Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, Kushtetuesja rrëzon një pjesë të ligjit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një tjetër ligj të miratuar nga mazhoranca aktuale, në vitin 2007 dhe që ka të bëjë me regjistrimin e pasurive të luajtshme në Hipotekë. Gjithsesi nuk është rrëzuar i gjithë ligji, por vetëm dy paragrafë të nenit 10 të ligjit 02.07.2007 “Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Përveç këtyre neneve, shfuqizohet edhe një udhëzim i Këshillit të Ministrave. Përkatësisht, Kushtetuesja me vendimin e publikuar dje, shpall: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të paragrafit të dytë dhe të tretë të nenit 10 dhe të paragrafit të dytë të nenit 39/a të Ligjit nr. 7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’, të shtuar me Ligjin nr. 9701, datë 02.07.2007 ‘Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Kushtetuesja vendos shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr.4, datë 21.11.2007, “Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Në dy nenet e ligjit të miratuar në vitin 2007 flitet për mbivendosjet e pronave dhe për të vërtetuar këto, pronarët, përveç dokumenteve të tjera, do të duhet të kenë edhe deklaratë noteriale të pronarëve fqinjë për të vërtetuar pronën. Ndërsa në paragrafin e vendimit theksohet se “kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë”. “Për kalimin në pronësi të sipërfaqes, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t’u drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për rastet, të cilat nuk janë subjekt i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kërkuesit i drejtohen institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedura e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi, në këto raste, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet aty. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë me shumicë votash, ku pesë kanë votuar për të rrëzuar këto nene dhe katër kundër. Për rrëzimin kanë votuar: Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi dhe Sokol Berberi, ndërsa kundër kanë qenë: Vitore Tusha, Xhezair Zaganjori, Sokol Sadushi, Admir Thanza. Në interpretimin e vendimit të shumicës, theksohet se “Kushtetuta, në nenin 41 parashikon se cenimi i së drejtës së pronës si përjashtim mund të bëhet vetëm në formën e “shpronësimit” dhe të “kufizimit”. Kufizimi i ligjshëm që mund t’i bëhet së drejtës së pronësisë, në njërën prej këtyre dy situatave, kërkohet të realizohet me “ligj” dhe “vetëm për interesa publike”. Gjithashtu, nëse kufizimi i së drejtës së pronës është në atë masë sa që barazohet me shpronësimin, atëherë ai është i lejueshëm “vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”.
#