Falimenti, Tatimet dërgojnë në gjykatë 75 biznese
Administrata tatimore është e vendosur t‘i shkojë deri në fund pastrimit të tregut nga firmat fantazmë, që mbijetojnë duke marrë borxh te njëra-tjetra. Pas publikimit të listës së parë në shtator me 27 subjekte, drejtoria e përgjithshme thotë se numri i bizneseve në prag falimenti ka shkuar deri në 75. Drejtoria sqaron se nuk është qëllim në vetvete deklarimi i bizneseve të falimentuara, por duke respektuar ligjin, thjesht përgatitet dosja dhe dërgohet për shqyrtim në gjykatë. Kjo e fundit vendos mbi fatin e biznesit nëse do të vijojë apo jo aktiviteti. Viti 2009 vijon të jetë i vështirë për sektorin privat në vend. Mungesa e vazhdueshme e financimit nga bankat, ulja e xhiros, shtrenjtimi i kostos etj., kanë bërë që shumë biznese të ngrenë duart lart. Pak kohë më parë gazeta "Shqip" publikoi numrin e bizneseve që kishin deklaruar me vullnet të plotë mbylljen e aktivitetit, për arsye të ndryshme. Ndër to mësohet se janë rreth 50 ndërmarrje të prodhimit të veshjeve. Mbyllja e bizneseve gjatë vitit 2009 ka rritur ndjeshëm edhe numrin e të papunëve, që për tremujorin e dytë shënon nivelin e 11 mijë personave.
Tjetër proces i rëndësishëm në falimentin nga gjykata të një biznesi është edhe likuidimi i aseteve të tij, në mënyrë që të shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit, por edhe ndaj palëve të treta. Në këtë pikë ekziston një debat mes ekspertëve të fushës dhe vetë qeverisë. Shumë prej analistëve mendojnë se duhet të jetë vetë biznesi që të shpallë gjendjen e falimentit dhe jo qeveria përmes strukturave të saj. Kurse tatimet thonë qartë dhe shkurt se kush dorëzon bilanc me humbje për tre vjet rresht, atëherë futet në listën e subjekteve të falimentuara. Megjithatë, tatimet sqarojnë se jo për të gjithë vlen ky kusht, pasi ka shumë rëndësi dhe stadi i zhvillimit. Për disa biznese që kanë investuar vlera të larta, fitimi vjen pas një kohe më të madhe se tre vjet.