E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fallziç ka pastruar para në Shqipëri

25/12/2008  Prokuroria dyshime të forta për pastrim parash, transferta 17 milionë euro

Dyshime edhe për kompaninë e energjisë “Rudnap”, nuk hiqet sekuestro e pronave

TIRANË- Publikimi në media se Damir Fazlliç ka pastruar para në Shqipëri tashmë po transformohet në akuzë zyrtare, pasi dje prokurorët e çështjes hodhën dyshime të forta për aktivitetin e biznesmenit të huaj. Prokuroria e Tiranës ka depozituar si provë kryesore në gjykatë kundër Damir Fazlliçit disa shkrime të marra nga e përditshmja “Tema” dhe disa procesverbale e dokumente të tjera të gjetura gjatë hetimeve. Ndërkohë Prokuroria i kërkoi gjykatës të mos e heqë sekuestron konservative të vendosur mbi pronat e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Sipas Prokurorisë, Fazlliç dyshohet se ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Dhe këtë fakt prokurori e përforcoi kur tha se i marrë tashmë në cilësinë e të pandehurit, Fazlliç ka blerë disa prona në Durrës në një kohë kur shoqëritë e tij nuk kanë ushtruar asnjëherë aktivitete fitimprurëse.

Pastrimi i parave

Para gjyqtarit Artan Broci, prokurorët e çështjes deklaruan disa të dhëna sipas të cilave Fazlliç ka blerë dy prona në Durrës dhe Porto Romano në vlerën e 1.7 milionë eurove dhe sipas investigimeve të dyja kompanitë nuk zotërojnë asnjë kapital. Bëhet fjalë për dy kompanitë “Croun asquisiton” dhe “Alfa”, që sipas verifikimeve të bëra nga Prokuroria nuk kanë asnjë kapital. “Në këto kushte, tha prokuroi Besnik Cani, është tepër e vështirë të mendosh që Damir Fazlliç të blejë prona me një vlerë parash kaq të madhe”. Po kështu dje prokuroi Cani deklaroi se pas hetimeve të kryera është bërë e mundur zbulimi i një transferte parash me vlerën 1.7 milionë euro nga bankat shqiptare të Damir Fazlliç drejt një banke në Cyrih. Zbulimi i këtij fakti për Prokurorinë shton edhe më shumë dyshimet se nga ana e Damir Fazlliç mund të jetë konsumuar vepra penale e “pastrimit të parave”. Nga ana e tij Besnik Cani tha se është i bindur për akuzat që janë ngritur ndaj Damir Fazlliçit edhe pse në këto momente nuk është koha për t’i deklaruar të gjitha.

“Rudnap” i energjisë

Prokurorët e çështjes paraqitën në sallën e gjyqit edhe një dokument ku pronari i kompanisë serbe të energjisë “Rudnap”, Lazareviç figuron aksioner në kompaninë “Altarie reserach limited” ku Damir Fazlliç është administrator i përgjithshëm. Prokuroria ka deklaruar gjatë seancës gjyqësore se Damir Fazlliç mund të ketë përdorur avokaten e tij Flutura Kola për të bërë transaksione parash. Dosja Fazlliç është duke u gjykuar në gjykatën e Tiranës me kërkesë të mbrojtjes.

Pala mbrojtëse

Gjyqtari Artan Broci i kërkoi avokatit Genc Gjokutaj të depozitojë provat kundër akuzës nëse ka dhe pas kësaj do të mund të shprehet me vendim. Nga ana e tij avokati pretendon se akuza është duke u shpejtuar në nxjerrjen e përfundimeve në një kohë kur gjithçka sipas tij duket në rregull. Gjyqtari e pyeti dje prokurorin për provat mes të cilave ndodheshin edhe disa shkrime të gazetës “ Tema”. Një tjetër proces gjyqësor mendohet të hapet ndaj Fazlliç, i cili ndodhet aktualisht jashtë vendit dhe përfaqësohet në gjykatë nga avokati Genc Gjokutaj.

Akuzat ndaj Fazlliç dhe mohimi i tyre

Qysh prej ditës kur mediat vërshuan t’i rrëmbenin ndonjë fjalë në Rinas biznesmenit Damir Fazlliç, ky i fundit as që ka ndërmend të komentojë zhvillimet e fundit që e implikojnë atë në pazare të dyshimta, por u mjaftua vetëm në një intervistë televizive. Kryesisht zëri i organit të akuzës është përgjysmuar që në momentet kur ajo nisi të kryente veprimet e para, pasi vorbulla e hetimeve nga njëra anë pasqyrohej në deklaratat e fuqishme politike, të cilat arrinin deri aty sa ta quanin Damir Fazlliç si sekserin e Ballkanit ose njeriun e afërt me klanin serb që lobon kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndjek politika jo të favorshme për shqiptarët. Deri më tani dyshimi i vetëm i Prokurorisë në Shqipëri ndaj tij është “pastrimi i parave”, pasi për pak vjet ai mundi të fitonte 50 milionë euro, ndërsa zyra që heton Pastrimin e Parave thotë se nuk ka ndonjë të dhënë që e implikon këtë person me këtë vepër penale. Për dy prokurorët që ndoqën këtë çështje Ministria e Brendshme tha se do të regjistronte një kallëzim sepse kanë dhënë urdhër me telefon për të ndaluar një qytetar të lirë, ndërsa Ministria e Drejtësisë kërkoi të verifikonte regjistrimet penale në Prokurorinë e Tiranës në ditën kur zhvillimet e kësaj dosjeje ishin në kulmin e tyre. Përveç pronave në Porto Romano, Prokuroria dyshon se Damir Fazlliç me 600 mijë euro ka blerë tokë në fshatin Rinia të Durrësit, ku mësohet se banorët ia kanë shitur pronat e tyre serbo-boshnjakut të shumëpërfolur. Në fshatin Rinia, ku ndodhet edhe toka e bllokuar, është ndarë trualli në bazë të ligjit 7501 për rreth 800 pronarëve. Mirëpo duke e konsideruar si tokë jopjellore, një pjesë e mirë e përfituesve nga ligji 7501 e vunë në shitje tokën dhe me çmime tepër të lira, pa menduar se vlera e saj do të ngrihej ndjeshëm vetëm një vit më pas. Lidhur me këtë fakt Damir Fazlliç, i cili ishte edhe në dijeni se çfarë projekte kishte qeveri në këtë zonë, shpejtoi të përfitojë, duke shtënë në dorë 12 hektarë me vlerën prej rreth 50 euro metri katror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›