Faleminderit z.Kryetar, Të nderuar kolegë deputetë! Objekt i këtij mocioni prek një çështje me të vërtetë të ndjeshme dhe po kaq të rëndësishme për opinionin publik dhe shtetasit e
Faleminderit z.Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë!
Objekt i këtij mocioni prek një çështje me të vërtetë të ndjeshme dhe po kaq të rëndësishme për opinionin publik dhe shtetasit e Republikës së Shqipërisë, duke qënë pjesë e rëndësishme organike dhe e pandarë e proçeseve tona të përafrimit dhe integrimit europian. Kjo çështje ka të bëjë njëherësh me një nga parimet më të qënësishme të sistemit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.Çdo e drejtë apo liri që bën pjesë në këtë sistem cungohet ndjeshëm nëse nuk mbështetet në komponentin e së drejtës dhe lirisë së qytetarit brenda apo jashtë venmdit të vet. Nisur nga ky koncept parimor dhe nga nevojat praktike të gjithësecilit për të qarkulluar dhe lëvizur lirisht më duhet të pohoj se të gjitha qeveritë shqiptare, pas rënies së sistemit komunist, kush më shumë e kush më pak, kanë bërë përpjekjet e veta për të institucionalizuar në rrugë bilaterale dhe shumëpalëshe një regjim të lehtësuar lëvizjeje për jashtë shtetit për qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Edhe pse e drejta e lëvizjes së lirë të çdo qënieje njerëzore figuron në dispozitat e para të të gjitha akteve juridiko-ndërkombëtare, që trajtojnë aspekte të ndryshme të të drejtave të njeriut, për shtetasit e një numri të madh vendesh vazhdon të mbetet ende një mollë e ndalueme, si çështje në diskrecion të autoriteteve kompetente të shteteve në të cilët shtetasit tanë do të udhëtojnë.
Pra, objektivisht çështja për të cilën flasim është tepër e vështirë, sepse, siç u tha, nuk ka të bëjë vetëm me dëshirën apo me përpjekjet e strukturave tona shtetërore.
Megjithatë, përvoja e vendeve të tjerë tregon se brenda legjislacionit të shteteve të Schengenit (sepse efektivisht në përmasat e tyre ndeshen më tepër barriera), ka hapsira që mund të shfrytëzohen në interes të krijimit të lehtësirave të lëvizjes së lirë. Prandaj edhe ngritjen e kësaj çështjeje në këtë mocion për debat nga të nderuarit deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokrate, zotërinjtë Qazim Tepshi, Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Saimir Curri e Ilir Berzani, e konsideroj si një shqetësim të ligjshëm dhe në të njëjtën kohë edhe si kontribut të përgjegjshëm për të eksploruar së bashku mundësitë eventuale për të hedhur hapa përpara në këtë drejtim.
Qeveria që unë drejtoj, e vetëdijshme për domosdoshmërinë e krijimit të hapësirave të nevojshme për qarkullimin e lirë legal të shtetasve, si një ndër oportunitetet e nxitjes së zhvillimit të vendit dhe përshpejtimit të proçeseve integruese, ka bërë përpjekje të vazhdueshme në të gjitha drejtimet. Ajo ka identifikuar se çështja në fjalë është veçanërisht komplekse dhe, siç u tha, nuk ka të bëjë vetëm me ne. Është një çështje që ngërthen aspekte të brendshme e ndërkombëtare, legale, institucionale, financiare, praktike, etj.
Kur them se ajo është një çështje me karakter juridiko-ndërkombëtar, kam parasysh nevojën e bashkëpunimit dhe arritjes së marrëveshjeve me shtetet e tjerë. Në se me vendet e Europës Lindore e Juglindore apo të tjerë në rajone më të largët ka pasur disa rezultate, për të cilat do të flas pak më poshtë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendet e sistemit të Schengenit.
