E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakulteti i Muzikës dhe “reforma” e deformimeve



Prof. dr. Fatmir HYSI
U bënë gjashtë muaj nga përfundimi i zgjedhjeve në Fakultetin e Muzikës dhe ndryshe nga premtimet e stafit të zgjedhur, asgjë (ose thuajse asgjë) nuk ka lëvizur nga gjendja që ishte; përkundër, janë shtuar problemet; është shtuar numri i studentëve që mbeten në provime dhe marrëdhëniet e mosbesimit mes punonjësve kanë dalë në rendin e ditës. Në një situatë të tillë unë edhe mund të heshtja e të prisja, por nëse do të bëja kështu dhe nëse do të heshtnin të gjithë, do të na mbyste atmosfera e zhgënjimeve; do të pengohej integrimi aq i diskutuar i shkollës në sistemet evropiane dhe ne vetë do të bëheshim, nga premtimet e pambajtura, qesharakë. Përpara disa ditësh më takoi një ish student nga Kosova dhe më tha që ishte i merakosur pse atje nuk po e njihnin diplomën e Fakultetit tonë. S’dija çfarë t’i thosha, sepse në thelb, arsyetimin e atjeshëm e gjeja të drejtë. Në krahasim me strukturat që propozon procesi i Bolonjës, diploma jona kishte rreth gjashtë lëndë më pak se ajo e institucionit homolog kosovar dhe kjo nuk ishte një gjë normale; aq më tepër që një mospërputhje e tillë te ne ishte korrigjuar më parë dhe u prish vetëm kur stafet e reja e gjetën “të padrejtë” korrigjimin. “Për inat të sime vjehrre” ata hoqën arbitrarisht nga programi 5-6 lëndë (me pedagogët përkatës), të cilat ishin shumë pranë strukturave të ngjashme evropiane dhe i jepnin mundësinë Fakultetit të përfaqësohej me standarde të përafërta. Lind pyetja: Pse duhej ta prishnin? Pse vazhdojnë edhe sot të prishin dhe pse përpiqen ta motivojnë prishjen me “shërbimin ndaj reformave”? Dekani i ri i Fakultetit, z. Sokol Shupo, do të gjente dhjetëra përgjigje formale për çështjen dhe me prirjen e tij autoritariste për t’i quajtur përgjigjet të padiskutueshme, atë do ta quante të mbyllur; por ky do të ishte ndër hapat e para të deformimeve, sepse në një universitet të arteve nuk është vetëm dekani që vendos dhe jo çdo gjë që thotë ai është detyrimisht e drejtë dhe e pakundërshtueshme. Me llafe ai krijon përshtypjen sikur mendon për “Bolonjën”, por vetë “Bolonja” e skicuar mbi bazën e kundërshtimeve e të inateve personale, nuk e kapërcen dot kufirin e Dushkut dhe as atë të Divjakës. Në këtë rast, “Bolonja” e Dekanit është një amalgamë grumbullimesh “pa inventar” nga sisteme të pavarura universitare dhe nga kjo pikëpamje mund t’i shërbejë vetëm atij, si dëshmi për të thënë se “kam qenë jashtë shtetit” dhe se “kam parë botë me sy”. Kuptohet, një qëndrim i tillë është i mjaftueshëm për të krijuar përshtypjen sikur punohet, por nuk është i tillë, kur shohim që ende jemi shumë larg nga Evropa e “Bolonjës” dhe e reformave. Për të arritur atje do të duhej një mendësi tjetër; do të duheshin konsultime të hapura profesionale për të përfituar nga sisteme konkrete e të qarta; nga gjurmë të thjeshta e të zbatueshme në terrenin shqiptar. Përkundër këtyre dekani i sotëm i fakultetit propozon (lexo: urdhëron) të krijohet një lëndë e re në planin mësimor dhe kjo të bëhet sipas një libri që ai e ka gjetur diku dhe e ka përkthyer në shqip, libër që do të duhej ta mësonin ata që synojnë ta japin lëndën mësim. Natyrisht, askush nga ata që kanë punuar e punojnë në universitetet e Shqipërisë e të të gjithë botës, apo në çfarëdo strukture tjetër më të ulët se këto, nuk kanë parë e dëgjuar që drejtori t’i kërkojë profesorit të gjejë një libër çfarëdo dhe me atë të krijojë një kurrikul. Kurrikula nuk është thjesht një libër, qoftë edhe i sjellë nga jashtë shtetit. Ajo është një shprehje e harmonizuar e materies specifike me dijet e tjera të të gjithë sistemit. Ndërkohë, ja edhe një çështje tjetër. Pa u shqetësuar nga rrjedhojat e qëndrimit më sipër, dekanati vazhdon ta trajtojë “reformën” të deformuar, edhe në drejtimin formal. Ai, “Big brother” del në terren dhe vendos të vëzhgojë e të kontrollojë me vëmendje gurët e shahut, studentët e profesorët dhe t’u heqë atyre të drejtën (t’i depersonalizojë) të komunikojnë përmes njoftimit të drejtpërdrejtë të rregullit; shkëmbimit të opinioneve, vërejtjeve e lavdërimeve reciproke e plot praktikave të tjera që ofron shkenca e edukimit në të gjithë botën. Në këtë kuadër ai angazhohet të harxhojë letër e bojë pa llogari për të aplikuar një nga mënyrat më të rëndomta të kontrollit: atë të gjurmimit mosbesues të punonjësve. Sipas porosive të tij profesorët nuk duhet të mbajmë regjistër, as stilolaps, madje as çantë, sepse mund të ndodhë që, sipas Dekanit, ata të jenë gënjeshtarë dhe mund të mos vijnë në