E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuz, zbulohet trafiku, 5 kile heroinë nga Shqipëria

Policia malazeze arrestoi dy shqiptarë dhe një kosovar, pasi ata po trafikonin një sasi prej 5 kilogramë heroinë, destinacioni i së cilës dyshohet të jetë Kroacia. 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Prangosja e dy shqiptarëve nga Malësia e Madhe, Ernado Dulaj dhe Albert Gjonaj, është bërë rreth orës 18:00 të së dielës, në qendër të qytetit të Tuzit, vetëm 12 kilometra larg pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit-Bozhaj. Pak orë pas prangosjes së tyre, policia malazeze arrestoi edhe një kosovar, i cili mendohet të jetë dhe "koka" e këtij trafiku. Sipas policisë vendase, kosovari Pren Thaçi, i cili jetonte në Kroaci, është arrestuar në qytetin e Tivarit. Aksioni blic i policisë malazeze është kryer në orët e mbrëmjes, ndërkohë që mësohet se kishte siguruar të dhëna në rrugë operative për trafikun e kësaj lënde nëpërmjet Malit të Zi. Burime të policisë malazeze konfirmuan se, personat që po transportonin drogën, e cila është futur nëpërmjet pikës doganore të Hanit të Hotit janë mbajtur në surveijim derisa kanë mbërritur në Tuz. Dy djemtë nga Malësia e Madhe janë ndaluar në qendër të qytetit nga policia. Atyre u është komunikuar se duhej t'u kontrollohej automjeti me të cilin udhëtonin. Ernado Dulaj dhe Albert Gjonaj kanë ndaluar mjetin, i cili është kontrolluar nga ekspertët e antidrogës. Policia gjeti të fshehur në gomën rezervë të automjetit sasinë prej 4 kilogramë e 700 gramë drogë, të llojit heroinë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë malazeze, mësohet se Ernado Dulaj dhe Albert Gjonaj janë arrestuar teksa në autoveturën e tyre tip Mercedes Benz 124 me targe MA 1297 D është gjetur 4 kg e 700 grame drogë e llojit heroinë. Droga ishte e paketuar dhe e sistemuar në pesë pako e mbështjellë me natriban dhe ishte vendosur në gomën rezervë të mjetit. Gjithashtu, nga ana e policisë mësohet se në qytetin e Tivarit është arrestuar edhe shtetasi Pren Thaçi nga Kosova me vend banim në Osiek të Kroacisë. Policia e Malit të Zi tha se, të arrestuarit Gjonaj dhe Dulaj kanë kaluar nga Shqipëria nëpër pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, por pa dhënë hollësira të mëtejshme. Droga ishte e destinuar për shtetin tjetër fqinjë me Malin e Zi Kroacinë. Thaçi i cili u arrestua në afërsi të Tivarit, dyshohet se është edhe organizatori kryesor, i cili mendohet që të ketë rekrutuar dy shqiptarët, që nëpërmjet Malit të Zi ta kalojë drogën nga Shqipëria për në Kroaci. Sipas burimeve nga policia malazeze, Thaçi me të marrë vesh se dy bashkëpunëtoret e tij nga Shqipëria janë arrestuar, ka tentuar largimin nga Mali i Zi për në Kroaci, por ai është arrestuar pa pasur mundësi të kalojë kufirin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›