E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudi Vata: “Klubi i Tiranes më ka 75 mijë dollarë borxh”

Menaxheri shqiptar i FIFA-s dhe një nga legjendat e futbollit shqiptar, Rudi Vata, ishte të mërkurën në mbrëmje i pranishëm në ndeshjen ndërkombëtare Shqipëri-Holandë, ndërsa paraditen e djeshme ai shkoi në Federatën Shqiptare të Futbollit për të takuar presidentin e saj, Armand Duka, për t'i shprehur këtij të fundit shqetësimet e tij në lidhje me mospagimin nga ana e klubit të futbollit "Tirana" të një shume totale prej 75 mijë dollarësh. "Albania-sport" kontaktoi dje me ish-kapitenin e Kombëtares. "Kam fituar prej tre vjetësh një gjyq kundër klubit të Tiranës, më saktë më 6 tetor 2004, por nga ana e Përmbarimit ende nuk është zbatuar vendimi i formës së prerë për dëmshpërblimin tim", - tha Vata, i cili shton se në rast se dhe FSHF-ja nuk do të ndikojë te klubi anëtar i saj, ai do t'i drejtohet FIFA-s, në rast se nuk do të marrë paratë që i detyrohet Tirana. "Po pres që drejtuesit e klubit të më paguajnë, në rast të kundërt me ndihmën e avokatit tim do të zbatoj të gjitha procedurat ndërkombëtare për t'ia bërë me dije UEFA-s dhe FIFA-s". Ish-kapiteni i Shqipërisë ka luajtur me skuadrën bardheblu për një fazë kampionati, në bazë të kontratës së nënshkruar më 19 shtator 2002 me presidentin e atëhershëm, El Sayed Metwally. Pas largimit nga Tirana, Vatës nuk i është shlyer një pjesë e detyrimeve dhe ai i është drejtuar gjyqit, duke paditur klubin bardheblu, të përfaqësuar nga El Sayed. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë i ka dhënë lojtarit të drejtën e marrjes së parave nga ana e presidentit egjiptian, megjithëse ky i fundit kishte paditur klubin dhe jo personin. Vendimi është apeluar dhe Gjykata e Apelit, më 6 tetor 2004, ka lënë në fuqi vendimin për shlyerjen financiare të ish-futbollistit, vecse duke ndryshuar paguesin. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit, klubi i Tiranës duhet t'i paguajë Rudi Vatës shifrën 40 mijë dollarë, si diferencë e shpërblimit të papaguar nga shuma prej 130 mijë dollarë, për të cilën ai kishte rënë dakord me El Sayed; shumën prej 25 mijë dollarë, për pagat e papaguara nga 5000 dollarë në muaj, për muajt shtator 2002 deri janar 2003; shumën prej 75 mijë lekësh, si shpërblim i papaguar për ndeshjet e fituara. Vendimi për shumën e përgjithshme 65 mijë dollarë dhe 75 mijë lekë është marrë që më tetor 2004, por Rudi Vata ende nuk është paguar. "Vetëm në Shqipëri ndodh kështu", - përfundon Rudi Vata.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›