Lakrori: PS s’ka nevojë për një kryetar të fortë
Aristir Lumezi
Kandidati për kreun e PS-së përballë Edi Ramës, Maqo Lakrori shprehet se, veçanërisht pas humbjes së 28 qershorit, PS ka nevojë për një parti të fortë dhe jo një kryetar të fortë që di dhe vendos gjithçka. Lakrori këmbëngul në platformën e tij për një drejtim kolegjial të PS-së, rritje të solidaritetit mes socialistëve dhe zvogëlimin por dhe kontrollin e pushtetit të kryetarit të kësaj partie. Sipas tij, këto cilësi të munguara kanë ndikuar dhe në humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Lakrori shprehet se platforma e tij është mirëpritur nga socialistët në takimet e zhvilluara, duke hedhur poshtë njëkohësisht dhe komentet për një garë farse dhe ka kandidat.
Fushata zgjedhore brenda për kreun e PS-së po shkon drejt fundit, ndërkohë që në nisjen e saj pati komente për një fushatë farse, ku Edi Rama është në garë pa konkurrencë. Cili është perceptimi i pjesëmarrësve në këto takime rreth kësaj gare?
Ju them sinqerisht që, kur vendosa të kandidoj, nuk i kisha parashikuar këto lloj dyshimesh dhe interpretimesh që shpesh herë kanë marrë edhe forma sajimesh naive nga më të çuditshmet. Megjithatë, në çdo rast, për të qenë miqësor me autorët e tyre, unë i kam vlerësuar thjesht si humor elektoral dhe vetëm kaq. Cilido që njeh jetën time, që di edhe angazhimin tim në PS prej krijimit të saj e deri më sot, ka pasur që në krye të kësaj fushatë bindjen e qëndrueshme se konkurrimi im është tërësisht serioz dhe ka përkushtimin që kërkon modernizimi i një partie të madhe si PS. Sot, pasi kjo fushatë ka bërë udhë në shumicën e qarqeve të Shqipërisë, edhe më dyshuesit kanë filluar të mendojnë seriozisht, madje edhe të binden përfundimisht që po ndodh një proces krejt i ri dhe pozitiv në jetën e PS dhe në jetën politike të Shqipërisë: brenda së njëjtës parti po konkurrojnë publikisht, hapur dhe fort, por pa asnjë cenim të dinjitetit të tjetrit, individë me formime krejt të ndryshme profesionale, me eksperienca politike personale gjithashtu shumë të ndryshme dhe sidomos me koncepte qartësisht të dallueshëm nga njëri-tjetri për funksionimin e PS. Sado të meta që t’i renditen këtij procesi, tashmë akulli është thyer dhe ne socialistët shqiptarë mund të themi me plot gojën se po sjellim diçka të re, me efekte pozitive, në jetën politike të vendit tonë.
Ju keni përgatitur një platformë në formë broshure, ku jepni qëndrimin tuaj për ndryshimin e PS-së. Si është pritur ajo?
Mendoj se po. Unë e kam botuar platformën në formatin e një broshure, e cila u shpërndahet pjesëmarrësve nëpër takimet që organizojmë anembanë vendit. Me kënaqësi vërej se mbështetja po rritet dita-ditës dhe tashmë kjo platformë është në vëmendjen e opinionit publik. Çdo ditë e më shumë, njerëzit po binden se PS dhe e majta e bashkuar mund të vijnë në pushtet vetëm duke konceptuar dhe zbatuar projekte të qarta politike, që të përfshijnë pa asnjë përjashtim, të gjithë elementët e domosdoshëm statutore, programore dhe të veprimit konkret.
Që në hyrje të platformës suaj, ju zoti Lakrori përcaktoheni për një “parti të fortë” në vend të një partie me “kryetar të fortë”; çfarë keni parasysh me këtë?
