Sarandë, e zë korrenti, vdes 14-vjeçari
SARANDE – Hyn për të bërë dush, gjen vdekjen i karbonizuar një 14-vjeçar. Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Berdenesh, 4 km larg qytetit të Sarandës, në orët e vona të së shtunës. Mësohet se adoleshenti Ilir Dervishaj kishte hyrë për t’u larë, por është nxjerrë prej banjës thuajse i pajetë. Një masë elektrike ka qenë fatale për jetën e tij. Edhe pse menjëherë i është ardhur në ndihmë adoleshentit dhe është transportuar me urgjencë për në spitalin civil të Sarandës, mjekët kanë pohuar se 14-vjeçari Dervishaj ka mbërritur atje pa jetë, pa u dhënë atyre asnjë mundësi për të ndërhyrë që ta shpëtonin. Vdekja aksidentale e Ilirit 14-vjeçar e ka kthyer atmosferën e gëzuar në familjen Dervishaj në mort. Këtë mbrëmje të së shtunës në familjen Dervishaj kishte dasmë, pasi martohej e motra. sh.d