Kriza ekonomike, shtrenjtohen të gjithë sektorët dhe bien shitjet
Kriza e rritjes së çmimeve ka dhënë efektet e para në ekonomi. Instituti i Statistikave vëren se puna ka rënë në sektorët kyçë të tregtisë, transportit, ndërtimit dhe industrisë përpunuese. Ndërtimi ka pësuar rënien më të madhe me 27,9 për qind. Rritja e çmimeve për materialet e ndërtimit ka shtrenjtuar kostot dhe ky fakt ka sjellë një frenim të këtij sektori. Në tregtinë me pakicë rënie kanë pësuar shitjet e materialeve shtëpiake. INSTAT-i vëren se rritja e çmimit të karburanteve ka sjellë një rënie të lehtë të konsumit. Rënia e shitjeve është faktori kryesor, i cili ndikon në rritjen ekonomike. Nëse kjo situatë do të vijojë me këtë ritëm, atëherë vihet në pikëpyetje objektivi i qeverisë për një rritje ekonomike prej 6 përqindësh. Në zonën e Myzeqesë shumë prej fermerëve i kanë lënë pa korrur drithërat e bukës për shkak të kostos së lartë. Për 1 dynym tokë, që nga punimi e deri te korrja fermerit i duhet të shpenzojë mbi 20 mijë lekë. Ndërsa në këtë sipërfaqe, sipas tyre, nuk merren as 4 kuintalë grurë. Pronarët e autokombajnave thonë se në shumë raste janë detyruar të punojnë “me listë”. Kur tashmë fushata e korrje-shirjeve duhet të ishte në përfundim, në qarkun e Fierit, mijëra ha të mbjella me grurë janë ende të paprekura.
27 Qershor 2008