E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi i kandidaturave, respektoj vendimin e Kuvendit

09/06/2010 Presidenti takon homologun rumun, komenton rrëzimin e Kostës

Arumunët dhe Kosova, pikat që ndajnë Shqipërinë dhe Rumaninë

Presidentin e Republikës, Bamir Topi, duket se nuk e shqetëson aspak nisma e mazhorancës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit, lidhur me mënyrën e votimit të dekreteve të tij për anëtarë të institucioneve të rëndësishme kushtetuese. Në përgjigje të interesit të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun rumun, kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve. Ai tha se respekton kompetencat e institucionit që përfaqëson për emërimin e kandidatëve për anëtarë të institucioneve, siç respekton edhe ushtrimin nga Kuvendi të kompetencave të tij, në këtë rast të ndryshimit të rregullores. “Do të respektoj çdo lloj vendimi që vjen në Kuvendi i Shqipërisë”, tha Presidenti i Republikës. Ai bëri me dije se do të presë vendimin e Kuvendit për kandidaturat e propozuara prej tij, si dhe garantoi se nuk ka lejuar asnjë lloj ndërhyrjeje, interference apo lobingu në procesin e vendimmarrjes. “Vetëm në këtë mënyrë institucionet në Shqipëri do të forcohen, pavarësisht nga trauma momentale që mund të kenë këto marrëdhënie. Unë ju siguroj që vetëm në këtë mënyrë ne garantojmë një proces serioz, objektiv dhe të papolitizuar”, vijoi numri një i shtetit. Reagimi i Presidentit mbi përpjekjet e mazhorancës për të votuar në mënyrë të hapur dekretet e Presidentit, erdhi pas takimit që ai zhvilloi me Presidentin e Rumanisë, Traian Basesku, dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Gjatë konferencës së përbashkët, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë u artikuluan si marrëdhënie tradicionale, që dita-ditës po marrin ritme dhe fizionomi të reja, por u vunë re edhe qëndrime të ndryshme. Presidenti rumun gjatë bisedimeve me Presidentin shqiptar përmendi kërkesën për dhënien e statutit si minoritet kombëtar të komunitetit arumun në Shqipëri. Për këtë ai mori garancinë mbi respektimin e këtij minoriteti si të gjithë pakicat e tjera në vendin tonë. “Ky konsiderohet si një komunitet etno-gjuhësor, i cili është konfirmuar në dy raporte, në KiE, që konfirmon në mënyrë zyrtare minoritetet zyrtare në Shqipëri, dhe ne vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij pozicioni, por nga ana tjetër ju siguroj që respekti për cilindo do të jetë në nivelin më të lartë, qoftë nga pikëpamja legjislative, qoftë nga pikëpamja reale, konkrete”, tha Presidenti Topi. Por sa i takon Kosovës, pavarësia e së cilës nuk është njohur ende nga Rumania, Presidenti Basesku tha: “Pozicioni ynë nuk është fleksibël dhe kjo gjë nuk vjen nga mosrespekti për kosovarët, por është respekti që kemi për të drejtën ndërkombëtare të njerëzve. Në qoftë se doni të shikoni efektin Kosovë, do ju lutem të shikoni efektin në Gjeorgji. Dhe këtë gjë ne e kemi parashtruar dhe në arsyetimin për mosnjohjen e Kosovës”. Por kreu i shtetit rumun shprehu një përkrahje të qartë të vendit të tij për perspektivat evropiane të Shqipërisë besimin se deri në fund të këtij viti Shqipëria do të marrë kandidaturën e favorshme. Për sa i përket liberalizimit të vizave, ai deklaroi inkurajimin e autoriteteve shqiptare që të intensifikojnë përpjekjet për qartësimin e aspekteve teknike, të cilat do të lejojnë adoptimin e një vendimi pozitiv në vjeshtën e këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›