E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimentimi, kushtet për administratorët e firmave

Pas miratimit të ligjit, publikohet edhe udhëzimi për falimentimin e bizneseve. 

Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë, kanë renditur kushtet që duhet të plotësojë administratori, i cili do të ndjekë falimentimin e bizneseve. Sipas udhëzimit, i cili i shërben të gjitha firmave që kanë hyrë në këtë proces, administruesi i zgjedhur nga gjykata duhet të karakterizohet nga 5 pika themelore. E para të ketë mbaruar Fakultetin Ekonomik, në të tria degët. Kusht tjetër, që i krijon hapësirë pune më të madhe kontabilistëve, është që personi të ketë punuar të paktën 5 vite si ekspert kontabël i autorizuar. Këta persona, do të jenë përgjegjës për shitjen e pasurive të bizneseve të dala nga tregu dhe rishpërndarjen e tyre për kreditorët. Udhëzimi i ri, i hap rrugën fillimit të procedurave të falimentit për shumë biznese.
Kur falimenton
Në rast se nuk deklaron xhiro apo del me humbje për më shumë se dy vite, atëherë brenda 30 ditësh Tatimet shpallin procesin e falimentit. Ky ishte ndryshimi i kritikuar këtë vit nga Kuvendi me propozim të qeverisë. Pasuria e të falimentuarit do të menaxhohet nga një administrator i vetëm, i cili përcaktohet me vendim të gjykatës, nga lista e Ministrisë së Financave dhe Drejtësisë. Me ligjin e ri, afati i falimentit, është shkurtuar nga 3 në dy vite. Në rast se një shoqëri deklarohet me humbje për një periudhë 2-vjeçare, hyn detyrimisht në procesin e falimentimit. Kërkesën për shpalljen e falimentimit mund ta bëjnë shoqëri të tjera tregtare, që kanë dhënë mallra ose shërbime dhe që nuk janë paguar, bankat për rastet e kredive, si dhe tatimet për detyrimet ndaj shtetit. Falimentimin mund ta kërkojë dhe vetë subjekti. Një rast tjetër falimentimi është mbingarkesa në borxhe, pra kur biznesi ka më pak pasuri sesa detyrime ndaj të tretëve dhe në bazë të rrethanave, vazhdimësia efeciente e tij është e pamundur. Kjo vendoset nga gjykata, kur ndaj tij është kërkuar masa e falimentimit. Tatimet duhet që brenda 30 ditëve të dërgojnë për procedim biznesin. Në rast se tatimet, brenda 6 muajsh nga verifikimi, nuk çojnë dosjen në gjykatë, atëherë ministri i Financave fillon procedurën disiplinore për tatimorin përgjegjës. Rastet do të gjykohen nga gjykata në seksionin tregtar, brenda 30 ditëve, e njëjta kohë i është dhënë edhe Apelit. Nga ana tjetër, të gjitha dosjet e falimentimit do të mbikëqyren nga Gjykata e Tiranës.

UDHËZIMI

Nr. 22, datë 29.07.2008

PËR CAKTIMIN E ADMINISTRATORËVE TË PËRKOHSHËM TË FALIMENTIMIT
Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të germës “b” të nenit 16 të ligjit nr. 8901, datë 23.5.2003 “Për falimentimin”, Ministri i Financave dhe Ministri i Drejtësisë,

UDHËZOJNË:
1. Asnjë person fizik nuk mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm të falimentimit, në rast se nuk përmbush kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, dhe kriteret e përcaktuara në pikën 4 të nenit 16 të ligjit nr. 8901, datë 23.5.2002.

2. Mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm të falimentimit, personi fizik që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë kryer studimet në shkencat ekonomike (ekonomi, financë, kontabilitet);
c) të jetë i licencuar si ekspert kontabël i autorizuar;
d) të ketë një eksperiencë pune si ekspert kontabël i autorizuar jo më pak se pesë vjet;
e) të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale.

3. Gjykata, duhet të caktojë si administrator falimentimi vetëm ata persona fizikë, që përmbushin kriteret e përcaktuar në këtë udhëzim dhe që janë regjistruar në listën e ekspertëve të gjykatës.

4. Ky udhëzim zbatohet deri në momentin e plotësimit të numrit të mjaftueshëm të administratorëve të falimentimit sipas kritereve, për arsimin profesional dhe provimin e parashikuar në nenin 43 të ligjit “Për falimentimin”.

5. Personat e zgjedhur nga gjykata sipas këtij udhëzimi, edhe pas plotësimit të numrit të administratorëve të falimentimit sipas pikës 4, vazhdojnë detyrën deri në përfundimin e procedurës së falimentimit.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

                                   MINISTRI I DREJTËSISË     MINISTRI I FINANCAVE
                                           Enkelejd Alibeaj                     Ridvan Bode

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›