E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimet “aleate” për të trajtuar ulcerën në stomak

Një nga faktorët që ndikon në përmirësimin e gjendjes së të sëmurëve me ulcerë në stomak, është mënyra e ushqyerjes. 

AIDA MALAJ

 Për mjekët konsumimi i disa ushqimeve të caktuara, veprojnë në sekrecionet e stomakut në mënyrë të ndryshme, me pasojë dëmtimin e mureve të tij. Stina e verës përkon me një ndryshim të stilit të jetës dhe mënyrës së ushqyerjes. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja gastro-hepatologe Albana Duni, jep disa këshilla se si duhet të jetë menyja dhe stili i jetës te ky kontingjent të sëmurësh:
Doktoreshë, te pacientët që vuajnë nga ulcera në stomak, shpesh rekomandohet ndryshimi i dietës dhe stilit të jetës. Si ndikojnë konkretisht këto dy faktorë?
Po. Është e vërtetë që pacientëve me ulcerë ne u rekomandojmë ndryshim në mënyrën e ushqyerjes dhe të jetesës. Dieta dhe stili i jetës ndihmojnë në pakësimin e irritimit gastrik dhe në pakësimin e sekretimit të acidit gastrik. Gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e efekteve anësore, siç është piroza ose “djegia e stomakut”.
Ka rregulla të përcaktuara në mënyrën e ushqyerjes që duhet të respektojë një i sëmurë me ulcerë në stomak?
Rregullat kryesore për një dietë të mirë në ulcerën e stomakut janë: ushqehuni mirë, mbani të neutralizuar aciditetin gastrik si dhe ndaloni prodhimin e tepërt të acidit gastrik.
Këto arrihen nëse zbatohen disa “rregulla të arta”: nëse hahen 3 vakte të lehta dhe midis vakteve të hani përsëri lehtë. Kjo është e rëndësishme për të mënjanuar periudhat e urisë dhe mbingarkesën në ushqim, të cilat janë që të dyja të dëmshme për stomakun.
Këshilla e dytë është të hani ngadalë dhe përtypini mirë ushqimet. Duhen evituar ushqimet e skuqura dhe ato me yndyrë, si dhe zgjidhen ushqime me përmbajtje të ulët yndyrore. Shpesh neglizhohet mënyra se si ushqehemi. Duhet të relaksoheni në kohën e ngrënies. Hani darkë të paktën 3 orë përpara gjumit. Ngrëniet afër kohës së gjumit shkaktojnë sekretim të acidit gastrik gjatë natës. Po ashtu duhet të ndërpriten pijet që përmbajnë kafeinë (çaj, kafe, kola); madje dhe kafeja dekafeinato, pasi shkaktojnë rritje të prodhimit të acidit gastrik, që mund të rëndojë dhimbjen në një ulcerë ekzistuese. Në qoftë se këto pije tolerohen mirë nga i sëmuri, atëherë mund të merren me sasi të moderuara dhe afër vaktit ushqimor.
Është e vërtetë që agrumet ndikojnë në acarimin e ulcerës?
Po. Shpesh të sëmurëve me ulcerë u rekomandohet që të eliminojnë agrumet (limon, portokall, greipfrut), sepse ndikojnë në rritjen e aciditetit, duke acaruar gjendjen klinike të pacientit.
Çfarë nuk duhet të hanë tjetër këta persona?
Shpesh rekomandohet të mos konsumohet çokollata dhe produktet e domates, kikirikët, në qoftë se ju shkaktojnë shqetësime. Pra, të përdorni ato ushqime që tolerohen mirë dhe kështu ushqeni ulcerën tuaj në mënyrë korrekte.
Çfarë këshillash mund të jepen për këtë sezon të vitit?
Ushqimet duhet të përfshijnë një burim të mirë proteinash në çdo vakt (qumësht, mish, vezë, djathë). Qumështi dhe ushqimet kremoze nuk duhen përdorur si terapi antiacide. Megjithëse proteinat e qumështit kanë një efekt të mirë neutralizues në aciditetin gastrik, janë gjithashtu dhe një stimulator potent i aciditetit.  Gjithsesi nuk duhet nënvlerësuar përdorimi i tij. Në përdorimin e mishit duhet patur kujdes që të konsumohet në porcione të vogla dhe pa dhjamë. Vezët jo më shume se 3-4 kokra në jave. Dieta juaj duhet të jetë e pasur me fibra: zarzavate (okër, patate, kungull, brokoli, lakër brukseli, karrota, bizele, patate);  fruta si banane, avokado, bajame dhe vaji i bajameve.  Gjithashtu rekomandohet orizi kaf, tërshëra, elbi që kanë përmbajtje të lartë fibrash dhe që ndihmojnë në mbulimin natyral të ulçerës dhe lehtësojnë dhimbjen. Këshillë tjetër që jepet është të përfshini vitamina në dietën e perditshme Vitaminat dhe mineralet janë gjithmonë dobiprurëse, pasi shërbejnë si një çelës i shpejtë për shërimin e ulçerës.

Këshilla

 Hani 3 vakte të lehta dhe midis vakteve të hani përsëri lehtë.
 Hani ngadalë dhe përtypini mirë ushqimet. Evitoni ushqimet e skuqura dhe me yndyrë.
 Zgjidhni ushqime me përmbajtje të ulët yndyrore.
 Hani darkë të paktën 3 orë përpara gjumit.
 Ndërprisni pijet që përmbajnë kafeinë (çaj, kafe, kola).
 Eliminoni alkoolin dhe duhanin.
 Kujdes në përdorimin e aspirinave dhe medikamenteve antireumatizmale, të cilat mund të shkaktojnë ulcerë, ose kur ajo ekziston, vonojnë shërimin dhe rrisin shansin për hemorragji  gastro-intestinale.
 Duhet të eliminoni agrumet (limon, portokall, greipfrut).
 Nëse ju jep shqetësime mos konsumoni çokollatën, produktet e domates, kikirikët.
 Shtoni në meny ushqimet që përmbajnë proteina.
 Konsumoni sa më shumë ushqime me fibra.
 Konsumoni sa më shumë ushqime që përmbajnë vitamina dhe kripëra minerale.

Vitaminat “aleate” në shërimin e ulçerës

• Vitamina A, konsiderohet nismëtare e procesit të shërimit të indit të dëmtuar (ka një rol mbrojtës ndaj sëmundjes ulceroze). Kjo vitaminë ndodhet në ushqimet me origjinë shtazore, sidomos në mëlçi, në qumësht dhe në vezë. Gjithashtu ndodhet në perimet me ngjyrë të verdhë-portokalli.
• Vitamina B kompleks, e cila konsiderohet shërues i përgjithshëm. Kjo vitaminë gjendet te maja e birrës, orizi, gruri, soja, mishi i derrit, mëlçia, veza, qumështi, peshku, bizelet etj.
• Vitamina C dhe bioflavonoidet, janë shërues të ulcerave. Këto gjenden me shumicë në perimet me gjethe të gjelbërt dhe frutat. 
• Vitamina E, asiston në zhdukjen e dhimbjes dhe reduktimin e aciditetit të stomakut. Kjo vitaminë gjendet me shumicë te frutat e thata; drithërat, nënproduktet e qumështit.
• Vitamina K, parandalon hemorragjinë.
• Kalciumi, magnesium, potasium dhe zinku, janë të vlefshëm në procesin shërues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›