistët pohojnë se bazuar në procedurën e votimeve të përcaktuara edhe në ligjin e arsimit të lartë, thuhet se është kompetencë vetëm e ministrit Fatos Beja që të reagojë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor teksa asnjë vartës tjetër në këtë dikaster nuk mund të marrë përsipër këtë gjë. Lidhur me këtë çështje drejtori i KQZI-së Ervin Demo ka pohuar: “Zonja Elida Hoxha nuk ka tagrin ligjore që të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve. Pse? Sepse është e parashikuar në rregulloren e zgjedhjeve se autoriteti që ndërhyn në zhbllokimin e procesit zgjedhor është ministri i Arsimit me akte nënligjore.” Megjithatë, ky komision pritet të hartojë raportin e plotë, të cilin do ta depozitojë pranë rektorit Dhori Kule. Më pas pritet të merret një vendim zyrtar se si do të veprohet në lidhje me shkeljet e konstatuara. Ndërkohë nga Ministria e Arsimit s’ka pasur asnjë reagim në lidhje me deklaratën e bërë nga komisioni i zgjedhjeve. Sipas ligjit, “organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm votave për t’u shpallur fitues”.

Bllokimi

Ajo çfarë është cilësuar si më problematike për sa përket shkeljes së ligjit të arsimit të lartë, është vendimi i dekanit të Fakultetit të Mjekësisë për moszhvillimin e procesit zgjedhor pranë këtij fakulteti. “Pasi Fakulteti i Mjekësisë është vënë në dijeni për sa i përket procesit zgjedhor që duhej të mbahej në Këshillin e Fakultetit, sepse ka disa anëtarë që janë të pazgjedhur ose janë vende bosh, dekani i Fakultetit, duke u bazuar në atë çfarë parashikon rregullorja, ka detyrim të vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe nuk ka të drejtë të bëjë interpretime nëse ka zgjedhje apo nuk ka zgjedhje.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›