E Diel, 1 Nëntor 2026

Has, aksident në galerinë e braktisur, vdes minatori

Kromi Babai i pesë fëmijëve punonte ilegalisht në minierën e mbyllur, si e vetmja mënyrë mbijetese

Një minator ka gjetur vdekjen aksidentalisht në minierën e braktisur të fshatit Zgjeç, të rrethit të Hasit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në galeritë e braktisura të kromit në afërsi të fshatit kur 47-vjeçari Xhevdet Alia ka gjetur vdekjen teksa punonte në një galeri të braktisur 300 deri në 400 metra në thellësi të tokës. Bashkë me viktimën, baba i pesë fëmijëve, ka qenë edhe një kushëri i tij nga fshati Golaj, i cili ka njoftuar policinë, si dhe familjen e të ndjerit për incidentin e ndodhur. Policia lokale ka deklaruar se për ngjarjen është ngritur një grup hetimor dhe po punon për ta zbardhur atë.

Incidenti

I kushëriri i viktimës, Shefki Alia tregon se me Xhevdetin punonin prej kohësh në grumbullimin e kromit të cilin ua shisnin më pas firmave të licencuara të tregut. Duke qenë se që të dy kanë punuar dikur në minierat e kromit të Hasit kanë pasur përparësi në njohjen e terrenit dhe të galerive. Mëngjesin e djeshëm ata janë futur në një prej galerive të braktisura prej kohësh, por që minatorët e njihnin deri diku. “U futëm siç kemi bërë çdo ditë dhe ndërsa ne po punonim Xhevdetit i ra një gur në qafë dhe ai u rrëzua. E mora në duar, por e pashë se ishte pa ndjenja. Lajmërova në shtëpi dhe policinë”, rrëfen për gazetën dëshmitari i ngjarjes. Më tej ai tregon se, edhe pse kanë qenë klandestinë në kërkimin e mineralit kanë zbatuar rregullat duke vendosur kasketë në kokë, por sidoqoftë ai pranon se vendi ku kanë nxjerrë mineral ka qenë pa armaturë.

Policia

Menjëherë pas njoftimit, një grup policësh të Hasit, si dhe ekspertë nga Kukësi kanë shkuar në vendngjarje ku kanë këqyrur në afër rrethanat e aksidentit. Nuk ka vonuar edhe një ekip mjekësor nga spitali i Hasit, por minatori ka ndërruar jetë teksa ishte ende në galeri. Drejtori i policisë së Kukësit, Sadri Muçaj, tha se për ngjarjen po bëhen hetime edhe në aspektin e dukurisë së shfrytëzimit të mineraleve në kushte klandestine ku njerëzit po gjejnë vdekjen. Ai iu referuar ngjarjeve të ngjashme në vitet e shkuara në rajonin mineralmbajtës së Tropojës duke thënë se nuk duhen lejuar gërmime të paautorizuara dhe jashtë kushteve teknike. Ky është rasti i parë i një aksidenti të tillë në rrethin e Hasit, ku galeritë e dikurshme që janë shfrytëzuar deri në vitet ‘90 janë braktisur fillimisht nga shtetit e më pas edhe nga privatët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›