Siç dihet, lëvizja në hapësirën e Schengenit e ka fillesën në Marrëveshjen e nënshkruar në 1985 nga Gjermania, Franca dhe vendet e BENELUX-it, që u shoqërua nga një numër i konsiderueshëm aktesh të mëvonshëm, të cilët hodhën bazat ligjore për krijimin e një hapësire, ku çdo qytetari të Bashkimit Europian iu njoh e drejta për të lëvizur dhe qëndruar në mënyrë të lirë në territorin e Shteteve anëtare. Madje Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (e shpallur si deklaratë në Samitin e Nisës, dhjetor 2000) parashikon se këto të drejta mund t'i akordohen dhe qytetarëve të shteteve të treta, duke plotësuar disa kushte lidhur me vizat dhe kërkesa të tjera të veçanta.
Nisur nga kjo mundësi juridike Qeveria shqiptare e ka vënë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në detyrat e saj parësore në axhendën e diskutimeve për proçesin e integrimit europian. Në fund të vitit të kaluar, me Urdhërin tim nr. 277, dt. 8/10/2002, u ngrit dhe vazhdon të funksionojë Grupi i punës "Për hartimin e planit të masave të qeverisë shqiptare për përmirësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve" nën drejtimin e ministrit të shtetit për Integrimin.
Synim primar i aktivitetit të këtij grupi është pikërisht eksplorimi i mundësive për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve tanë në vendet e Schengenit.
Grupi ka marrë në shqyrtim ekperiencat e mira të Rumanisë dhe Bullgarisë, të cilat janë më të avancuara se vendi ynë në drejtim të anëtarësimit në BE dhe kanë fituar të drejtën e qarkullimit të lirë në Schengen.
Ndërmarrja e një hapi të tillë edhe me Shqipërinë do të sillte një stabilizim më të madh në vend, forcimin e luftës kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar, sepse qytetarët tanë nuk do t'i drejtoheshin më rrugëve ilegale për të emigruar dhe nuk do të shërbenin me si "lëndë e parë" për trafikantët, por do të preferonin rrugët legale për kalimin e lirë të kufirit.
Kjo do të sillte jo vetëm reduktimin edhe më të trafikut të qënieve njerëzore, kontrollin me efikas të situatës së lëvizjeve të njerëzve ndërmjet kufijve, por do t'i krijonte mundësi akoma më të mëdha shtetit, për të goditur më fuqishëm trafiqet e ndryshme që realizohen duke përdorur kufijtë tokësorë dhe detarë.
Liberalizimi i vizave me vendet e Schengenit kërkon forcimin dhe kontrollin e kufijve, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, bashkëpunimin në fushën e doganave dhe kontrollin e integruar të kufijve, luftën kundër klandestinëve të huaj që kërkojnë ta shfrytëzojnë Shqipërinë si vend tranziti drejt vendeve të Bashkimit Europian si dhe ngritjen e një infrastrukture komplekse në qëndër e në bazë, që kërkon punë të kualifikuar, kohë dhe fonde të konsiderueshme financiare për t'u përballuar.
Realizimi i një progresi të pamohueshëm përsa i përket luftës ndaj emigracionit ilegal, politikës së vizave dhe kontrollit dhe menaxhimit të kufijve, është një hap dhe argument i besueshëm për t'i kërkuar BE-së amendimin e Rregullores së Këshillit të 15 Marsit 2001 në lidhje me "Listimin e vendeve të treta qytetarët e të cilëve duhet të pajisen me viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare dhe atyre vendeve qytetarët e të cilëve janë të përjashtuar nga kjo kërkesë".
Pozicionimi i Shqipërisë në listën e vendeve, qytetarët e të cilave duhet të pajisen me vizë për të qarkulluar në vendet e BE, ka kushtëzuar nevojën e hartimit të një plani masash për të përcaktuar elementët ku do të përqëndrohet puna e administratës shqiptare, veçanërisht e atyre sektorëve që kanë lidhje direkte me këtë proçes.
Ajo ka si pikë të parë çështjen e manxhimit dhe kontrollit të kufijve, që fillon nga plotësimi i bazës ligjore, ngritja e strukturave të përshtatshme, trajnimi profesional dhe efikasiteti i punës. Mund të thuhet se ekziston një kuadër i gjerë ligjor që përbëhet nga ligjet "Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë", "Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë", "Për të huajt", "Për azilin në Republikën e Shqipërisë, "Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me tonazh nën 20 NT" si dhe një tërësi aktesh nënligjore të miratuara në zbatim të legjislacionit të lartëpërmendur e që kanë të bëjnë me hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë.
