ZMK: “Më tepër kujdes në licencimet për transport ujor”
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve i bën thirrje institucioneve qeveritare për të nxjerrë një mësim të dhimbshëm nga ngjarja e dhimbshme që ndodhi në orët e para të ditës së djeshme. Le të shërbejë kjo ngjarje si një apel për të vlerësuar gjendjen kaotike të shërbimeve të transportit ujor në liqene, lumenj dhe dete në të gjithë territorin. Në të gjithë Shqipërinë, individë apo subjekte biznesi, ofrojnë shërbime transporti apo argëtimi ujor për të cilat nuk ka një rregullore shërbimi dhe licencimi specifik. Ngjarja e mbrëmshme vërteton se edhe një varkë e vogël jashtë standardit (siç qarkullojnë edhe me qindra biçikleta uji në të gjithë Shqipërinë) është në gjendje të shkaktojë aksidente tragjike që janë të rralla edhe për transportin rrugor, ku kërkohen standarde dhe licencime shumë specifike, që kanë të bëjnë me karakteristikat dhe gjendjen e vazhdueshme të mjeteve si dhe kualifikimet përkatëse të drejtuesve të tyre. Pra shërbimi i transportit ujor edhe në rastin e një biçiklete të thjeshtë uji duhet riparë nga Inspektorati Shtetëror Teknik pranë METE-s, seksioni i Transportit Ujor në Ministrinë e Ambientit, Ministria e Rendit dhe nga organe të tjera të pushtetit lokal, si një sektor shërbimesh që duhet të plotësojë një kategori standardesh bashkëkohore (duhet parë edhe eksperienca e vendeve të tjera në këtë fushë) dhe ku poseduesit e mjeteve duhet të plotësojnë disa të dhëna që vërtetojnë përgjegjshmërinë dhe aftësinë e tyre për të kuptuar dhe menaxhuar situate të tilla, përfshirë këtu edhe trajnimin për ndihmën e shpejtë. Propozimi i parë që paraqet ZMK-ja u drejtohet institucioneve qeveritare që të nxjerrin një urdhëresë emergjente ku të përcaktohet si një detyrim i pastër që në çdo mjet transporti ujor, pavarësisht nëse është në dispozicion për përdorim privat apo për të tretë, të ketë të shënuar numrin maksimal të personave që mund të mbajë. Ky detyrim duhet të plotësohet brenda një muaji dhe në çdo rast shkeljeje duhet të konfiskohet apo të gjobitet rëndë poseduesi. Në të gjithë botën në raste të tilla merren masa të ashpra preventive për moslejimin e përsëritjes së ngjarjeve kaq të evitueshme.
7 Mars 2008