E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimentimet në Rusi nxisin protesta masive kundër Putinit

Nga Vladistoku në Shën Petërburg, rusët u janë drejtuar shesheve për të shfryrë dufin e mbledhur nga humbja e vendeve të punës, pagave të vonuara dhe kontrollin mbi makinat e importit

Kryeministri rus, Vladimir Putin, po përballet këto ditë me valën më serioze të protestave kundër lidershipit të tij që prej thuajse një dekade, me demonstrime që nisën në Lindjen e largët për t‘u përhapur me shpejtësi në rajonet provinciale të vendit. Gjatë pesë muajve të fundit, drejtuesit e autoveturave në Vladistok dhe Kabarovsk, në bregun e Paqësorit, kanë zhvilluar një seri protestash - në pjesën dërrmuese të paraportuara nga mediat - për shkak të një vendimi të Kremlinit për të rritur tarifat e importit për makinat e dorës së dytë që mbërrijnë nga Japonia. Shitja dhe servisi i automjeteve japoneze është një biznes me përmasa të mëdha dhe diktati i Putinit u pasua menjëherë nga një dallgë e ashpër protestash.

Masa e ndërmarrë nga Kremlini me qëllim promovimin e makinave si "Lada", ka shkaktuar pakënaqësi të forta, në një pikë gjeografike rreth 6100 kilometra larg Moskës. "Janë një tufë maskarenjsh", tha Roman Butov, ndërsa qëndronte pranë një vargu "Nissan"-ësh të pashitur. "Putin është njeri i keq, Medvedev është njeri i keq. Këtu, në Lindjen e largët nuk i pëlqejmë".

Butov, 33-vjeçar dhe i vëllai, Stasi, 25 vjeç, janë tregtarë makinash nga Kabarovski, jo shumë larg nga kufiri me Kinën. Terreni i tyre në periferi të qytetit është mbushur me makina të përdorura nga Japonia. Në këtë qytet të gjithë ngasin makina japoneze.

Ligji i ri mbi importet e Putinit kishte synim ringjalljen e industrisë ruse të autoveturave, e cila është prekur rëndë nga kriza globale. Por duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Ndërkaq, fabrikat në pjesë të tjera të Rusisë kanë falimentuar, duke shtuar ndjeshëm numrin e të papunëve, duke ulur ndjeshëm standardin e jetesës dhe duke ulur me 9.5% GDP-në e Rusisë për tremujorin e parë të këtij viti.

Revolta që nisi në Vladistok tani po përhapet në Rusinë Evropiane. Të martën e javës së shkuar, rreth 500 vetë në qytetin e vogël, Pikaljovo, bllokuan autostradën që të shpie në Shën Petërburg, pas mbylljes së fabrikës së çimentos së qytetit, që la pa punë 2500 veta. Në qytet janë mbyllur edhe dy fabrika të tjera. Protestuesit kërkonin pagat e prapambetura dhe rrethuan kryetarin e bashkisë. Vendosën të mos paguanin faturat e energjisë, gjë që shkaktoi ndërprerjen e ujit të ngrohtë nga autoritetet. Pas kësaj, protestuesit iu drejtuan rrugëve.

Nëpër provincat e varfëruara ruse Putin po përballet me trazirat më serioze civile që në çastin kur u zgjodh President, në vitin 2000. Gjatë dekadës së fundit, rusët pranonin të hiqnin dorë nga liritë në këmbim të kushteve më të mira të jetesës. Por tani ndrydhja e shoqërisë gjatë epokës së Putinit po nxjerr krye, dhe rusët e pakënaqur po u drejtohen rrugëve, duke rizbuluar kënaqësinë e protestës, si gjatë viteve nëntëdhjetë.

Ngjarjet e javës së shkuar në Pikaljovo krijuan një precedent të rrezikshëm për 500-700 monoqytetet e Rusisë - të gjithë të varur nga një industri e vetme. Kur fabrikat rrënohen, banorët mbeten krejtësisht pa para. E vetmja rrugë është protesta - duke ngjallur frikën e një dallge të gjerë trazirash sociale në të gjithë territorin e shtetit më të madh në botë.

Ajo që e bëri më të sikletshme për Kremlinin këtë ngjarje ishte se u zhvillua paralelisht me Forumin Ekonomik të Shën Petërburgut, një event i përvitshëm global që ka synim kryesor ekspozimin e fuqisë ekonomike ruse dhe pozicionimin e saj si një fuqi globale. Por, pas thuajse një dekade ku çmimet e naftës u ngritën në qiell - deri verën e shkuar - Rusia ka investuar pak në infrastrukturë, apo për të ndihmuar rajonet provinciale të varfra.

Protestat nisën dhjetorin e shkuar në çastin kur mijëra vetë nisën demonstratat në Vladistok kundër ligjit të ri mbi makinat e importit. Për të shuar protestën, Kremlini, i cili nuk kishte besim te forcat lokale të rendit, dërgoi forcat speciale nga Moska. Policia arrestoi dhjetëra protestues, madje u rrah edhe një fotograf japonez. Në Kabarovsk rreth 2 mijë shoferë zhvilluan një tjetër protestë, duke krijuar një varg të gjatë e të zhurmshëm me makina. Protestuesit tërhoqën një makinë të prodhimit rus të tipit "Zhiguli", ku kishin shkruar sloganin: "Dhuratë nga Putini". Hodhën të gjithë firmat mbi të dhe e lanë përpara ndërtesës së Partisë Rusia e Bashkuar (partia e Putinit).

Mes banorëve, mëria kundër Moskës po shtohet çdo ditë e më tepër. "Në Rusi nuk ka demokraci. Premtojnë shumë, por nuk dëgjojnë asgjë", thotë Butov, duke shtuar: "Medvedevi nuk është Presidenti im. Nuk është shfaqur kurrë në Lindjen e Largët". Parashikon se ngurtësia e Kremlinit mund të ketë pasoja edhe më të rënda: "Gjatë viteve të ardhshme mund të nisë një luftë mes Rusisë Lindore dhe Perëndimore".

Protestat vazhduan gjatë dhe demonstruesit nisën t‘u drejtoheshin rregullisht rrugëve të Vladistokut. Vazhdoi kështu deri muajin e shkuar. Rusët e Lindjes së Largët përdorin të gjithë vetura me timon në krahun e djathtë, të cilat importohen me çmime më të lira nga veturat me timon majtas të prodhuara në Rusinë Evropiane.

Deri kohët e fundit Kremlini ia ka dalë me sukses të mbajë nën kontroll shkallën e protestave, duke vënë në skenë një blackout mediatik të studiuar me shumë vëmendje. Por injorimi i demonstratave po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Në muajin prill, gazeta "Kommersant" raportoi se motoristët e zemëruar kishin bërë thirrje që Putini dhe Medvedevi të hidheshin në hapësirë, ndërsa të tjerë kishin hedhur një slogan edhe më piktoresk: "Putler Kaput!" (duke e krahashuar Putinin me diktatorin gjerman, Adolf Hitler). Autoritetet nuk mbetën shumë të kënaqura nga një veprim i tillë dhe nisën hetimet.

"Rusët janë njerëz shumë të durueshëm", thotë Juri Efimenko, historian dhe aktivist i të drejtave të njeriut nga Kabarovski, teksa qëndron në një kafe në buzë të lumit Amur, i cili shërben edhe si vijë kufitare me Rusisë e Kinës. "Kremlini nuk është parë ndonjëherë me dashuri, por dikur respektohej. Tani ai respekt është zhdukur. Njerëzit e shohin tani me shumë skepticizëm pushtetin qendror".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›