E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhet e ndotura, 20 raste në ditë me infeksione të lëkurës

Flluska në trup, temperaturë, skuqje dhe irritim i lëkurës. Me këto shenja paraqiten në pavijonin e dermatologjisë të QSU, mbi 20 fëmijë në ditë. 

 Pjesa më e madhe marrin recetën me ilaçe dhe kthehen në shtëpi. Por ka edhe nga ata që vijnë në gjendje të përkeqësuar dhe u duhet të qëndrojnë disa ditë në spital për të marrë veten. "Impetigo" quhet sëmundja e lëkurës, e cila shkaktohet kryesisht nga papastërtitë e ujit të detit dhe të pishinave. "Flluska në trup dhe temperaturë janë shenjat e kësaj sëmundje që po haset së fundi shumë tek fëmijët e vegjël, kryesisht ata që pushojnë në plazhin e Durrësit", pohuan mjekët dermatologë. Sipas tyre, këto flluska krijohen kryesisht në pjesën rreth buzëve, tek këmbët dhe duart e fëmijëve. Fillimisht këto flluska janë të mbushura nga një lëng i pastër, por me çarjen e tyre në pjesët ku ato shfaqen krijohen plagë të lehta që formojnë kore në fillim të pastër dhe pastaj me ngjyrë të verdhë. "Këto plagë që formohen japin kruajtje dhe duke kenë se fëmijët i ngacmojnë mund të acarohen duke krijuar bezdisje tek ata", shprehen mjekët. Kryesisht fëmijët e moshës deri në 10 vjeç janë ata që preken më shumë nga kjo sëmundje. Bluzat e bardha sqarojnë se numri i fëmijëve me këtë infeksion mund të jetë edhe më i madh, pasi është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për t'i vizituar ata tek mjekët e familjes. "Tek ne paraqiten më shumë raste të formës më të rëndë, të cilët nuk kanë marrë trajtimin e duhur apo e kanë neglizhuar sëmundjen", shprehen mjekët dermatologë. Ata bëjnë me dije se ky lloj infeksioni nuk duhet të lihet pas dore. Që në shenjat e para duhet të merret kontakti me mjekun për të marrë trajtimin e nevojshëm që në fillim. Dje në pavijonin e dermatologjisë nuk kishte më vende të lira. Por veç fëmijëve të shtruar ishin edhe një numër i lartë të rriturish me infeksione të ndryshme të lëkurës. Mungesa e higjienës, por edhe stina e ngrohtë favorizojnë sipas mjekëve këto infeksione. "Edhe të rriturit nuk përjashtohen nga sëmundje të ndryshme dermatologjike, qofshin këto për shkak të ujit të ndotur të plazhit, por edhe për mënyrën se si trajtohet lëkura, higjiena apo ekspozimi në diell pa u mbrujtur. Janë të gjithë faktorë", pohojnë mjekët dermatologë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›