Pjesë e këtij legjislacioni janë dhe strategjitë si Strategjia e Reformës në Polici, Strategjia Kombëtare e Luftës kundër Trafikut si dhe çka është më e rëndësishmja Strategjia e miratuar më datë 27.02.2003 "Për Kontrollin dhe Menaxhimin e Integruar të Kufirit" 2003-2006.
Ministria e Rendit Publik, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ministria e Punëve të Jashtme janë angazhuar për rivlerësimin e këtij legjislacioni, për të parë përqasjen e tij me standartet e BE-së dhe për rishikimin dhe amendimin e ligjeve "Për të huajt", "Për Azilin në Republikën e Shqipërisë" si dhe të akteve nënligjore që kanë të bëjnë me hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve, sipas rekomandimeve te dhëna nga Bashkimi Europian.
Ministria e Rendit Publik, Ministria e Financave dhe institucionet e tjera të përfshira janë ngarkuar me detyra konkrete që të vazhdojnë punën për arritjen e standarteve europiane nëpërmjet zhvillimit të një sistemi të analizimit të riskut (risk analysis) për menaxhimin e kufijve, i cili do të favorizojë qarkullimin e rregullt të shtetasve dhe sigurimin e kontrollit efektiv në pikat e kalimit kufitar.
Krahas proçesit të ristrukturimit të të gjitha pikave të kalimit kufitar, është në proçes kompjuterizimi dhe lidhja e tyre me sistemin qëndror pranë Ministrisë së Rendit Publik me qëllim qarkullimin dhe komunikimin e shpejtë të të dhënave në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë vazhdon instalimi në pikat e kalimit kufitar tokësor, detar apo ajror, i aparaturave për identifikimin e dokumentave të parregullta, zbulimit dhe survejimit, që parashikohet të përfundojë në maj 2006.
Ekzistojnë disa projekte edhe në kuadër të programit CARDS në lidhje me menaxhimin e kufijve dhe fuqizimin e strukturave të policisë kufitare.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe forcimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar për luftën kundër trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar dhe emigracionit ilegal, per çka vendi yne bashkëpunon me shumë vende mbi bazën e marrëveshjeve përkatëse. Kohët e fundit, siç është bërë e qartë me transparencën e nevojshme, këto marrëdhënie janë shtrirë edhe përsa u përket shërbimeve tona inteligjente, çka ka sjellë një rritje të efikasitetit të luftës sonë komplekse kundër këtyre fenomeneve.
Drejtime të tjera ku po punohet për arritjen e objektivit tonë për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirat Schengen janë edhe përmirësimi i legjislacionit dhe i efektshmerisë së punës në fushën e migracionit, azilit, marrëveshjeve të ripranimit të të huajve me disa vende anëtare ose jo të Bashkimit Europian dhe me vende të tjera per përafrimin gradual të politikës sonë të vizave me listën negative dhe pozitive të BE-së.
Përmirësimi i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë në Europë, kushtëzohet, ndër të tjera edhe me pajisjen e tyre me dokumenta identiteti të besueshme. Për të arritur në pajisjen e shqiptarëve me dokumenta të tilla, është planifikuar të ngrihet një sistem i tërë modern, i kompjuterizuar i regjistrimeve të gjendjes civile. Mbi këtë sistem të besueshëm të pajisjes së shtetasve me dokumenta identiteti (letërnjoftime), do të bazohet edhe nxjerrja e pasaportave për jashtë shtetit. Nga ana tjetër ekzistenca e një sistemi të tillë do të ofroje database-in që do të përdoret më shumë në të ardhmen, Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Ekzistenca e këtij regjistri do të krijojë besueshmëri në çdo lloj statistike, apo database, që përdor si burim të dhënat nga zyrat e gjendjes civile.
Për të arritur synimet e caktuara për modernizimin e këtij shërbimi, po punohet paralelisht për plotësimin e kuadrit ligjor të nevojshëm, ristrukturimin e Shërbimit të Gjendjes Civile, përmirësimin e dokumentacionit, kompjuterizimin e Shërbimit të Gjendjes Civile, kualifikimin e punonjësve etj.