Thelbi është ndarja përfundimtare nga fenomeni i përqendrimit të të gjitha pushteteve në një dorë të vetme. Vendi ynë dhe vetë partia jonë vijnë nga një traditë e hershme e “heroit shpëtimtar” që ka zgjidhje për çdo gjë dhe vendos për gjithçka e për cilindo. Koncepti im është vendimmarrja kolegjiale dhe puna në ekipe. Më lejoni t’ju sjell shembullin e demokratëve amerikanë. Ndoshta jo të gjithë i njohin drejtuesit kryesorë të asaj partie, veçse ajo ka fuqinë e nevojshme që të sjellë në pushtet Presidentin që është edhe kryetar i qeverisë, pa qenë aspak kryetar i partisë, e po ashtu të fitojë shumicën në organet e larta legjislative, duke angazhuar për fitoren elektorale të gjitha potencialet njerëzore të partisë dhe të mbështetësve të saj. Platforma ime parashikon një PS me drejtim kolegjial, një parti ku secili anëtar të ndjehet i lirë dhe i barabartë me të tjerët, pavarësisht pozitës sociale dhe pasurore që ka jashtë saj. Partia e reformuar sipas këtij koncepti, krijon edhe qeverinë hije, përmes së cilës përpunon programet qeverisëse, afron njerëzit e duhur për çdo fushë veprimtarie, realizon një opozitë të fuqishme e profesionale dhe shton garancitë për mirëqeverisje kur të vijë në pushtet. Pra, sipas konceptit tim, partia zhvillohet si një organizëm vullnetar, që është edhe funksional edhe elektoral. Nga ky pozicion ajo përgatit strukturat qeverisëse, promovon drejtuesit e tyre dhe përfaqësuesit në nivelet qendrore e vendore dhe punon për ardhjen në pushtet dhe mirëpërdorimin e pushtetit nga përfaqësuesit e saj.
Kush janë gabimet që ka zoti Rama në drejtimin e PS?
E para, është mungesa e bashkimit të së majtës. Mendoj se duhet ta nisim aty ku e lanë katër vjet më parë dhe të ecim me një strategji të përbashkët dhe të qartë për bashkimin e gjithë të majtës. E dyta, ka të bëjë me një sërë organizimesh të brendshme në PS, disa struktura vullnetare u suprimuan me pretendimin se ato ishin të vjetra, ndërkohë që zgjedhjet treguan se ato ishin të nevojshme. kriteri për të vlerësuar një strukturë nuk duhet të jetë vjetërsia, por dobia. e treta është që u krijua një frymë sikur në këto 18 vjet nuk është bërë asgjë. Janë bërë shumë gjëra dhe arritje, por ka pasur dhe gabime. PS ka pasur një forcë realizuese shumë të madhe. PS filloi punën e saj duke u transformuar nga Parti e Punës në një parti anëtare e Internacionales socialiste. Ky ka qenë një proces shumë i gjatë ku kanë kontribuar një plejadë e madhe njerëzish. me marrjen e pushtetit në ’97, socialistët bënë shumë punë për ringritjen e shtetit të shkatërruar; ngjarjet e Kosovës, ku qeveria socialiste dha një kontribut shumë të madhe. Jeta e një partie dhe populli në këto 18 vjet, nuk fillon tani. Nga kjo pikëpamje duhet të ishte bërë një vlerësim më pozitiv i kontributit të socialistëve. Ose procesi i përgatitjes së periudhës zgjedhore, dhe seleksionimi i kandidatëve për deputetë duhet të kishte filluar shumë më herët ku njerëzit do ishin njohur më mirë me ta.
Ku ndaheni dhe bashkoheni me zotin Rama?
Dallimi themelor është se unë jam për një parti për një ndarje pushtetesh, jo pushteti në një dorë. Unë jam për një parti ku pushtetet të jenë të ndarë dhe të kontrollueshëm. Modeli tjerë, ai që na është ofruar deri tani, ka qenë që gjithçka e di kryetari. Kjo është një teori dhe praktikë e gabuar, sepse sjell dështime. E përbashkëta është dëshira për ta parë PS dhe të majtën në pushtet. Problemi është si arrihet kjo aspiratë. Unë mendoj se bazuar në platformën time do ta arrij këtë qëllim që është për të gjithë socialistët.