E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë kufizimet e energjisë, disa zona të Tiranës pa drita deri në 4 orë



Kufizimet e energjisë elektrike kanë rinisur sërish, me gjithë premtimet e KESH-it se këtë verë nuk do të kishte të tilla. Energjia elektrike, përveç zonave rurale dhe të brendshme të vendit, ka nisur që të mungojë edhe në bregdet dhe në zona të tjera turistike, pa lënë mënjanë edhe kryeqytetin. Ky i fundit është përfshirë gjatë javës së fundit nga ndërprerje disaorëshe, të cilat Korporata i ka justifikuar me riparime të linjave të ndryshme. Por edhe pse një pjesë e mirë e qendrës së Tiranës është zhytur në ter edhe gjatë orëve të mbrëmjes, Operatori i Sistemit të Transmetimit pranë Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë, vetëm dje është kujtuar që të njoftojë qytetarët për ndërprerjet. Sipas njoftimit të bërë nga KESH-i, një pjesë e mirë e kryeqytetit dje, përgjatë gjithë paradites, mbeti pa energji elektrike për shkak të një remonti në Nënstacionin e Sharrës. Njoftimi u bë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit pranë Korporatës Elektroenergjetike, edhe pse prej kësaj Korporate kohë më parë është deklaruar se Nënstacioni i Sharës, në afërsi të Kombinatit në Tiranë, kishte pësuar një remont total dhe ishte bërë i ri. Megjithatë, dje energjia elektrike ka munguar në zonat e Kombinatit, Selitës, Tiranës së Re dhe zonës së ish-Bllokut. Ndërprerjet kanë përfshirë oraret nga 10:00 e mëngjesit deri në 14:00 në drekë. Ndërkohë po si pasojë e avarive në rrjetin elektrik, edhe qyteti i Gjirokastrës dhe fshatrat përreth mbetën në “balck-out” që prej mesnatës të së mërkurës. Kjo ndodhi pas një defekti të rëndë në nënstacionin elektrik. Transformatori kryesor në nënstacionin e vjetër elektrik të këtij qyteti shpërtheu në flakë dhe doli jashtë përdorimit. Drejtues të rrjetit të shpërndarjes nisën menjëherë marrjen e masave për zëvendësimin e tij dhe riparimin e defektit. Në nënstacion shkuan gjithashtu edhe specialistë nga Tirana, Saranda e Gjirokastra dhe kanë nisur punën për të montuar transformatorin e ri që është nisur nga Tirana. Aktualisht vetëm Ujësjellësi dhe spitali po furnizohen me energji. Mësohet se transformatori që doli jashtë përdorimit ishte në punë që prej vitit 1964.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›