E Diel, 1 Nëntor 2026

Faljet, Presidenca: Zbatuam ligjin

Pas polemikave

Drejtoria Juridike e Presidencës sqaroi dje procedurën ligjore që kreu i shtetit ndoqi për të ushtruar të drejtën kushtetuese të dekretimit të faljes pas dekretit të djeshëm të Presidentit të Republikës “Për falje dënimi”. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Juridike të Presidencës është aplikuar falje e plotë dhe/ose e pjesshme nga vuajtja e dënimit të mbetur për 367 të dënuar, në mbështetje të nenit 92, pika “b” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe një sërë ligjesh, ku përfshihen institucione të ndryshme, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Avokati i Popullit, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, shoqata të tjera të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Kuvendit etj. Për përzgjedhjen e të falurve, u bë një vlerësim i kujdesshëm i plotësimit të kritereve ligjore dhe të veçanta, si mituria në kohën e kryerjes së veprës penale, gjendja e rënduar shëndetësore, mosha e thyer, gra, nëna fëmijësh të mitur të mbetur pa kujdes prindëror, masa e mbetur e dënimit, referime nga institucionet përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve etj. Njoftimi nga Presidenca bën të ditur se ndaj të dënuarve Vehbi Alimuça dhe Fitim Kërxhaliu, pas propozimeve të bëra nga organet e pushtetit vendor dhe referimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, është aplikuar falje e pjesshme e dënimit. Të dy këta persona do të vazhdojnë të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në burg sipas vendimeve përkatëse gjyqësore, sqaron njoftimi i Presidencës së Republikës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›