E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e blerësve dhe listat, 102 subjekte biznesi mbyllin aktivitetin në Tiranë

Varfëria falimenton edhe 300 biznese të vogla në Korçë. Dhënia e mallit veresie dhe rënia e blerësve, shkak kryesor

Pasojat e krizës ekonomike botërore në Shqipëri këtë fillim viti ka nisur t’i ndiejë i pari biznesi i vogël, por pas nuk mbeten as kompanitë “VIP”, të cilat janë jo pak në numër. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por dhe të Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë, “vetëm në dy javët e para të vitit 2009 janë shqyrtuar 102 aplikime për kërkesë falimentimi, për të cilat do të nisin procedurat gjyqësore”. Sipas të njëjtave burime, “janë disa qindra kompani biznesi, si atij të vogël, ashtu edhe atij të madh, të cilat po shpallin likuidimin në Regjistrin Tregtar. Disa për arsye normale, por disa të tjera për shkak të problemeve që hasin me likuiditetin financiar (mospagesën e taksave, pagave dhe borxheve), që janë trashëguar që nga viti 2008”. Sipas specialistëve kontabël, disa prej shkaqeve më kryesore të falimentimit janë vështirësitë për të shlyer këstin e kredive bankare të marra në vite, rënia e shitjeve, si dhe mos fuqia për të paguar taksat e shumta. Por falimentimi i shumë subjekteve, sidomos atyre të biznesit të vogël, po vjen edhe për shkak të vështirësive që u krijohen atyre nga rënia e theksuar e fuqisë blerëse, si dhe nga borxhet e shumta që u kanë klientët që marrin sidomos artikuj të konsumit të përditshëm me listë. Kjo gjë, si dhe taksat e shumta, janë bërë në këtë kohë krize mbytëse për subjektet e vogla të biznesit.

Biznesi i madh

Probleme kanë edhe subjektet e biznesit të madh në vend, që përveç rënies së fuqisë blerëse, kanë edhe probleme me shtetin. I tillë është rimbursimi për taksa të ndryshme si TVSH-ja, që Tatimet dhe Doganat duhet t’u bëjnë subjekteve, sidomos atyre të import-eksportit. Probleme ka edhe në kushtet kur Gjyqësori nuk arrin të urdhërojë shlyerjen e detyrimeve financiare të vetë administratës shtetërore (Tatime e Dogana), për shkelje të ndryshme që punonjësit e këtyre administratave kanë bërë ndaj subjekteve private. Sipas statistikave zyrtare të marra nga “Albania” në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, mësohet se “aktualisht janë 515 kompani shqiptare në likuidim e sipër (vetëm kompani të cilat veprojnë në kushtet e kuadrit ligjor në fuqi)”. Por është mjaft vështirë të mësohet realiteti për shumë kompani dhe subjekte që veprojnë në kushtet e një informaliteti të theksuar, ku shumica e tyre e ushtrojnë aktivitetin e biznesit "në të zezë".

Rënia e importit

Çmimet e importit mund të ndikojnë inflacionin në vend nëpërmjet çmimeve të mallrave të konsumit të importuar dhe ndikimit në koston që bizneset përballojnë. Sipas raportit mbi politikën monetare të 3-mujorit të tretë 2008, hartuar nga Banka e Shqipërisë, çmimet e importit, pasi njohën rritje vjetore gjatë dy viteve të fundit, shënuan rënie në dy tremujorët e parë të këtij viti. Gjatë viteve 2006-2007, çmimet e importit u rritën mesatarisht me 5 për qind, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 ato ranë me 3 për qind në nivel vjetor. Në rënien vjetore të indeksit të çmimeve të importit ndikimin kryesor e dhanë çmimet e lëndëve të para. Po sipas statistikave të BSH-së, çmimet e eksportit shënuan norma të larta rritjeje vjetore, përkatësisht me 20 dhe 26 për qind në tremujorin e parë dhe atë të dytë të vitit, duke rezultuar në përmirësim të termave të tregtisë.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›