Ndërtohet rruga, bashkia s’paguan dritat
KORÇE - Asfaltimi i rrugës nga qyteti i Korçës drejt pikës turistike të Moravës nuk u pasua me ndriçimin e këtij aksi. Kjo jo se nuk u shtri linja e furnizimit me energji elektrike, por për faktin se nuk është planifikuar pagesa e energjisë elektrike për këtë vit nga pushteti vendor. Amatorët e turizmit malor duhet të presin muajt e parë të vitit të ardhshëm që t’i gëzohen frekuentimit të kësaj rruge për turizëm në orët e vona të mbrëmjes. Fondi për këtë investim ishte 91 milionë lekë dhe u dha nga qeveria nëpërmjet granteve konkurruese. Drejtori i investimeve në këtë qark Gjergji Grabocka, bëri të ditur se pengesë është bërë mungesa e fondeve për faturat e energjisë. Deri në miratimin e fondeve për buxhetin e ri të bashkisë, ky aks që të çon në pikën turistike të Moravës do të mbetet pa ndriçim. j.gj