Ngritja e Drejtorisë së Gjendjes Civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe miratimi i Paketës së re Ligjore për gjendjen civile, e përbërë nga ligji nr. 8950, datë 10.10.2002 "Për Gjendjen Civile"; ligji nr. 8951, datë 10.10.2002 "Për Numrin e Identitetit të Shtetasve"; ligji nr. 8952, datë 10.10.2002, "Për Dokumentin e Identitetit të Shtetasve Shqiptarë", shënuan një hap të madh përpara në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, do t'u krijojë mundësinë shumë përdoruesve të tjerë, si organeve tatimore, të doganave, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Institutit të Statistikave, organeve të drejtësisë, të mbrojtjes dhe shumë përdoruesve të tjerë private, që në bazë të një kuadri ligjor të përcaktuar, të kenë kopje të besueshme, të plota apo të pjesëshme të të dhënave të këtij regjistri. Kjo e gjitha do të jetë edhe më mirë në shërbim të menaxhimit më të mirë dhe bashkëkohor të problematikave të qeverisjes së vendit.
Në këtë mënyrë krijohet mundësia për lëshimin e dokumentave të identitetit me elemente sigurie sipas standarteve të Komunitetit Europian.
Në kuadrin e Programit CARDS 2003, është propozuar një projekt me vlerë rreth 1.milion eurosh me qëllim krijimin e një regjistri qëndror të kompjuterizuar të gjendjes civile i cili do të përfshijë të dhënat e rreth 390 zyrave të gjendjes civile në të gjithë Shqipërinë.
Megjithë përpjekjet e gjithanshme, ne jemi të ndërgjegjshëm se për shkak të vështirësive objektive të trashëguara edhe nga e kaluara si dhe të pengesave të shumta që kanë të bëjnë me krijimin e mentaliteteve moderne dhe sigurimin e fondeve të nevojshme për realizimin e shpejtë të objektivave që ne kemi vendosur e jemi të angazhuar seriozisht të arrijmë, rezultatet në këtë drejtim duken ende larg.Çdo kontribut i strukturave të tjera që kanë mundësi do të vlerësohej e mirëpritej nga ana jonë.
Në këto rrethana, qeveria ka bërë përpjekje të shumta për të siguruar lehtësi për lëvizjen e lirë të shtetasve tanë nëpërmjet rrugës bilaterale. Ndër rezultatet e arritura apo që priten do të përmendja:
Lëshimin e vizave të gjata Schengen nga Italia, e cila konfirmoi në fillim të këtij viti trefishimin e kontingjentit të vizave të gjata Schengen për personalitetet tona (nga 500 që ishte, u shtua ne 1500 viza). Automatikisht me viza të gjata pajisen edhe familjarët e këtyre personaliteteve (bashkëshortët dhe fëmijët).
Këto viza janë vënë në dispozicion për kategori të përzgjedhura personalitetesh të shoqërisë shqiptare nga fushat e politikës, kulturës, artit, sportit, biznesit, etj., në zbatim të Protokollit të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin mes dy vendeve të përfunduar në vitin 2002.
- Marrëveshjen me Bullgarinë
Në fund të vitit që shkoi hyri në fuqi marrëveshja e lehtësimit të vizave me Bullgarinë, e cila lehtëson pothuajse të gjithë kategoritë e personave.
- Marrëveshjen me Kroacinë, që ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2002. Në bazë të saj jepen me proçedura të përshpejtuara 1000 viza afatgjata me shumë hyrje dalje për individë të përzgjedhur. Për qytetarët e tjerë me këtë marrëveshje garantohet dhënia e përshpejtuar e vizave, brenda tre ditëve.
- Lehtësimin e vizave me Slloveninë, sipas bisedimeve të zhvilluara në qershor 2003, ku u ra dakord, që së shpejti Sllovenia të lëshojë viza afatgjata me shumë hyrje dalje për personalitete të shoqërisë sonë, shoferët e transporteve ndërkombëtare dhe të shkurtojë në maksimum dhënien e vizave për shtetasit e tjerë. Vizat për ta do të jepen brenda ditës.
