E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha në zonën e tërmetit: Brenda dy javësh çelim fondin

 

BULQIZE - Një ditë pas vizitës së Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, në zonat e prekura nga tërmeti banorët e komunave Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Ostren, Trebisht e Maqellarë kanë hedhur sytë nga qeveria, me shpresë së premtimet e ministrit Basha për lëvrimin e fondeve do të bëhen realitet. Allaman Miftari, njëri nga banorët e strehuar në çadër, shprehet se ai dhe mijëra banorë të tjerë presin me ankth nga shteti t’i ndihmojë financiarisht për ndërtimin e shtëpive ose meremetimin e tyre. “Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha se për shtëpitë më të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Dibrës do të shpërndahen fondet për rindërtimin e tyre brenda 2 javëve”, pohoi Miftari. Ky është një lajm i mirë për banorët e strehuar në çadra, shtëpitë e të cilëve janë rrënuar totalisht ose kanë dëmtime të pjesshme. Duke menduar se Basha ishte ai që dha lajmin e parë se shpejt do të nisë shpërblimi financiar për familjet e dëmtuara më rëndë, banorët kujtojnë premtimin e ministrit Basha, kur tha se: “Ministria e Financave ka në dorë vlerësimin për 333 objekte dhe po bën shqyrtimin përfundimtar dhe më pas do të lëvrojë fondet”. Pas tërmetit u ngritën menjëherë dy kampe me çadra në komunat Gjoricë dhe Shupenzë, por ato nuk funksionuan, pasi banorët këmbëngulën në pajisjen me çadra dhe kthimin e tyre në shtëpitë e mëparshme. Ekspertët dhe 5 grupet e punës të Ministrisë së Brendshme, Entit Kombëtar të Banesave dhe të Qarkut të Dibrës, janë përqendruar në terren nga data 7 shtator, një ditë pas tërmetit, dhe po kryejnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti 7.2 ballësh. Prefektura Dibër saktësoi se nga Emergjencat Civile deri më tani janë shpërndarë 354 çadra, 460 batanije dhe 7 tonë e gjysmë ushqime. Banorët nuk ndajnë të njëjtin mendim me ministrin Basha se qeveria ka ndërhyrë shpejt, por shpresojnë se shumë ditë pas tërmetit do të vlerësohen dëmet e shkaktuara e qeveria do të akordojë para për ndërtimin e shtëpive apo rikonstruksionin e tyre pa ardhur ende dimri. Fatmirësisht në zonën e lëkundjeve të tërmetit nuk pati viktima në njerëz. Gjorica e Shupenza janë vizituar nga Kryeministri Berisha, kryetari i opozitës Rama dhe së fundi nga Ministri i Brendshëm, Basha.                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›