Peshkimi, anijet përjashtohen nga akciza e karburantit kur e blejnë
Kuvendi miratoi dje në seancë parlamentare projektligjin për një shtesë dhe ndryshim në ligjin "Për akcizat". Sipas këtij ligji, do të zbatohet një skemë e re e furnizimit me gazoil të anijeve të peshkimit, duke i përjashtuar ato nga pagesa e akcizës në çastin e blerjes. Anijet e peshkimit subjekte të TVSH-së do të furnizohen nga magazinat doganore me gazoil pa akcizë, në bazë të faturës së shitjes së peshkut. Kjo skemë është në përputhje me praktikat e vendeve të tjera dhe me direktivat e Bashkimit Europian dhe është mbështetur nga grupet e interesit. Pritet që kjo skemë e re të ndikojë në uljen e kostos, si dhe në rritjen e prodhimit e të eksportit në sektorin e peshkimit. Efekti negativ prej rreth 444 milionë lekësh në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj skeme, do të kompensohet nga efektet pozitive që pritet të vijnë nga zgjerimi i veprimtarisë së subjekteve të peshkimit. Sipas ligjit ekzistues, anijet e peshkimit furnizohen me gazoil, pasi kanë paguar vlerën përkatëse të akcizës dhe më pas rimbursohen nga organet tatimore për vlerën e akcizës së paguar. Kjo skemë nuk ka funksionuar mirë dhe blerja e gazoilit me çmim më të lartë se në vendet e tjera fqinje, ka ndikuar në rritjen e kostos, reduktimin e eksportit dhe favorizimin e importit të produkteve të peshkimit.
Energjia, 10 kompani tregojne interes për kaskadën e Vjosës
Në Ministrinë e Ekonomisë kanë mbërritur kërkesat e para për shfrytëzimin e kaskadës së lumit Vjosë, për ngritjen e hidrocentraleve. Janë rreth 10 kompani të interesuara për të investuar në këtë zonë. Tashmë është nënshkruar një marrëveshje me kompaninë franceze të konsulencës “SOGREAH”, e cila ka lidhur kontratën përkatëse me Ministrinë e Ekonomisë, për të bërë studimin për kaskadën e lumit Vjosa, me qëllim përcaktimin e rezervës hidrologjike të saj. Studimi i kapaciteteve hidrike në këto burime ujore, ende të pashfrytëzuara për prodhim energjie, pritet të çelë rrugën investimeve për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj edhe në zonat jugore të vendit. Interesimi mjaft i madh deri tani për investime në këtë lumë tregon për një besim që ka ardhur duke u rritur nga ana e investitorëve të huaj në lidhje me sektorin e energjisë elektrike. Janë rreth 27 kontrata të lidhura deri tani për hidrocentrale të reja në të gjithë vendin, por jo të gjithë kompanitë vendase kanë paraqitur projekte serioze. Shkaku kryesor i mungesës së seriozitetit është i lidhur edhe me mungesën e eksperiencës në fushën e ndërtimeve të hidrocentraleve nga ana e këtyre kompanive që operojnë në tregun vendas. Pikërisht në këtë drejtim është vënë re se gjithnjë e më shumë këto subjekte u kanë besuar projektet e tyre kompanive të huaja.
27 Qershor 2008