- Lehtësime reciproke në lejimin e qarkullimit të njerëzve me Rumaninë, per çka është rënë dakord në bisedimet e fundit të vitit të kaluar.
- Është rënë dakord me Bosnjë - Hercegovinën dhe po përgatiten bisedimet në nivel ekspertësh për heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit dhe lehtësime për kategoritë e tjera
- Lehtësimin e vizave me Sllovakinë, e cila ka reaguar pozitivisht dhe pritet përfundimi i formaliteteve.
- Lehtësimin e vizave me Rusinë me të cilën është rënë dakort për bisedime në rang ekpertësh për lehtësimin e sistemit të vizave reciprokisht.
- Heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit dhe lehtësimi i rregjimit të vizave me Ukrainën, sipas marrëveshjes përkatëse, e cila është ratifikuar nga parlamentet respektive dhe ka hyrë në fuqi në fillim të marsit të këtij viti.
- Heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit me Serbinë dhe Malin e Zi (SMZ) në bazë të marrëveshjes përkatëse, e cila nuk ka hyrë ende në fuqi sepse nuk është ratifikuar nga parlamenti i këtij vendi.
- Përpjekjet për heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit me vendet komunitare, Kanadanë dhe Australinë, të cilave (veç Italisë dhe Greqisë) u janë paraqitur tashmë projekt marrëveshje dhe u është kërkuar shqyrtimi i heqjes së vizave për zyrtarët. MPJ njofton se ka reaguar pozitivisht në parim Kanadaja, por edhe vende të tjerë të BE-së janë në këtë proçes. Kështu është marrë pëlqimi në parim për heqjen e vizave diplomatike me vendet e Beneluksit. Pala belge ka përfunduar shqyrtimin teknik dhe ka dhënë përgjigje pozitive. Mbetemi në pritje të përgjigjes nga pala holandeze dhe luksemburgeze.
Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti janë kontaktuar qeveritë e vendeve të Amerikës Latine (12 vende, veç atyre që tashmë kemi marrveshje për heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit) dhe u është kërkuar heqja e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare. Ato kanë reaguar pozitivisht, ndërkaq janë duke u hedhur hapat përfundimtare me Kubën, Ekuadorin dhe Brazilin. Madje qeveria e Ekuadorit ka pranuar heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët tanë.
- Heqjen e vizave diplomatike me Zvicrën, me të cilën janë kryer të gjitha formalitetet për përfundimin e një marrëveshjeje për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike. Është marrë aprovimi zyrtar në parim, pritet mbyllja e formaliteteve të brendshme nga pala zvicerane.
Një drejtim tjetër ku është punuar seriozisht për gjetjen e hapësirave për lëvizjen e lirë, ka qënë edhe ai i nismave shumëpalëshe, ku mund të përmenden Pakti i Stabilitetit dhe Nisma e Detit të Zi, në të cilat është kërkuar dhe insistuar vazhdimisht lehtësimi dhe heqja e barrierave të vizave mes vendeve anëtare.
Lehtësimi i qarkullimit të të huajve në RSH
Në të njejtën kohë, për t'iu përshtatur më mirë tendencave të kohës, për rritjen e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave në Shqipëri, për t'i dhënë edhe më tepër impulse bashkëpunimit të subjekteve shqiptare me ato të huaj, për të favorizuar turizmin, në kuadrin e përpjekjeve që bën vendi për t'u integruar, u lehtësuan kushtet e hyrjes në RSH për të huajt nga disa vende. Së fundi u hoqën vizat për 11 vende fqinjë dhe kandidatë të BE. U hoqën gjithashtu vizat për zyrtarët italianë dhe rumunë me pasaporta shërbimi. Në sezonin e verës do të hyjnë pa vizë të huajt me kombësi shqiptare dhe nga vende fqinje në rajon. Në përgjithësi është lehtësuar rregjimi proçedurial për të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri.
Si konkluzion do të thosha se, duke u bashkuar me shqetësimin e të nderuarve deputetë që kanë kërkuar këtë mocion për debat, qeveria, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë e po bën për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve, është e ndërgjegjshme se në këtë rrugë do të ketë ende shumë punë. Për këtë arsye ajo mirëpret kontributet e gjithësecilit.
Ju faleminderit!