E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faljet, opozita dyshuese për firmën e Presidentit

09/06/2010 Komisioni i Ligjeve diskuton projektin e Qeverisë

Opozita në komisionin e Ligjeve ka hedhur dyshime mbi procedurën e ndjekur nga Presidenti i Republikës në faljet e fundit të kryera prej tij, në mënyrë të veçantë atë të prillit të këtij viti. Në diskutimin e projektit të Qeverisë “Për faljen” ata janë shprehur parimisht pro projektit, por kanë prezantuar edhe propozime konkrete për përmirësimin e tij. Në mënyrë të veçantë spikati edhe përjashtimi nga kriteret lejuese të ushtrimit të së drejtës për të dekretuar falje nga Presidenti disa muaj para ditës së zgjedhjeve. “Mendoj të vendoset tek kriteret ndaluese, ku të mos lejojmë dekrete të faljes disa muaj para apo pas datës së zgjedhjeve”, tha deputeti i PS-së, Armando Subashi. Por ashtu si shumë kolegë të tij në komision, ai përmendi mungesën e transparencës në dekretet e fundit të faljes. “Duhet të kujdeseni që për hir të abuzimeve të ndryshme që mund të ndodhin dhe që të gjithë e pranojnë që edhe kanë ndodhur, të vëmë disa kritere ndaluese për t’u prerë rrugën pikërisht këtyre abuzimeve. Nisur edhe nga dekretet e fundit, jo vetëm nga një president, për të cilat ka pasur mjaft dyshime jo vetëm politike, ne nuk jemi ende të gatshëm për t’i lënë dorë të lirë për ta ushtruar Presidenti në përgjegjshmërinë e vet institutin e faljes”, tha ai. Dyshime hodhi edhe deputeti Pandeli Majko, i cili përfshiu në të dekretet e fundit dhe punën e administratës sipas ligjit të ri. “Ajo që më shqetëson në këtë projekt është zona gri në administratë, që përgatit letrat në Ministrinë e Drejtësisë apo në Presidencë. Gjithashtu ndoshta edhe nga vakumet ligjore faljet e deritanishme realisht kanë disa rezerva bosh. Dhe këtë ligj e shoh si një mënyrë për të shmangur çdo interpretim në të ardhmen”, u shpreh Majko. Më e drejtpërdrejtë në shqetësimin e saj u deklarua socialistja Vasilika Hysi. “Me këtë ligj ne kemi bërë diçka që mund të keqpërdoret, siç u përdor në prill të 2010-ës, kur Presidenti i Republikës fali 367 të dënuar, nga të cilët 48 persona janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, njëri prej tyre është dënuar në 2007-ën në qershor dhe Presidenti i ka falur 10 vjet burgim. Nuk është mëshirë, pra nuk mund të quhet mëshirë ndaj personit që është dënuar një vit e gjysmë para dhe i falen 10 vjet”, deklaroi deputetja.

Propozimet e opozitës

Deputetët e opozitës gjatë fjalës së tyre, përveç merakut për realizimin e një procesi transparent dhe konform ligjit për faljen e të dënuarve, kërkuan gjithashtu që të diskutohet nëse objekti i faljes duhet të jenë edhe personat juridikë që mund të jenë dënuar për pastrim parash, financim të terrorizmit etj.; në përpilimin e kritereve lejuese të mbahet parasysh rrezikshmëria e veprës së autorit, mosha, sëmundja, të qenit nënë me dy fëmijë të mitur; të shtohen kritere të tjera tek kategoria e kritereve ndaluese; të shtohet rrethi i personave që mund të kërkojnë faljen; i dënuari të ketë vuajtur të paktën gjysmën e dënimit, për të fituar të drejtën e aplikimit për falje.

Projekti

Qeveria përmes projektligjit parashikon një ndërthurje kompetencash mes tij dhe ministrit të Drejtësisë, synim që, siç shpjegohet edhe në relacionin e projektit, kërkon “t’i vërë fre rrugës së abuzimit dhe t’i shërbejë mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti”. Kërkesat për falje do të kalojnë fillimisht në sitën e ministrit të Drejtësisë, i cili, pasi shqyrton dokumentacionin e paraqitur sipas përcaktimit të draftit në fjalë, i propozon kreut të shtetit rrëzimin ose miratimin e kërkesës për falje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›