E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shqipëri nevojiten 162 ditë unë për të lidhur dritat

Lidhja e një linje të rregullt të furnizimit me energji të një biznesi të ri në Shqipëri kërkon deri në 162 ditë punë dhe një kosto të stërmadhe fikse, bëhet e ditur nga një studim i ri i Bankës Botërore, i quajtur "Si të marrësh energji", që kryhet në kuadër të studimit të Të Bërit Biznes. Studimi ka identifikuar pesë hapa drejt lidhjes së një kontrate të rregullt me kosto të stërmadhe prej rreth 22 mijë dollarësh, por problemi më i madh i identifikuar është koha që kërkon një lidhje e tillë.

Rruga

Dorëzimi i aplikimit për lidhje të re energjie dhe pritja për inspektim është hapi i parë në këtë rrugë, hap që nuk kushton ligjërisht asnjë lek, por mund të hajë deri në 40 ditë kalendarike (ditë pune). Të gjitha dokumentet e dorëzuara duhet të jenë origjinale ose të noterizuara. Një deklaratë konformiteti të rrjetit të brendshëm nga një inxhinier elektrik i licencuar është i nevojshëm. Pas kësaj, autoritetet duhet të kryejnë një inspektim të jashtëm, si dhe një vlerësim, i cili kushton 234 mijë lekë dhe kërkon 14 ditë kohë. Hapi i tretë kërkon hartimin e një skice inxhinierike të lidhjes së klientit të ri me rrjetin, skicë që duhet të miratohet nga Inspektorati Qendror Teknik. Përveç parave, problemi është se një procedurë e tillë kërkon plot 93 ditë kalendarike, sipas raportit të Bankës Botërore. Vetëm pas kësaj, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes mund të instalojë matësin e energjisë, procedurë që ha vetëm një ditë kohë. Kostoja totale e një lidhjeje të tillë është e barabartë me 6.2 herë PBB-në për frymë të Shqipërisë. Në vendet e zhvilluara, një lidhje e tillë mund të kryhet edhe brenda 50 ditësh, por në asnjë rast kostoja nuk është kaq e lartë sa në Shqipëri, me përjashtim të vendeve të Afrikës.

Studimi i Bankës Botërore merr parasysh faktin se çdo biznes i ri zor se mund të fillojë punë pa një lidhje elektrike. Konkluzionet e studimit u bazuan tek eksperienca e vetë kompanive të intervistuara në të gjithë botën. Kompanitë raportuan se çfarë u qe dashur të bënin për të fituar një lidhje elektrike me rrjetin kur filluan punë. Studimi mund të mos jetë i vlefshëm në rastin e Shqipërisë, ku një numër shumë i madh biznesesh kryejnë lidhje elektrike të jashtëligjshme dhe i legalizojnë më vonë apo paguajnë ryshfete të vogla për të kapërcyer procedurat ligjore më shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›