E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, mjekët “sos”, një muaj pa ilaçe e shiringa

KORÇE - Spitali i Korçës është ndeshur me vështirësi të mungesës së medikamenteve gjatë këtij muaji, ndërkohë që për shkak të vapës, numri i pacientëve të shtruar është rritur ndjeshëm. 

Sipas mjekëve, në spital mungojnë ilaçet dhe mjetet më elementare, duke përfshirë këtu edhe shiringat. Për këtë shkak, pacientët janë detyruar t'i drejtohen farmacive të qytetit, bashkë me recetën e mjekut në dorë. Por ata ankohen se, nuk janë në gjendje të përballojnë dot një faturë të tillë, e cila në jo pak raste arrin edhe deri në 20 mijë lekë. Situatën e rëndë në të cilën ndodhet spitali i Korçës prej një muaji e pranon edhe nëndrejtori i saj, Ilir Koroveshi. Sipas tij, kjo situatë është krijuar edhe për shkak të ndryshimeve në stafin drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, çka ka sjellë edhe vonesa në tenderimin e barnave". Megjithatë ai u shpreh se, ndonëse me vonesë, tashmë tenderët për sigurimin dhe shpërndarjen e medikamenteve ka përfunduar dhe pritet që shumë shpejt të nisë shpërndarja e tyre, ku do të furnizohet edhe spitali i Korçës. Tashmë pritet që kjo situatë të zgjidhet, por pacientët e spitalit shprehen të shqetësuar, pasi shtrimi i tyre në spital ka nisur të bëhet i papërballueshëm nga ana financiare.                                        j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›