mësim; apo mund të mos u venë mungesa studentëve kur mungojnë sepse, gjithmonë sipas Dekanit, profesori është hileqar dhe ai s’mund t’i zërë besë kollaj. Historia vazhdon me fletët që çdo profesor duhet t’i marrë në sekretari me emrat e studentëve; t’ua çojë atyre t’i firmosin për të treguar që janë prezent dhe pas kësaj t’i kthejë te dekani me emrat dhe firmat e secilit. (Kuptohet, në një regjim të tillë fytyrat nuk kanë rëndësi; as shenjat e tjera të identitetit, sjelljet dhe çdo gjë tjetër). Dekani është i kënaqur sepse i ka venë të gjithë në radhë dhe s’do të dijë nëse nga 30 studentë që kanë qenë prezent, firmosin në letër 70. Por, ti lemë “shakatë” dhe të sjellim një tjetër fakt. Një vajzë e re, e talentuar ka përfunduar dy vjet më parë Akademinë e Arteve me medalje të artë e me katër gjuhë të huaja, të cilat i përdor sikur t’i kishte gjuhën e saj. Më pas ka kryer një Master me rezultate të shkëlqyera dhe ndërkohë ka shkruar libra e leksione për studentët e ka marrë pjesë në konferenca shkencore brenda e jashtë Shqipërisë, duke përfaqësuar me dinjitet vlerat e një brezi të ri shqiptar, të talentuar e me ambicie. Kjo vajzë, pra, ka dy vjet që punon pranë fakultetit të Muzikës dhe me shpresën e politikave të ditës, bën një kërkesë për t’u emëruar definitive, në të njëjtën punë që tani e kryen si e jashtme. Me këtë kërkesë, unë besoj se ajo ka qenë brenda logjikës së shtetit, sepse konvertimi i saj dhe i të tjerëve nga pedagogë të jashtëm, në efektivë, do të sillte vetiu përmirësimin e raporteve dhe do t’i hapte rrugën përmirësimeve të tjera konceptuale e formale të shkollës. Por sërish nuk do ai, dekani. Atij nuk i pëlqen, sepse ajo nuk bën pjesë në rrethin e zgjedhur të spiunëve, nevojtarëve, të të paaftëve. Një emërim të mundshëm ajo do ta çmonte vetëm si rrjedhojë e politikave shtetërore dhe nuk do t’ia dinte për nder dekanit. Këtë ai e di, prandaj, duke kompromentuar politikat e shtetit dhe kujdesin e posaçëm të vetë kryeministrit për këtë çështje, sajon prioritete fiktive për Fakultetin e Muzikës, “prioritete” që nuk lidhen fare me nevojat “e Bolonjës” e të kërkimit shkencor, por që lidhen, sidoqoftë, me të ardhmen “e sigurt” të dekanit dhe pushtimin nga ana e tij, të të gjithë territorit “muzikor” të fakultetit. Vendet e punës që propozon dekani janë pesë shoqërues në piano dhe një lexues i partiturave të muzikës, specialitete për të cilët mund të hapej ndonjë vend, por në asnjë rast nuk do të mund të ishin ndër prioritetet e Fakultetit. Ndërkohë, reflekset intelektuale të Bolonjës, me kurrikula të tilla të reja si sociologjia e muzikës, paleografia, akustika, muzika moderne, historia e jazz-it e të tjera, (në fillim të shkrimit përmenda që u hoqën nga Dekani arbitrarisht), këto do të kërkonin forca efektive profesorale, të tilla që të ishin pjesë organike e proceseve të reformimit. Arbitrariteti dhe hileja këtu duken sheshit, por Dekani është nga ata njerëz që nuk “dorëzohen” kollaj. Me inatin e hidhur të njeriut që urren edhe lumin pse rrjedh, ai do të shpalosë kundërshtimet e tij “shkencore” ndaj këtij shkrimi e ndaj meje personalisht (këtë e ka bërë edhe më parë): kundërshtime të tipit që “unë jam i paaftë”; që “unë, profesor-doktori i vjetër i Akademisë, me disa tituj të botuar brenda e jashtë Shqipërisë, jam i korruptuar”; që “mua, ish Rektorin e Akademisë dhe ish Shefin e Departamentit të Shkencave të Muzikës, nuk më pranojnë jashtë shtetit as për të pastruar nevojtoret” dhe plot e plot “argumente” të tjera, që vetëm një mendje si e tij mund t’i krijojë. Ani, le të thotë ç’të dojë; ne jemi të gjithë së bashku, pavarësisht se dekani sillet sikur të ishte vetëm ai dhe përpiqet të krijojë idenë se është i mbrojtur nga ministri apo hallka të tjera të shtetit. Me mënyrat e tij “të moderuara” përballë të mëdhenjve dhe ato mospërfillëse e autoritare ndaj vartësve, ky dekan mund të prishë çfarë të mundë, por s’do të mundet t’i prishë të gjitha; Fakulteti do të jetë, do s’do ai dhe mund të jetë në shembujt më të mirë që ofrojnë modelet e “Bolonjës” evropiane. Puna është që ne vetë duhet të jemi më të vendosur e më të ndershëm në aksionin e progresit, sepse në të kundërt, në mos qofshim të tillë, ata që sot po lindin s’do të mund ta fshehin neverinë që do t’u ngjallin në të ardhmen, mbetjet e kërmijve të jargëzuar që zvarriten!

Shënim:
Gazeta “Albania” është e hapur ndaj kujtdo që dëshiron të reagojë në lidhje me debatin e nisur nga Prof. dr. Fatmir HYSI dhe i siguron të interesuarit se do t’u vërë në dispozicion hapësirën e nevojshme.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›