Falimentimi, Tatimet mbyllin me ligj 30 subjekte
DURRES/ OERD ULQINI
Një valë e fortë falimentimi godet biznesin durrsak. Mbi 30 sipërmarrje të mëdha dhe qindra të tjera të vogla në Rajonin e Durresit rezultojnë si të falimentuara nga Drejtoria e Tatim -Taksave. Klima e pafavorshme e krijuar prej më shumë se një viti në vendin tonë, fuqia e vogël blerëse, ulja e eksporteve si dhe efektet negative të krizës globale kanë bërë që bizneset private të tkurren në kufinjtë historikë. Efekt të menjëhershëm negativ ka pasur edhe mbarimi i sezonit veror, pasi në shtator fuqia blerëse e Durrësit është dy herë më e vogël se në gusht, (periudhë kur qyteti mbushet me emigrantë). Sipas burimeve mësohet se të falimentuarit janë subjekte që rezultojnë me humbje në bilancet e paraqitura për tre vitet e fundit në drejtorinë e Tatim–Taksave në Durrës. Lajmi konfirmohet nga drejtori rajonal i Drejtorisë së Tatimeve, Shkëlqim Fortuzi. “Në tre vitet e fundit ato biznese nuk kanë derdhur asnjë taksë, duke rezultuar debitore ndaj shtetit. Ndërmarrja e procedurave për falimentin është marrë në bazë të ligjit për procedurat tatimore, neni 30, i cili parashikon që këto subjekte të dërgohen në gjykatë për procedim. Është ky institucion i cili do të vendosë për mbylljen e tyre”, deklaroi drejtori i Tatim-Taksave në Durrës, Shkëlqim Fortuzi. Sipas numrit një të taksave këto janë kompani nga më të ndryshmet, kryesisht tregtare, por edhe prodhimi, si konfeksione etj, bilancet e të cilave rezultojnë me humbje. Data e licencimit të këtyre aktiviteteve është prej vitit 1994 e deri tek ato të krijuara së fundmi. Në Durrës numërohen në total 20 mijë aktivitete të biznesit të madh dhe të vogël. Afro 1/3 e këtyre aktiviteteve i përkasin biznesit të madh. Të gjithë bizneset në Durrës, të mëdha e të vogla shprehen se kjo është një periudhë e zymtë krize, e cila i ka detyruar që aktiviteti të mbahet në kufijtë e mbijetesës. Goditje të rëndë nga ky efekt ka pësuar edhe biznesi i vogël, ai që në këtë qytet punëson mbi 6 mijë njerëz. Kreu i tatimorëve të Durrësit ka dalë në krah të biznesit, i cili kërkon ngritjen e Gjykatës Administrative. “Do të jetë një hap i rëndësishëm që parlamenti të miratojë këtë projektligj sa më shpejt, sepse rregullon jo vetëm marrëdhëniet midis shtetit dhe biznesit, por biznesi shikohet edhe si partner përballë tij”, tha ai. Në këtë periudhë biznesi po përballet me mungesën e likuiditetit në treg një fenomen, i cili muajt e fundit është tepër i theksuar.