E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit, kërkesë qeverisë: “Indeksoni çmimet ose rrugët mbeten përgjysmë”



Ervin Koçi

Rritja e madhe e çmimeve ka prekur edhe sektorin e ndërtimit, duke rritur së tepërmi koston e tij, si dhe duke shtrenjtuar materialet e ndërtimit, të cilat kanë ndikuar në kosto dhe cilësi. Nga kjo situatë puna në ndërtimin e veprave publike rrezikon të ndërpritet për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve në këtë sektor. Këtë fakt e kanë paralajmëruar të gjitha firmat e ndërtimit, që kanë lidhur kontratat me shtetin në ndërtimin e veprave infrastrukturore e sidomos të rrugëve. Kompanitë e ndërtimit të sektorit të infrastrukturës i kërkojnë qeverisë që të indeksojë çmimet, ndryshe nuk do jenë në gjendje të përfundojnë rrugët e nisura në cilësinë dhe afatet e kërkuara. Në një letër dërguar ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, kompanitë e ndërtimit në infrastrukturë i kërkojnë qeverisë të indeksojnë çmimet të cilat janë shumëfishuara kohët e fundit, “ndryshe, - shkruhet në letër, - kompanitë nuk do jenë në gjendje të plotësojmë detyrimet kontraktuale". Këtë shqetësim e kanë shprehur dje përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve, që i kanë vënë një afat ministrit për të reaguar.

Shtrenjtimi i materialeve

Ndryshime të ndjeshme në ndërtim kanë pësuar çimentoja, hekuri, bitumi nafta etj., që janë produkte bazë ose lëndë të para, me të cilat punon sot sektori i ndërtimit në vend. Këto mallra janë rritur me gati dyfishin e çmimeve që nga fundi i vitit 2007, të cilat janë raportuar edhe në indeksin e çmimeve të lëndëve ndërtuese të paraqitura pak ditë më parë nga INSTAT-i. Nisur nga kjo situatë kompanitë e ndërtimit në infrastrukturë janë përballur me një dyfishim të kostos së ndërtimit nëpër veprat që ata kanë marrë në kontraktim me shtetin, duke bërë që t’u bien fitimet. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi, tha se, “kjo rritje e jashtëzakonshme çmimesh nuk mund të përballohet nga kompanitë, prandaj është e domosdoshme të bëhet indeksimi i çmimeve për kontratat që janë lidhur”. Sipas Bumçit, një ndër problemet më shqetësuese për ecurinë e punimeve, por dhe një faktor për përfundimin e rrugëve të nisura është rritja e madhe e çmimeve të naftës, bitumit, çimentos, hekurit, etj, që janë rritur nga 21 deri në 110 për qind, që nga fundi i vitit. Gjithashtu Bumçi shtoi se rritja galopante e çmimeve të materialeve të ndërtimit ka dhënë efekte në uljen e ritmeve të ndërtimit deri në ndërprerje, paaftësi paguese të lartë, si dhe vështirësi në realizimin e grafikëve të punimeve. Më konkretisht, nafta nga 108 lekë është bërë 145.8 lekë, hekuri nga 420 euro/toni është bërë 820 euro/toni, prodhimi i vendit dhe 920 euro/toni ai i importit, këto pa TVSH. Bitumi nga 31 lekë/kg është bërë aktualisht 43.75 lekë/kg, çimentoja nga 83.3 lekë/kg është bërë 87.5 lekë/kg. Ky, sipas SHNSH-së, është një problem që e kanë të gjitha firmat e ndërtimit, por rëndon më shumë në firmat e infrastrukturës, që punojnë në bazë të kontratave me shtetin.

“Ultimatumi” i ndërtuesve

Në letrën që kompanitë e ndërtimit i kanë drejtuar ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, ato kërkojnë angazhimin e institucioneve për të dhënë një përgjigje për indeksimin e çmimeve, deri më datë 5 korrik 2008. Ndryshe kompanitë e infrastrukturës nuk do jenë në gjendje të plotësojmë detyrimet kontraktuale. Sipas ndërtuesve, në të gjitha segmentet e tenderuara kompanitë po punojnë intensivisht për të bërë të mundur realizimin e investimeve, por sërish problemi më i madh me të cilin përballen kompanitë janë ecuria e punimeve dhe rritja e madhe e çmimeve të naftës dhe lëndëve të para. Ndërkohë, përveç mobilizimit të firmave të ndërtimit, përfaqësuesit e SHNSH-së kërkojmë edhe mbështetjen e gjithanshme të pushtetit vendor, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Ministrisë dhe qeverisë, për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë dalë gjatë zbatimit që nga shpronësimet, ndryshimet në projekt, spostimi i linjave elektrike ekzistuese etj. Shqetësimi është i madh sidomos për të gjithë firmat e infrastrukturës që kanë lidhur kontratat vitin e kaluar. Kjo rritje e jashtëzakonshme çmimesh nuk mund të përballohen dot nga kompanitë, prandaj është e domosdoshme të bëhet indeksimi i çmimeve për kontratat që janë lidhur.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›