E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla në Bardhaj 5 vjet pa energji

 

SHKODER - Pesë vjet nga përfundimi i shkollës në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ende nuk është marrë në dorëzim nga komuna. Kjo ka bërë që shkolla akoma edhe sot nuk ka energji elektrike, duke sjellë anomali në procesin mësimor. Lëndët e mësimit siç është ajo e informatikës ka 5 vite që zhvillohet vetëm në teori. Mësuesit i vlerësojnë nxënësit apriori për njohuritë që ata kanë në këtë lëndë. Komuna Rrethina fajëson Ministrinë e Arsimit për situatën e krijuar. Ndërsa drejtori i kësaj shkollë Fatmir Mehaj, u shpreh se prej disa vitesh ai ka kërkuar rregullimin e kësaj situate, por asgjë konkrete nuk është arritur. “Kjo shkollë nuk është marrë në dorëzim as nga ish-kryetari i komunës, as nga kryetari aktual”, u shpreh Mehaj. Gëzim Alibali, drejtori i Shërbimeve dhe Infrastrukturës në Komunën Rrethina u shpreh se përmes shkresave të shumta i kanë kërkuar KESH-it që të bëjë lidhjen e shkollës me energji elektrike. “KESH na ka kthyer përgjigje se nuk ka mundësi financiare, që të bëjë lidhjen e ndërtesës së shkollës me energji elektrike”, u shpreh Alibali.   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›